Lifestyle

August 18, 2016 | 8:52

Psikologjia e të trukuarit

E keni pyetur ndonjëherë veten se përse trukoheni? Femrat kanë gjithmonë një arsye për t’u trukuar, por çfarë nënkuptimi ka ky gjest në këndvështrimin psikologjik? Një psikolog që merret me këtë fushë na zbulon plot sekrete të këtij arti apo gjesti shumë personal…

Një art i vjetër sa njerëzimi

“Make up”-i dhe truku për fytyrën i ka rrënjët të thella në kohë. Studimet arkeologjike kanë nxjerrë në pah se në shumë vende të botës ky është arti i zbukurimit të fytyrës. Dhe, në fakt, në ditët tona tashmë dihet që fytyra zbukurohej me produkte natyrore dhe qëllimi nuk ishte vetëm zbukurimi, por që të dilte në pah edhe karakteri i femrave, personaliteti dhe kushtet shoqërore. Sipas profesor Roberto Pani-t, docent në Klinikën Universitare të Psikologjisë në Bolonja, ky zbulim i arkeologëve edhe një herë nxjerr në pah faktin që truku kishte lidhje si me identitetin psikologjik të një personi, edhe me qëllimin për t’u bërë e bukur për të tjerët. Sipas profesorit, truku i një njeriu mund të evidentojë karakterin dhe personalitetin e tij.

Të lyhesh për t’u ndjerë VIP

Edhe pse nuk është një rregull fiks, ajo që na shtyn të lyhemi është shpesh dëshira për t’u përmirësuar, duke nxjerrë në pah disa aspekte të vetes që nuk janë asnjëherë fizike, por të brendshme, pra lindin në brendësi të mendjes, në përjetimin e perceptimit që kemi për veten. Është njësoj sikur femrat, nëpërmjet grimit, duan të luajnë me imazhin dhe identitetin e tyre, duke i thënë vetes: “Dua të ëndërroj sikur jam një divë, një femër seksi, e bukur, e thjeshtë, që të tjerët e vlerësojnë, e ëmbël, në modë” e kështu me radhë.

Nxirrni në pah aspektet psikologjike

Ajo çka e bën “serioze” një gjë kaq “argëtuese” si grimi është fakti se kur lyhemi, kemi tendencën të nxjerrim në pah një aspekt të brendshëm që lind në psikikën tonë. “Make up”-i nuk është më vetëm “maskë” që vendoset në fytyrë, por diçka më e thellë. Grimi është pika ku ne referohemi kur prezantojmë veten dhe se si duam që të tjerët të na shohin.

Lloje të ndryshme grimi

Ka femra që duan të jenë origjinale dhe të tjera që kanë tendencën t’i japin më shumë karakter imazhit të tyre, duke nxjerrë në pah aspekte të ndryshme, si për shembull grim i rëndë dhe i fortë nëpërmjet artit të “make up”-it. Në njëfarë mënyre, mund të themi që grimi zbukuron imazhin si dhe evidenton ato karakteristika psikologjike, e jo vetëm fizike, si ëmbëlsia, simpatia, thjeshtësia, sensualiteti, agresiviteti dhe vendosmëria. Jo rastësisht, çdo femër është e ndryshme nga tjetra dhe për rrjedhojë lyhet edhe ndryshe, edhe në bazë të psikikës vetjake.

Grimi, tregues sigurie

Kush është mësuar të lyhet çdo ditë, e ka të vështirë të dalë nga shtëpia me pamje natyrale, pasi duket sikur nuk ka veshur asgjë. Megjithatë nuk bëhet fjalë për pasiguri: përkundrazi, arsyeja pse ndihemi mirë kur lyhemi shpjegohet me faktin qënjë femër e trukuar ka tendencën të nxjerrë edhe më tepër në pah pjesë të fytyrës që mendon se janë tërheqëse. Pra, kur lyhemi, kemi bindjen se jemi tërheqëse dhe të dëshiruara. Megjithatë, ndonjëherë ka femra që lyhen jashtëzakonisht shumë. Në këtë rast shërben si vetinkurajim për ndonjë pjesë të fytyrës që nuk na pëlqen dhe kemi tendencën ta fshehim nëpërmjet grimit. Ka nga ato që lyhen aq shumë, sa duken qesharake. Kjo tregon jo vetëm pasiguri, por edhe një nevojë për të injoruar një defekt që nuk na pëlqen. Dhe kështu ‘i dorëzohemi’ penelit, lapsave dhe xixave me një tepri të jashtëzakonshme.

Lyerja e syve, arsye psikologjike

Lyerja e syve do të thotë në përgjithësi se duam të nxjerrim në pah një nga pjesët e fytyrës që “rrëfejnë” personalitetin tonë, sepse sytë janë shumë shprehës dhe komunikues. Është njësoj si të japësh mesazhin: “Dua të të rrëfej brendësinë e shpirtit tim”. Në fakt, sytë karakterizojnë ekspresivitetin e një personi dhe personalitetin e tij. Në një sondazh të bërë, grimi i syve është e vetmja gjë pa të cilën femrat nuk bënin dot, duke filluar që nga rimeli. Shumica prej nesh, kur sapo zgjohet nga gjumi në mëngjes, para se të dalë për angazhimet e ditës, mjafton të bëjë një grim të lehtë dhe një kalim rimeli mbi qerpikë për t’u ndier mirë me veten.

Ç’nënkupton lyerja e buzëve?

Lyerja e buzëve tregon dëshirën për të shprehur sensualitetin dhe feminitetin personal. Kjo dëshirë është edhe më e fortë kur përdoren buzëkuqe me ngjyra të ndezura e të gjalla, apo edhe plot shkëlqim.

Mirëqenie shpirtërore

Moda dhe grimi janë jashtëzakonisht të lidhura me njëra-tjetrën, jo vetëm nga këndvështrimi estetik, por edhe nga pikëpamja shoqërore e psikologjike. Moda ndikon jashtëzakonisht në karakteristikat e personalitetit që një femër do të donte të kishte. Disa prej nesh e bëjnë pikërisht sepse udhëhiqen nga moda e fundit. Për pjesën më të madhe të femrave, grimi është një sinjal zbukurimi dhe për t’u ndier mirë me veten dhe imazhin. E pastaj, nëse grimi, në njëfarë mënyre, “shëron” pasiguritë për veten, rezultati është i kënaqshëm për mirëqenien psikike, e cila sa vjen dhe përmirësohet. Kjo nuk do të thotë që të gjitha femrat duhet të lyhen për t’u ndier mirë: grimi nuk është i detyrueshëm, përkundrazi është art dhe liri mbi të gjitha.

Ngjyrat e ndezura dhe të lehta

Edhe ngjyrat e përdorura kur lyhemi tregojnë anën psikologjike ose probleme të caktuara psikologjike që po kalojmë. Ngjyrat e forta të buzëkuqit, manikyrit, pluhurit të syve tregojnë gjallëri, por ndonjëherë mund të jenë dhe një tentativë për të fshehur trishtimin dhe malinkolinë. Paradoksalisht, nëse një grua lyhet me shumë shkëlqim, nuk do të thotë se është e lumtur. Femrat që lyhen me ngjyra të lehta shpesh janë të ndrojtura dhe mund të fshehin ndrojtjen e të qenit në qendër të vëmendjes.

Lyhemi për vete apo për të tjerët?

Në përgjithësi, femrat lyhen për mirëqenien e tyre, në kuptimin që kanë dëshirë ta shohin veten me një imazh të tillë i cili të përfaqësojë atë çka ato duan të zgjedhin. Me fjalë të tjera, grimi nga pikëpamja psikologjike është tregues se si një femër do të dëshironte të ndihej. Megjithatë, e dimë shumë mirë se kur një femër mendon për veten, mendon edhe për një “spektator” të mundshëm. Një femër që lyhet, e bën edhe për njerëzit që e rrethojnë, që takon në jetën e përditshme, partnerin etj. Përgjithësisht lyhemi për mirëqenien tonë, por edhe duke pasur parasysh që do të na shohë dikush të lyera dhe që mund të na vlerësojë.

Kur grimi nuk përmirëson imazhin

Kur grimi nuk është në harmoni me fytyrën e një femre, tentativa për të ndryshuar një pjesë të fytyrës duke përdorur produkte me tepri jep një efekt të shëmtuar. Grimi që shtrembëron linjat e fytyrës fsheh pjesë të personalitetit, duke paraqitur një imazh të gënjeshtërt për veten. Kur lyhemi jashtëzakonisht shumë dhe abuzojmë me produktet kozmetike, tiparet e fytyrës shëmtohen. Dhe kjo lidhet me faktin që me lyerjen shtrembërojmë imazhin tonë para të tjerëve. Ndaj duhet së pari të mësojmë artin e “make up”-it. Kur ulemi para pasqyrës me produktet kozmetike është njësoj si të fillojmë të pikturojmë në një telajo: një piktor para se të marrë penelin në dorë, e ka një projekt në mendje dhe më pas, me idenë në kokë, është në gjendje ta realizojë pikturën me penela e ngjyra. E njëjta gjë vlen edhe për grimin

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top