Mbrëmjen e së martës, 28 janar 2020, një tërmet me magnitudë 4.9 i shkallës rihter na zgjoi makthet e pësuara nga lëkundjet e dy muajve më parë. Psikologjikisht është e rëndësishme të vëzhgohet se çfarë ndodh në ato momente në mendjen e individit. Gjithçka ndryshon, dhe sa hap e mbyll sytë, vlerat që kemi mësuar, ndryshojnë në mënyrë thelbësore dhe mesa duket, të pakthyeshme. “Të gjitha mendimet i nënshtrohen një mutacioni vendimtar dhe të dhunshëm. Kjo ndodh kur ekziston hipoteza e diçkaje që prish përpjekjet e tërë ekzistencës dhe rrëzon renditjen që ka për të gjitha gjërat”, thotë në një analizë të dy muajve më parë, Doktor Loris Pinzani, psikolog dhe psikoterapeut.
Tërmeti i së martës, pritej. Sipas sizmiologëve të mirënjohur tanimë vendas, këto lëkundje cilësohen si pasgoditje të natyrshme sizmike, referuar të dhënave historike shkencore. Diku më të ndjeshëm e diku më të lehtë, ne duhet të mësohemi për sa kohë vatrat kanë ende energji për të çliruar.
Megjithatë, njerëzit, prej 4 dekadash qetësie le të themi, sa i takon lëkundjeve të forta sizmike, duket se e kanë të pamundur të shmangin frikën. E vërteta, siç është parë gjatë këtyre kohëve, por më e freskëta mbrëmë, tregoi se në atë moment të gjithë kaluam “një shkundje” që krijoi pasoja ankthi, paniku, dhe tensionesh të brendshme. U përpoqëm fillimisht me fëmijët pranë. Në shikimet e tyre shfaqej një lloj “tradhtie” nga qetësia e dukshme normale. Kjo duhet të na bëjë të reflektojmë për vlerën jo momentale, por absolute që secili ia atribuon gjërave të tij, jetës së tij.
Sipas psikologut dhe psikoterapeutit italian Dr.Pinzani-t: “Në ato momente, në të cilat e shohim veten si të pafuqishëm, çdo klasifikim që duket i palëvizshëm, kthehet në të pasurit e vendit që meriton dhe i kujton individit se sa i ndjeshëm është ai, në çdo moment të ekzistencës së tij. E njëjta gjë ndodh kur një metabolit ndryshon vendndodhjen e tij kimike, kur një leukocit lejon të shpëtojë një qelizë tumorale, ose kur një sistem mendor mbrojtës shpreh një shqetësim depresiv. Shkurt, në çfarëdo rrethane të dëmshme në të cilën e shihni veten në mjedisin tuaj, shfaqet realiteti që vazhdimisht përpiqet të harrojë. Njeriu është shumë më i brishtë nga sa dëshiron të kujtojë dhe duhet shumë pak që kjo të kujtohet prej tij, shumicën e kohës nga e njëjta natyrë që kemi harruar se mund të kemi frikë”.
Por si të menaxhojmë frikën? Luca Pietrantoni, profesor i asociuar i Psikologjisë së Emergjencave në Universitetin e Bolonjës në një intervistë për traumat post tërmetit shpjegon se si të marrim veten dhe t’i pranojmë këto dukuri natyrore, duke besuar në thelb sipas tij se: “Tërmeti, në një mënyrë dramatike, e rikthen njeriun në dimensionin e tij”.
Profesor Pientrantoni para së gjithash, çfarë i ndodh një personi që jeton kriza paniku nga tërmeti?
Natyrisht që reagimet nuk mund të përgjithësohen, por le të themi që shpesh ata që e gjejnë veten duke përjetuar një katastrofë të pakontrollueshme siç mund të jetë dhe një tërmet, detyrohen të përballen me një situatë të pazakontë pasigurie, me hutimin që rrjedh prej tij, me vështirësinë për të pasur një planifikim për nesër. Ankthi dhe frika, së bashku me zemërimin dhe zhgënjimin janë ndjenjat mbizotëruese.
Më falni, por çfarë lidhje ka zemërimi me të: nuk mund të zemërohesh me tërmetin?! Tërmeti është një ngjarje e natyrshme, e pakontrollueshme.
Pikërisht për këtë arsye: jetohet me ndjesinë se je në gjendje të kontrollosh ngjarjet dhe tërmeti, për nga natyra e tij, nuk është i kontrollueshëm. Ju nuk mund të parashikoni se kur apo ku do të arrijë: kjo është frustuese në fillim, kështu që ngjall zemërim. Zemërimi vjen nga ndjenja e pafuqisë.
Në planin fizik çfarë ndodh?
Edhe në këtë rast, reagimet janë nga më të ndryshmet: aty nuk ka patologji të mëparshme, siç janë sulmet e panikut apo ankth patologjik për shembull, në përgjithësi gjenden gjithsesi maja të vërteta ankthi, që provokojnë rritjen e niveleve të adrenalinës dhe kortizolit, përgjegjës për takikardinë dhe të gjitha ndjesitë e shqetësimit fizik që pak a shumë kanë përjetuar gjatë tërmetit të fortë.
Në këtë pikë, sidoqoftë, çfarë duhet të bëjë një person i cili papritmas ka humbur përditshmërinë e tij dhe e gjen veten të pastrehë, në një tendë, dhe mbase edhe pa punë?
Në broshurën e realizuar me ekipin e universitetit, japim tre lloje këshillash për të kapërcyer këtë fazë, e cila ndikon në sferën e sjelljes, njohëse dhe sociale. Sa i përket sjelljes, ju rekomandojmë të përpiqeni ta rimerrni sa më shpejt jetën tuaj të përditshme, për ta shpërqendruar veten me profesionin tuaj. Nëse keni probleme me pagjumësinë, shmangni të gjitha substancat stimuluese dhe në çdo rast drejtojuni ilaçeve vetëm nën mbikëqyrjen mjekësore. Nga pikëpamja konjitive, njohëse, këshilla më e mirë është të përpiqeni të zbuloni se çfarë po ndodh: kjo nuk ju lejon të kontrolloni ngjarjen, e cila është e pakontrollueshme, por duke e njohur më shpesh atë, e merrni më me pak bezdi. Në fund, për sa i përket sjelljes shoqërore, treguesi më i mirë është të përpiqeni të flisni për atë që ndjeni, dhe të përballeni me të. Konstatohet shpes se ndjesitë e pakëndshme që përjetohen, janë të zakonshme dhe të përbashkëta.
Po nëse një person vuan nga çrregullime psikologjike si ankthi apo kriza e panikut?
Këto këshilla janë udhëzime të përgjithshme: ata me probleme më të thella është e qartë që duhet të kërkojnë ndihmë nga një specialist.
Një provokim profesor: nuk mendoni se tërmeti në realitet shkërmoq kontrollin që njeriu ka mbi ngjarjet natyrore (dhe jo)? Dua të them që përfundimisht e sjell me këmbë në tokë?
Në një kuptim, po. Ngjarjet si këto shkatërrojnë supozimet kryesore që ne i marrim si të mira dhe për të cilat priremi të mendojmë, të paktën në një nivel shoqëror, për të kontrolluar gjithçka, duke harruar ndërvarësinë e fenomeneve. Tërmeti, në një mënyrë dramatike, e rikthen njeriun në dimensionin e tij. Dimensioni i përsosmërisë njerëzore, në fakt.
Përgatiti Orjona Tresa / Burimi: firenzetoday.it / st.ilsole24ore.com
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.