Në fokus

May 24, 2019 | 8:11

Psikologjia e vetë-motivimit

Motivimi është ekzistenca e të gjitha veprimeve. Vetë fjala na tregon mbi kuptimin e saj: të kemi motivime që na shtyjnë për të vepruar. Shpesh fakti që një njeri ka sukses apo jo, është ngushtësisht i lidhur me nivelin e motivimit. Duke kuptuar atë gjë që ju motivon dhe duke vepruar sipas asaj, do të keni shumë më tepër mundësi që t’ia dilni të jetoni një jetë të shëndetshme e të lumtur.

Scott Geller psikolog i sjelljes, profesor në Universitetin e Psikologjisë në Virginia dhe Drejtor i “Center for Applied Behavior Systems” është themelues i idesë “Actively Caring” dhe një figurë e rëndësishme në fushën e tij. Në një nga leksionet e gjata me studentët Scott Geller e fillon fjalimin e frazën “përtej kufijve”, të cilën më pas e shpjegon se ky togfjalësh po ashtu mund t’u japë kuptim rregullave dhe kufizimeve që prindërit na kanë vendosur kur ishim të vegjël.

Ndaj duhet të shkojmë përtej kufizimeve dhe të përmbushim atë që duam të bëjmë në jetën tonë. Pra, çfarë na shtyn të sillemi kështu? Fuqizimi. Fuqizim do të thotë të bëjmë gjërat që duam të bëjmë. Nëse dikush dëshiron të jetë i vetë-motivuar, duhet së pari t’i përgjigjet tri pyetjeve të mëposhtme:

  1. Mund ta bëni? Besoni në vetë-efikasitetin? Mendoni se mund ta arrini atë që synoni?
  2. A do të funksionojë? Kjo pyetje do t’i përgjigjet besimeve të vetë-efikasitetit që keni dhe qëndrimit që do të mbani më pas.
  3. A ia vlen? Kjo është një pyetje bazë për motivimin, sepse normalisht njerëzit mendojnë më shumë për pasojat e rezultatit të arritur në vend të asaj se sa shumë do të mundohen në mënyrë që të arrijnë një qëllim.

Pasi u jeni përgjigjur ‘po’ të gjitha këtyre pyetjeve, gjithashtu duhet të dalloni edhe katër fjalët që ushqejnë vetë-motivimin: pasoja, kompetenca, zgjedhja dhe komuniteti. Të gjithë duam të jemi të suksesshëm dhe të mos dështojmë, ndaj jemi gjithmonë në kërkim të suksesit.

  1. Bëni një listë objektivash

Motivimi kërkon një fund. Kur qëllimi është i vagëllt, të jeni të motivuar bëhet e vështirë dhe për pasojë edhe objektivat bëhen të pamundur për t’u arritur. Caktoni objektiva të qartë dhe ndajini në disa pjesë të vogla që ju lejojnë të merrni vazhdimisht rezultate. Kjo gjë do t’ju lejojë të rrisni motivimin. Në fund, sigurohuni që edhe objektivat më të vogla të jenë të rëndësishme dhe bëni të mundur që çdo synim të jetë realisht i arritshëm. Në rast të kundërt, do ta keni të vështirë të qëndroni të motivuar.

Përkushtohuni të punoni mbi jo më shumë se një apo dy aspekte, pasi kjo gjë do t’ju ndihmojë të mos ndiheni të mbingarkuar nga përgjegjësitë dhe të mos rrezikoni të humbisni motivimin. Kur ndiheni të “shtypur” nga rrethanat, shpesh keni tendencën të ndaloni dhe të mos ecni përpara me synimet, pasi filloni t’i konsideroni ato të paarritshme.

  1. Mendoni pozitivisht

Një sjellje negative mund t’i bëjë objektivat tuaja të vështira për t’u arritur. Nga ana tjetër, falë një mentaliteti pozitiv, të njëjtat synime mund të duken shumë më të thjeshta. Një studim shkencor ka nxjerrë në pah se humori negativ mund të përkeqësojë ndjeshëm aftësinë tonë për të vlerësuar.

  1. Fitoni siguri

Bashkë me mendimin pozitiv për botën, duhet të mendoni pozitivisht edhe për veten tuaj. Nëse mendoni se jeni të paaftë, kjo gjë do të ketë efekt eliminues në përkushtimin që do të keni në detyrën që i keni caktuar vetes. Përse duhet të shqetësoheni të bëni diçka, nëse nuk mendoni se do t’ia dilni mbanë? E pas kësaj, sigurisht që nuk do t’i futeni fare synimit që i keni caktuar vetes.

Si fillim, numëroni sukseset që keni arritur! Nga vini? Çfarë gjëje të jashtëzakonshme keni bërë në të kaluarën? Çfarë burimesh keni në dispozicion? Mendoni për çdo gjë që keni fituar në të kaluarën. Për ç’arsye nuk jeni në gjendje të fitoni atë që dëshironi tani?! Keni bërë gjëra të tilla edhe në të kaluarën dhe ia keni dalë mbanë. Me pak fjalë, mos u stepni, por ecni përpara me siguri e guxim!

 

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 137

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top