Më në fund erdhën pushimet. Shumica e prindërve dëshirojnë t’i kalojnë së bashku me fëmijët, pak për t’u çlodhur, pak për t’u argëtuar, si dhe për të mësuar sa më shumë gjëra të reja. Me shumë gjasa gjatë vitit keni kaluar fundjava pa fund me fëmijët, por ata mezi presin të nisen me pushime, për të zbuluar vende të reja, ndërsa prindërit kanë pritur gjithë vitin për të bërë pushimet e merituara me familjen. Në bregdet apo jo, e rëndësishme është të kaloni kohë me njerëzit më të dashur, pa iu përkushtuar punës dhe problemeve të përditshmërisë. Mund të niseni me pushime, pasi më parë të keni marrë në konsideratë një sërë aspektesh, të cilat do t’ua bëjnë ditët të paharrueshme…
Në sezonin e verës dhe me mbarimin e vitit shkollor, te çdo familje shtrohet pyetja: “Ku do t’i kalojmë pushimet? A do të kemi mundësi këtë vit të kalojmë pushime të kënaqshme?”. Duke biseduar mes miqsh dhe shokësh, gjithmonë diskutohet për t’i kaluar pushimet me familjen, për mundësi sa më të kënaqshme për fëmijët, por edhe për vetë prindërit. Është e padiskutueshme pothuajse nga pjesa më e madhe e njerëzve të shkojnë të pushojnë pa fëmijët. Ka shumë arsye për këtë, kryesorja është ekonomike, pasi shumë familje nuk kanë të ardhura të mjaftueshme të përballojnë dy palë pushime; një me fëmijët dhe një të dytë si çift.
Nga vëzhgimet që janë plotësuar prej fëmijëve, është arritur në përfundimin se 64.1% e tyre mendojnë se pushimet me prindërit i mbajnë mend për shumë kohë më pas, ndërsa 53% mendojnë se pushimet shërbejnë për të bashkuar dhe mbajtur lidhur familjen. Le t’i analizojmë sadopak përfitimet e vajtjes me pushime me fëmijët dhe
pushimet si çift. Nga njëra anë pushimet pa fëmijët janë terapi më vete për çiftet, pasi për atë periudhë ata nuk do të kenë mbi kurriz stresin e kujdesit ndaj fëmijëve dhe
përpjekjet për t’i kënaqur ata sa më shumë. Dihet që fëmijët kanë oraret e regjimin e tyre dhe shumica e prindërve i ndjekin me përpikëri ato edhe nëse janë me pushime. Kjo mund të shkaktojë stres te prindërit, të cilët ndihen të kufizuar nga dëshirat e tyre. Gjithashtu, kur çifti niset vetëm me pushime, kjo periudhë u shërben edhe për të rifreskuar marrëdhëniet e tyre, të cilat zakonisht “mbyten” nga rutina e përditshme e jetës, si dhe për të diskutuar të gjitha problemet që u sjell jeta dhe u jep mundësinë të gjejnë rrugëzgjidhje në qetësi.
Megjithëse është e vështirë, këto lloj pushimesh duhen provuar dhe, më pas, vetë prindërit mund të arrijnë në përfundimin nëse ia vlen të përjetohen sërish apo jo. Nga ana tjetër, cilat janë përfitimet e vajtjes me pushime bashkë me fëmijët? Ajo çfarë fëmijët mësojnë, është që rrinë të gjithë bashkë, luajnë, qeshin dhe argëtohen. Kur fëmijët shohin që prindërit e tyre janë qoftë edhe për pak ditë larg telefonatave, bisedave të punës apo edhe detyrimeve të ditës, tek ata përforcohet koncepti që familja është e para dhe mbi çdo gjë. Gjithashtu, duke i kaluar së bashku pushimet, ato shndërrohen në një përvojë, nëpërmjet së cilës fëmijët mësojnë rreth gjeografisë, kulturës së njerëzve në vende të ndryshme. Mësojnë të respektojnë kultura të ndryshme dhe t’i vlerësojnë ato. E gjithë kjo eksperiencë është reale dhe ndryshe nga çfarë fëmijët mësojnë në shkollë apo çfarë ata mundohen të imagjinojnë. Së fundmi, duhet të themi se fëmijët nuk do të mbeten gjithmonë fëmijë. Ata do të rriten dhe shumë shpejt do të vijë një kohë që do të ndjekin rrugën e tyre të jetës.
Duke parë të dyja anët e medaljes, para së cilës shumë prindër hezitojnë, secili analizon sipas mundësive dhe dëshirave që ka. Të dyja opsionet kanë përfitimet e tyre, por për arsyet që thamë më lart shumë nga ne duhet të zgjedhin vetëm një dhe në shumicën e rasteve vajtjen me pushime të gjithë si familje. Sërish themi që s’ka një zgjedhje të “prerë me thikë”, pasi nuk duhet të harrojmë se çdo prind i do fëmijët pranë vetes dhe përpiqen të bëjnë më të mirën për ta, aq shumë sa në shumicën e rasteve harrojnë edhe veten.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.