Mirëqenie

January 23, 2019 | 12:33

Psikoterapia & psikoterapisti i suksesshëm

Si ndërtohet marrëdhënia psikoterapist-klient? Çfarë të fshehtash zbulon klienti te psikoterapisti? Çfarë shpresash ka pacienti, pritshmëri nga terapisti? Këto dhe shumë pyetje të tjera të fushës së psikoterapisë iu përgjigjet Irvin D. Yalom, psikoterapisti më i vlerësuar i Amerikës ku pasqyron gjithë përvojën profesionale 45-vjeçare në formë elokuente, gjuhë të thjeshtë, me shumë humor si ndërlidhje mes tregimit, përshkrimit real të punës së tij, pa zbuluar identitetin e vërtetë të klientelës…

Psikoterapia dhe terapistët e gjeneratës së sotme e kanë tejet të vështirë të ushtrojnë profesionin e tyre. Nëpërmjet psikoterapisë u vijnë në ndihmë miliona njerëzve që kanë nevojë për terapi psikologjike si forma më e suksesshme e shërimit të tyre. Arsyeja është fakti që sistemi shëndetësor bazuar në siguracionet është në krizë financiare. Në asnjë vend të botës psikoterapia nuk përfshihet në paketën e siguracioneve për arsye financiare.

Psikoterapia po humbet dalëngadalë: gati-gati është kthyer në shërbim të njerëzve që kanë të ardhura të mira financiare dhe jo gjithëpërfshirëse. Pra, pak a shumë elitare. Kurse mjekimi medikamentoz, pra kurimi në spitale psikiatriake apo dhe thjesht diagnostikimi nga mjekë psikiatër dhe dhënia e një recete me antidepresivë, është kthyer në një rutinë që po praktikohet në mënyrë marramendëse nga miliona pacientë nëpër botë. 

Por cilat janë këto problematika? Sipas mendimit tim janë katër fazat e jetës, të cilat ekzistojnë te njeriu: vdekja, vetmia, arsyeja e të jetuarit dhe liria. Një terapist i aftë, duhet të mos udhëhiqet vetëm teorikisht, por nga marrëdhënia me klientin. Krijimi, ndërtimi i besueshëm, i qëndrueshëm terapist-pacient ndikon në çdo seancë dëgjimore”, shprehet Yalom.

Leksion 1 | Mënjanoni pengesat gjatë dëgjimit!

Kur unë isha student i ri i degës psikoterapi, libri i parë që më ra në dorë dhe prej të cilit mora leksionet e para, ishte “Neuroza dhe rritja njerëzore” e Karen Horneys. Lektura më efikase ishte ideja se njeriu ka aftësinë e vetërealizimit. Kur kapërcehen vështirësitë, mendonte Horney, fitohet përvoja dhe njeriu piqet. Kjo teori ndryshoi në mënyrë të menjëhershme bazat e psikoterapisë. Unë kisha tashmë një vizion të ri për punën time: ishte detyra ime që pacientit t’ia pastroja rrugën nga pengesat, bllokadat. Nuk duhej të shtyja pacientin për t’i zgjuar shpresën, dëshirën për jetën apo të tregoja dhembshuri e gjëra të kësaj natyre.

Jo, unë duhej të identifikoja pengesat, bllokadat, të tjerat do të vijonin të zbatoheshin nga vetë pacienti. Më kujtohet një vejushë e re apo siç e quante ajo veten “zemra e ndryshkur”. Më kujtohet pamundësia e saj për të dashuruar. Nuk dija nga t’ia filloja. Unë dija vetëm të zbuloja te pacientja arsyet, pengesat, të cilat nuk e lejonin të dashuronte. Shumë shpejt mësova se për të fjala dashuri ishte e lidhur me tradhti, me thyerje të premtimit. Nëse do të dashuronte përsëri, kjo do të quhej tradhti ndaj bashkëshortit të saj të ndjerë. Të dashurohej me një tjetër burrë, për të do të thoshte se në martesën e parë nuk kishte dashuri të vërtetë.

Për muaj me radhë punuam fort për të identifikuar pengesat që frenonin lindjen e një dashurie të re. Dhe kur kjo ndodhi, proceset e brendshme i mori në dorë vetë pacientja: ajo njohu një mashkull, u dashurua me të, dhe u martua përsëri. Mua nuk m’u desh t’i mësoja se si duhej të kërkonte një burrë, të shprehte ndjenjat, të dashurohej pas tij, sepse ajo as që nuk i kishte këto koncepte brenda mendimeve të saj.

Leksion 2 | Shmangni diagnozën

Studentëve të sotëm të psikoterapisë u mësohet se sa e rëndësishme është diagnoza. Sigurimet shëndetësore kërkojnë diagnostikimin e shpejtë të sëmundjeve mendore dhe paracaktojnë fillimin e terapisë sa më të shkurtër. Të kërkosh sa më shpejt prej trapistit diagnostikimin e sëmundjes, vetëm e vetëm sepse sigurimet shëndetësore nuk duan të shpenzojnë për terapitë psikologjike, është sa absurde aq dhe dëshpëruese në kohët e sotme. Megjithëse përcaktimi i diagnozës nuk konsiderohet aspak i pamundur dhe me dy-tri seanca, sidomos kur bëhet fjalë për sëmundje me substrakt biologjik si për shembull: skizofreni, çrregullime bipolare, psikoza afektive, epilepsi, helmime, sëmundje të organeve apo të trurit si pasojë e toksinave, infeksioneve etj, por pikërisht një diagnostikim i shpejtë ndikon kontra- produktiv te pacienti. Përse?

Psikoterapia është një proces i ngadaltë, shumëdimensional gjatë të cilit terapisti fillon të njohë pacientin. Nëse ne paracaktojmë diagnozën, përkufizojmë terapinë vetëm te diagnoza dhe krijojmë një kufi në zbulimin e personalitetit të pacientit. Përkufizimi i pacientit si “kufi” ose “histerik”, bën të mundur përparimin e sëmundjes, ku pacienti me të drejtë humbet shpresën e shërimit.

 

Përgatiti: Reti DUKA | Botuar në Revistën ‘Psikologjia’, Nr. 133

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top