Psikofakt

May 15, 2017 | 11:30

Pushime për të gjithë?

1

Sa herë që vjen vera e nxehtë, sidomos në qytetet ku të përvëlon asfalti, të mbyt djersa dhe të zë pamjen e frymën betoni, njeriu i gëzohet si fëmijë mendimit se do të shkojë së shpejti, vetëm ose familjarisht, buzë detit a liqenit apo diku në malësi për të kaluar një, dy apo tri javë larg djegagurit urban, por me një kusht: të ketë mundësitë financiare për ta realizuar këtë ëndërr, këtë të drejtë të tijën. Fatkeqësisht, të panumërt janë në botë, pra, edhe në Shqipëri, ata njerëz, ato familje, për të cilët e të cilat të shkosh me pushime është një luks që ata e ato nuk mund t’ia ofrojnë vetes.

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Nuk mund t’ia ofrojnë vetes, para së gjithash, sepse vijnë ngushtë nga gjendja ekonomike ngaqë s’kanë punë, ose, edhe kur e kanë atë, rroga e tyre është aq e vogël sa mezi u del të mbyllin muajin pa marrë borxh, dhe nuk po përmendim këtu ata që javën e fundit të muajit ushqehen me “kredi”, d.m.th. “me listë” tek ushqimorja pranë shtëpisë së tyre. Duam, s’duam, varfëria është armiku numër një i pushimeve, sidomos në stinën e nxehtë. Pra, një nga treguesit e mirëqenies së një populli është edhe të ushtruarit e së drejtës për të pushuar jo vetëm në fundjavë, por edhe për një periudhë më të gjatë në një vend klimaterik jashtë krahinës ku banojnë, madje edhe jashtë shtetit. Kur numri i atyre që nuk kanë asnjë mundësi të shkojnë me pushime rritet, kjo tregon se ka pabarazi të theksuar shoqërore. Sidoqoftë, papunësia dhe skamja nuk janë të vetmit faktorë që kushtëzojnë dukurinë me të cilën po merremi. Kështu, ndeshen jo rrallëherë familje me të ardhura modeste, por që e administrojnë me kujdes paranë dhe gjejnë mënyra të pushojnë çdo verë qoftë edhe për një javë, por kur ato kanë në gjirin e tyre një fëmijë, një të rritur apo një të moshuar me handikap psikomotor ose me sëmundje mendore të rëndë, pra dikë që ka nevojë për shërbim e kujdes të vazhdueshëm, mundësia për të shkuar me pushime afatgjata nuk është më aq e madhe dhe kjo për arsye psikologjike të kuptueshme që kanë të bëjnë kryesisht me empatinë, dhembshurinë dhe dashurinë që i lidh ende fort me njëri-tjetrin pjesëtarët e familjeve shqiptare. Në këtë drejtim, jemi të bindur që edhe te familjet me të ardhura të bollshme, por që kanë le të themi një handikapat mendor, një paraplegjik, një hemiplegjik, dikë të paralizuar plotësisht ose një të verbër, vajtja me pushime afatgjata mund të krijojë probleme, madje tensione në marrëdhëniet midis pjesëtarëve kur vjen stina e verës dhe të gjithë dëshirojnë të shkojnë diku me pushime, sepse dikush duhet t’u rrijë te koka personave të sëmurë që nuk janë të aftë për t’i shërbyer vetvetes. Sigurisht, në këtë rast, mund të punësohen një apo dy kujdestare për aq kohë sa zgjasin pushimet e pjesëtarëve, por, gjithsesi, çështja shtrohet nga pikëpamja psikologjike e morale, sepse personi në nevojë, sidomos në moshat e mëdha, mund ta përjetojë dhimbshëm largimin e të vetëve me pushime dhe lënien e tij në duar e një kujdestareje qoftë edhe të njohur, pale më të panjohur.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.111

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top