Miqësia është diçka shumë e rëndësishme. Pa dyshim që ky nuk është ndonjë lajm i ri, e megjithatë kemi tendencën që ta harrojmë. Shpesh i marrim miqtë si të mirëqenë, i kushtohemi familjes e i lëmë ata pas dore. Nuk përkushtohemi për të bërë miqësi të reja e për t’u kujdesur për ato të vjetrat. Kjo tendencë është gjithnjë e në rritje.
Në një studim të bërë në vitin 1985, një grupi njerëzish iu kërkua që të listonin numrin e miqve me të cilët në gjashtë muajt e fundit kishin diskutuar për çështje të rëndësishme të jetës së tyre. 59% e personave të intervistuar deklaruan se kishin të paktën 3 miq që i korrespondonin këtij përshkrimi. I njëjti studim u përsërit në vitin 2004. Kësaj here, vetëm 37% e të intervistuarve kishte listuar 3 apo më shumë miq, ndërkohë që 25% deklaronin se nuk kishin miq (njësoj si 10% e personave në vitin 1985). Me pak fjalë, duke u bazuar te studimet e fundit, duket se 1 në 4 persona nuk ka më asnjë mik me të cilin të ndajë jetën. Këto numra janë mjaft domethënës dhe aspak pozitivë, edhe pse studimi thotë që…
Kemi nevojë për miqtë për të qenë të shëndetshëm
Julianne Holt-Lunstad, profesoreshë dhe psikologe në “Brigham Young University” ka bërë një gjysmë-analizë mbi 148 studime dhe ka arritur në përfundimin se mungesa e mbështetjes sociale lidhet me të gjitha shkaqet kryesore të vdekshmërisë. Njerëzit me një grup të fortë miqsh kanë 50% më shumë mundësi për të mbijetuar në çfarëdolloj momenti të jetës së tyre, krahasuar me ata që nuk mund të mbështeten te një grup i fortë miqsh.
Profesoreshë Holt-Lunstad, ka llogaritur se të kesh pak miq lidhet me një rrezik vdekshmërie njësoj si të pini 15 cigare në ditë dhe është një zakon edhe më i rrezikshëm se sa obeziteti dhe mungesa e aktivitetit fizik. Sidoqoftë, shëndeti nuk është i vetmi aspekt që përmendet, pasi…
Miqtë ndihmojnë të njohim veten
Shpesh miqtë mund të na njohin shumë më tepër nga sa mund të njohim vetveten. Në veçanti, sipas Simine Vazire, psikologe që drejton “Personality and Self-Knowledge Lab” pranë “Washington University” në St. Louis, miqtë janë më të aftë se ne për të përshkruar tipare të ndryshme të sjelljes sonë. “Miqtë mund të vlerësojnë më mirë se ne, nëse jemi njerëz argëtues, dominues, joshës, etj.”, ka shpjeguar ajo.
Pa dyshim miqtë nuk mund të jenë më të zotë se ne për të kuptuar se çfarë ndjejmë apo mendojmë, por janë më të zotë për të kuptuar nivelin tonë të inteligjencës (të cilin zakonisht e nënvlerësojmë). Veç kësaj…
Miqtë na bëjnë më të lumtur se çdo gjë tjetër
Keni tre miq në punë? Mirë, sipas një studimi keni 96% më shumë mundësi për të qenë të kënaqur për jetën tuaj. Veç kësaj Fowler e Christakis kanë zbuluar se kemi 15% më shumë mundësi për të qenë të lumtur, nëse njëri nga miqtë tanë është i lumtur. Dhe nëse një mik i një miku është i lumtur kemi 10% më shumë mundësi për të qenë të lumtur. “Kemi zbuluar se çdo mik i lumtur shton mundësinë për një person për të qenë i lumtur me 9%. Ndërsa çdo mik i palumtur e pakëson lumturinë tonë me 7%”, kanë shkruar autorët. Nga momenti që këto statistika nxjerrin në pah se lumturia është më ngjitëse se sa mungesa e lumturisë, autorët kanë arritur në përfundimin që shprehja “bashkimi bën fuqinë” është e vërtetë.
Në fund, studiuesit kanë zbuluar se një mik më shumë do të thotë dy ditë më pak vetmi në vit. “Nga momenti që mesatarisht – sipas të dhënave tona – njerëzit ndihen të vetmuar vetëm 48 ditë në vit, me dy miq më shumë, do të ndiheni rreth 10% më pak të vetmuar se sa njerëzit e tjerë”. Nga ana tjetër, është interesant fakti që, anëtarët e familjes, nuk duket se kanë të njëjtin efekt si miqtë. Në fund, të keni një mik që e takoni pothuajse çdo ditë, ka të njëjtin efekt si të fitoni 100 mijë dollarë më shumë në vit.
Partneri dhe fëmijët nuk janë të mjaftueshëm…
Studiuesit po vëzhgojnë një tendencë: gjithnjë e më shpesh njerëzit presin të marrin të gjitha kënaqësitë për nevojat e tyre sociale nga bashkëshorti apo partneri. Kjo është një recetë për të shkatërruar çdo gjë, të paktën për dy arsye: para së gjithash e ngarkon partnerin me pritshmëri të tepruara e tension, e së dyti ka gjëra krejt të ndryshme, të cilat mund t’i merrni vetëm nga miqtë.
Fituesi i çmimit “Nobel”, Daniel Kahneman e kolegët e Universitetit të Princeton, rreth një dekadë më parë kanë bërë një studim inovativ (që gjeneroi mjaft polemika), i cili ka treguar se koha e kaluar me miqtë është shumë më argëtuese se sa koha e kaluar me bashkëshortin dhe fëmijët. Sigurisht që nuk ka asgjë të gabuar te koha e kaluar me partnerin dhe me fëmijët, por koha me miqtë nuk sjell të njëjtat përgjegjshmëri dhe të gjithë kemi nevojë për një pauzë.
Veç kësaj, të kaloni bashkë me partnerin kohë me një tjetër çift miqsh, ka shfaqur aftësi për të përmirësuar marrëdhëniet sentimentale për një kohë të gjatë. Me pak fjalë, partnerët e vlerësojnë marrëdhënien e tyre në mënyrë më pozitive, pasi kanë ndërvepruar me një çift tjetër miqsh.
Çiftet që kanë shumë kohë bashkë, rrezikojnë të hyjnë në monotoni dhe shpesh sforcohen që t’i pëlqejnë partnerit siç bënin në fillim të lidhjes. Të japësh më të mirën përpara miqve ju lejon ta shihni partnerin në një tjetër këndvështrim.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 134
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.