Mirëqenie

June 8, 2019 | 8:20

Psikologjia e të ushqyerit / Mos përtypni ndjenjat, thuajini lamtumirë urisë nervore

Vetëm duke rivendosur një “marrëdhënie korrekte emotive” me ushqimin mund të rigjejmë një ushqyerje të ekuilibruar, duke hedhur pas krahëve shqetësimet dhe për të arritur peshën e duhur.

Që ushqimi ka një efekt ngushëllues e dimë të gjithë: plotëson boshllëqet afektive, të cilat kanë rrënjë që në fëmijërinë e hershme, pengon frustrimet profesionale, që kërcënojnë vetëbesimin. Fatkeqësisht, tek ata persona që shpesh nuk kanë kontrollin në tryezë apo që vuajnë nga shqetësime të mirëfillta ushqyerjeje, këto boshllëqe janë hendeqe pak a shumë të thella, që pavarësisht tentativave për t’i “mbushur” kanë tendencën të shemben.

Por problematika më e madhe nuk është në trup, por në psikikë dhe vetëm duke rivendosur një marrëdhënie korrekte emotive me ushqimin mund të arrijmë një ushqyerje të ekuilibruar dhe peshën e duhur.

Nuk është e vërtetë se të hash pak ndihmon për t’u dobësuar. Përkundrazi, ky zakon favorizon efektin yo-yo dhe i hap rrugën shqetësimeve me ushqyerjen. Më mirë mundohuni të ndiqni rregullin 3-3-3: tre vakte dhe tre vakte zemër çdo tri orë.

Konsumoni ushqime që favorizojnë ndjesinë e ngopjes: fibra, ushqime me indeks të ulët glicemik dhe proteina. Përfshini në çdo vakt një burim proteine (vezë, djathë ose gjalpë kikirik në mëngjes. Mish, peshk ose perime në drekë dhe darkë). Shpesh njerëzit kanë tendencën të mos konsumojnë proteina në mëngjes dhe në mesditë. Kjo nuk është një gjë e mirë, pasi krizat kompulsive mund të shfaqen edhe gjatë ditës.

Limitoni pijet me sheqer. Është treguar se kaloritë që pimë janë shumë më pak të ushqyeshme se sa ato që hamë. Pakësoni konsumin e të gjitha pijeve me sheqer (koktej me fruta, pije me gaz apo energjike, lëngje, çaj i ftohtë, etj.). Uji, qumështi dhe lëngjet e perimeve janë zgjedhja më e mirë. Edhe çaji dhe kafja pa sheqer mund të jenë dy mundësi shumë të mira.

Lërini vend perimeve. Në drekë dhe në darkë, gjysma e pjatës duhet të jetë e mbushur me perime. Sa më shumë perime të konsumoni, aq më pak uri do të ndjeni! Për të pakësuar ndjesinë e urisë mund edhe të filloni vaktin me një supë, një lëng perimesh ose sallatë, të cilat janë starteri më i mirë edhe në restorant.

Hani vakte të ndërmjetme të shëndetshme. Vaktet e ndërmjetme (zemrat) janë një ndihmë e çmuar për të frenuar urinë gjatë ditës. Duhet të përmbajnë karbohidrate dhe proteina për të stabilizuar gliceminë dhe për t’ju dhënë ndjesinë e ngopjes: për shembull, mund të konsumoni kos me fruta, dy biskota të kripura dhe 50 gr djathë.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 137

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top