“Italianët kanë dëshirë të lajnë enët”, – ky është rezultati i një studimi të quajtur “Terapia e pjatave”, realizuar me një kampion të vogël njerëzish. Lavastovilie (makina larëse e enëve). Vetëm 31 familje nga 100 të përfshira në studim dëshirojnë ta përdorin makinën larëse të enëve. Italianët preferojnë të lajnë enët duke i futur në ujë duart. Krahas punëve të tjera të shtëpisë, larja e enëve është konsideruar prej tyre si puna më pak e bezdisshme… Për këtë, studiuesit kanë gjetur një shpjegim që lidhet me një motiv kulturor: ne e shijojmë dhe e duam ushqimin, e për pasojë çdo gjë që lidhet me të… nga ana tjetër, larja e enëve përjetohet si një moment relaksi, nga përdorimi i ujit të ngrohtë, aromës së mirë të detergjentit, të cilat na mbajnë pastër pajisjet ku ne vendosim ushqimet tona. Në jetën tonë dinamike e me shumë përgjegjësi, bërja e punëve të shtëpisë mund të na duket si gjëja e fundit dhe e pavlerë së cilës mund t’i kushtojmë vëmendje. Jo vetëm që fokusi ynë është drejtuar në gjëra më thelbësore, por bërja e këtyre punëve sot konsiderohet si bezdia më e madhe… Sa sjellim në mend punët e shtëpisë, ndihemi përtacë dhe të pamotivuar. Ndjejmë zili dhe admirim për ato familje që për fat i kanë mundësitë ekonomike të punësojnë dikë që u vjen në ndihmë dhe u pastron shtëpinë. Por, jo të gjithë e mbështesin një këndvështrim të tillë. Jo të gjitha femrat e cilësojnë stresues momentin kur duhet të përveshin mëngët, të mënjanojnë dëfrimet në fundjavë, edhe pse vetëm atëherë kanë më tepër mundësi për takime mes miqsh, por pa shumë mundim i kushtohen plotësisht higjienës shtëpiake. Këtë qëndrim e vërteton një studim i kryer në Mbretërinë e Bashkuar me femra të grupmoshave 18-70 vjeçare, ku vetëm 4% e të anketuarave e cilësojnë bërjen e punëve të shtëpisë si humbje kohe. Është e rëndësishme të theksojmë se cili është këndvështrimi i pjesës tjetër të të anketuarave. Nga ky studim u vu re se femrat e konsideronin momentin e bërjes së punëve të shtëpisë si një terapi. Për 60% të tyre, angazhimi në këto lloj punësh ishte si një mundësi për të kontrolluar jetën, një terapi kundër ankthit dhe se 36% e femrave ndiheshin në stres dhe të tensionuara nëse shikonin shtëpitë e tyre të rrëmujshme. Ta konsiderojmë bërjen e punëve të shtëpisë si një lojë! Supermodelja Helena Christensen ka rrëfyer në një revistë prestigjioze për raportin e saj me punët e shtëpisë. Ajo e vlerëson këtë gjë tek një femër. Për të, punët e shtëpisë janë si një lojë dhe terapi. Helena ka shpjeguar se përmes punëve të shtëpisë ka ndërtuar një marrëdhënie shumë të mirë me djalin e saj 4-vjeçar. Ajo shprehet: “Ne adhurojmë të pastrojmë shtëpinë së bashku. Të pastrosh shtëpinë është mënyra më e mirë për mendjen dhe trupin tonë. Ndjej kënaqësi teksa shoh tim bir me pecetë në dorë duke më imituar se si i marr pluhurat dhe nuk ka gjë më të gëzueshme kur e përgëzoj dhe ai qesh pafund me këtë gjë, e ditë pas dite më merr të luajmë së bashku. Jo me lojërat e tij, por duke pastruar…. Punët shtëpiake ose ndryshe, arti i të bërit sport në kushtet e shtëpisë! Mund të duket e pavërtetë, por falë punëve të shtëpisë ju mund të mbani trupin tuaj në formë dhe në këtë mënyrë ju ndihmoni veten duke reduktuar stresin e përditshëm. Për aq kohë sa ndiheni e tensionuar, të pushtuara nga mendime të mërzitshme dhe muskujt i ndjeni të kontraktuar e të lodhur, mos u mendoni gjatë. Teksa qëndroni në shtëpi, përpiquni të ngriheni nga shtrati apo divani dhe merrni fshesën apo pastroni diçka tjetër. Ju mund të mendoni se qëndrimi shtrirë mund t’ju bëjë të ndiheni më e çlodhur dhe të largoni mendimet e këqija, por angazhimi me punët e shtëpisë është si të merresh me sport dhe të shkarkosh të gjitha energjitë negative.
Duke bërë punët e shtëpisë…
Vëmë në lëvizje të gjithë muskujt tanë, duke u zgjatur për të pastruar dritaret, për të kapur objekte etj.
Punët e shtëpisë mund të krahasohen gjithashtu si një ushtrim kardiovaskular i domosdoshëm.
Pas çdo pune të bërë, jini e vëmendshme ndaj frymëmarrjes suaj, siç ndodh në një sallë gjimnastike.
Merrni frymë dhe nxirreni atë sipas një ritmi të rregullt dhe të qëndrueshëm.
Shpeshtoni veprimet tuaja duke i bërë ato me një ritëm akoma edhe më të shpejtë.
Kujdes, duhet të kemi parasysh që të mos sforcohemi, të mos bëjmë atë që trupi ynë nuk është në gjendje ta përballojë.
BURRAVE
Punët e shtëpisë na ndihmojnë të jemi të pëlqyer nga gratë tona! A mundet që një burrë i vërtetë të merret edhe me punët e shtëpisë? Edhe pse jemi drejt një mijëvjeçari tjetër, studimet dhe realiteti kanë treguar se femrat vazhdojnë të jenë aktive në bërjen e punëve të shtëpisë dhe kjo vjen si rezultat i një mentaliteti botëror në lidhje me raportin që ndërton çifti në familje dhe në ndarjen e përgjegjësive familjare. Një arsye tjetër për mungesën e ndryshimit të sjelljes së partnerëve në shtëpi mund t’i atribuohet stereotipeve mashkullore të servirura prej vitesh në media. A kemi parë ndonjë “terminator” të lajë enët apo një “Xheims Bond” të pastrojë dyshemenë? Në skenarin e një filmi ne shohim gjithnjë meshkuj që hedhin ndërtesa në erë, të ngasin makina me shpejtësi dhe femra që u vijnë nga pas. Është e vërtetë që meshkujt ashtu si edhe femrat janë të aftë për të bërë punët e shtëpisë, por në jetën reale ata zgjedhin që të mos merren me këtë gjë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.