Që në vogëlinë e hershme çdokush prej nesh rritet me frymën e të qenit i pari, me frymën e të mbajturit për vete të meritave dhe, për më tepër, me ndjesinë për të marrë triumfin e diçkaje. Kjo frymë rritet bashkë me ne deri në vitet shkollore, ku nota vetjake është gjëja më e rëndësishme për çdo nxënës apo student. Ata që janë në bankat e shkollës kanë si synim notën e lartë. Në këtë mënyrë egoizmi dhe ambicia rritet në sensin pozitiv. Kjo rrit kategorikisht individualizmin në shpirtin e tyre, në të cilin zhvillohet dhe maratona e madhe e garave mes nxënësve për nota. Kjo frymë individualiste i bën nxënësit të shohin interesat vetjakë, pa u përfshirë dhe pa marrë parasysh punët apo projektet në grup, ku fryma e bashkëpunimit i bën ata më të ndërgjegjësuar e më të rritur për të ardhmen e tyre. Në bazë të studimeve të kryera vitet e fundit vihet re në mënyrë evidente se bashkëpunimi apo puna në grup është shumë më frytdhënëse, më rezultative se puna individualiste. Puna në grup rrit origjinalitetin dhe nxit kreativitetin e gjithsecilit prej anëtarëve të grupit, duke rritur kështu edhe rendimentin e punës së tyre. Fryma e bashkëpunimit rezulton me sukses. Parë në këndvështrimin psiko-social të individit, puna në grup i ndihmon ata për të qenë më të hapur, më të lirshëm, më origjinalë në bazë të bagazhit të inteligjencës që ata kanë. Gjithashtu, puna në grup i bën njerëzit më të qytetëruar, më miqësorë dhe socialë. Fryma individualiste është një nga gjërat e pakta që pengon zhvillimin e bashkëpunimit në të ardhmen, gjë e cila mësohet dhe ‘strehohet’ pikërisht në shkollë e që nuk ndihmon në jetë. Në vitet e fundit një formë e re bashkëpunuese, si projektet, janë futur në ciklet shkollore. Kjo mënyrë e re mësimdhënieje në grup bën të mundur lidhjen e nxënësve, ndërmjetësimit të ideve të tyre, të punëve, të rezultatit si dhe normalisht të notës. Kjo formë e sipërpërmendur është një nga elementet bazë dhe më të rëndësishme të bashkëpunimit në të ardhmen e brezit të ri që po rritet, e që do ndikojë dukshëm e pozitivisht në zhvillimin e shoqërisë sonë shqiptare.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.