Marrëdhënie

July 5, 2016 | 7:35

Pushteti e paraja, fuqi sunduese në shoqëri

I është qasur familjes, shoqërisë, realitetit, ku monotonia e lidhjes në çift në më të shumtën e herëve është fatale. Gjithçka ravijëzohet në një shtyllë të rëndësishme në romanin e fundit të saj. “Kukullat nuk kanë atdhe” ‘vishet’ me personazhe nga fusha të ndryshme të jetës, pjesë të të cilit ka bërë edhe veten. Për Flutura Açkën, thelbi qëndron tek metamorfoza që pëson lidhja dhe perceptimet e aktorëve të biodramës së martesës kur kushtet e saj ndryshojnë. “Në roman, romanca e një lidhjeje e ndërtuar marrshëm nga posedimi i ndjenjës, degradon bashkë me transformimin e njeriut prej pushtetit dhe parasë. Atë çfarë dikur e zotëronte ndjenja, tani e blen fare lirë paraja. Kjo është njëra anë, ku monotonia mund ta forcojë atë edhe më shumë dhe ta vërë madje në një provë të fortë ndjenjën dhe romancën që mbështet në të. Mu si ajo vera e vjetër që maturohet, mund të ndodhë me ndjenjën. Siç ka edhe raste të ndërmesta, kur monotonia e kthen lidhjen në forcë zakoni. Ne rrimë me tjetrin edhe ngaqë jemi mësuar dhe nuk rrimë dot pa të, me të mirat dhe të këqijat, nga frika se nuk do të dimë të orientohemi në këtë set të ri të ngjarjeve dhe zhvendosjeve që do të pësojmë po ta ndryshojmë këtë status. Kam përshtypjen se kjo e fundit është sëmundja që i zë më shpesh lidhjet, të paktën ato shqiptare, ku, për shkak të shumë arsyeve, ndjesia e divorcit është më kërcënuese dhe parathotë humbje më të mëdha se gjithçka tjetër në jetën tënde”. Por gratë shqiptare, sipas shkrimtares Açka, janë më të emancipuara në një lidhje, shumë më të përgjegjshme. Në të kundërt, shoqëria do të ishte shpërbërë. Aq e infektuar është nga mungesa e respektit dhe e detyrimeve të një lidhjeje. Flutura thotë se: “Ka një keqkuptim të madh mbi lidhjen, duke ia atribuuar lirisë ‘shthurjen civile’, term që e rimarr shpesh në libër. Liri në një lidhje, do të thotë të vendosësh vetë (diktuar nga ndjenja) kur do ta fillosh atë lidhje, sa do ta zgjasësh dhe kur do t’i japësh fund (mund edhe të vdesësh me atë lidhje, nëse ta dikton ndjenja). Liri në një lidhje nuk do të thotë të bësh çfarë të duash kur je i lidhur: të mbash lidhje paralele (ngaqë qenkërke burrë!), të mbash me dhunë partnerin të lidhur me ty (ngaqë paskërke para!), të hakmerresh heshtur me të njëjtën armë ndaj partnerit (ngaqë ai të tradhtuaka me dikë tjetër!) dhe të bësh sikur. Ne jemi një shoqëri hipokrite në këtë pikë, të paktën deri tani, më së shumti edhe për arsye tradicionale”. ‘Kukullat’, të emërtuara me numërorë, janë metaforë, alegori ndaj këtij imazhi që shoqëria i ka dhënë shpesh gruas shqiptare. Një nga kukullat e romanit jam edhe unë. Jam shkrimtare dhe nuk gjykohem në letërsi, lexuesi e lexon ose jo, e nis dhe e çon deri në fund librin, ose e refuzon, por kurrsesi ta gjykojë nëse është mirë ose keq. Deri tani jo vetëm që nuk e ka refuzuar, por marr çdo ditë mesazhe nga lexues që do të thotë jam në një valë mendimi dhe shqetësimi me ta. ‘Kukullat’ duket sikur dominojnë për shkak të numrit të tyre, por burrat janë po aq të pranishëm. Edhe ata vetë janë të kategorizuar. Ka burra në roman, me të cilët nuk do të doje të ndaje as mendimin se jeni banorë të të njëjtit qytet, por ka edhe burra me të cilët do të binte në dashuri çdo grua. Unë gjykoj atë pjesë të burrave që i nënshtrohet metamorfozës nga pushteti dhe paraja, abuzimi me të qenët superior, me të qenët i fortë, i pasur, dhe në një shoqëri si jona, pushteti e paraja nënkupton fuqi sunduese. Në gjuhën e një shkrimtareje, që e shpërfill etikën kur shkruan, duket sikur sulmi është më i fuqishëm. Kjo është gjuha e së vërtetës. Kujt nuk i pëlqen, kush nuk dëshiron të përballet me të vërtetën e vet dhe të vërtetën e asaj që na rrethon, le të lexojë letërsi bulevardi ose të shohë telenovela”.

Sipas Fluturës…

Fatlumësisht është kështu dhe duhet të jetë kështu. Unë e di se si mund të isha më e mirë, edhe për partnerin tim, edhe për familjen time. Por unë jam ashtu siç jam, me të mirat dhe të këqijat e mia, të cilat im shoq i ka pranuar siç janë, pa përpjekjen më të vogël t’i ndryshojë, sa kohë unë jam e vërtetë. Ne nuk e duam tjetrin të ndërtuar siç do të donim ne, por e duam sepse është ashtu siç është, sepse kemi rënë në dashuri me të, jo me imazhin tonë të projektuar për të. Vetëm kështu, ajo që mund të quhet krizë e lidhjes, mund të kapërcehet; nëse nuk kapërcehet, do të thotë se lidhjes i ka ardhur fundi. Pas 15 vitesh bashkëjetesë me tim shoq, ende e pranoj si një lidhje të qëndrueshme. Mund të shkasë pa e kuptuar në një forcë zakoni, por, këtë nuk e di, hë për hë e ndjej si një lidhje të rëndësishme dhe serioze, e cila i ka dhënë shumë jetës sime prej gruaje dhe shkrimtareje.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.71

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top