Jo vetëm tek ne, “të mëdhenjtë” dhe bëmat e tyre tërheqin vëmendjen e mediave dhe publikut… Aktorja hollivudiane, Hilary Duff është filmuar duke puthur në buzë djalin e saj 4 vjeç. Ky veprim (kjo mënyrë puthjeje te fëmijët) edhe pse origjinën e ka më të hershme, ka ngjallur më shumë se kuriozitet, sidomos pas reagimit të aktores.
Që kur jam përballur me këtë lloj praktike, për mua të çuditshme dhe krejt pa sens, madje edhe me pasoja, kam thënë: “A nuk kanë mënyrë tjetër këta njerëz për të shprehur dashurinë për të voglin e tyre?” Pa folur për masën e dashurisë së prindit, as për ndërgjegjësimin e tij për këtë veprim që bën, fëmija 2, 3, 4, 5 vjeç, a është i ndërgjegjshëm për këtë lloj puthjeje? Më konkretisht si e përjeton fëmija këtë puthje?
M’u kujtua njëri prej trinjakëve, i cili vazhdimisht kërkonte të më puthte dhe kur unë i afroja faqen, ai ashtu, me ato llastimet e tij prej fëmije të ëmbël dhe me nevoja sensorike (ndjeshmëri të lartë të të prekurit) tentonte të më puthte te buzët edhe pse disa herë i kisha thënë se, puthja bëhet vetëm në faqe. Këtë gjë tentonte ta bënte sa herë donte të më puthte derisa i thashë: “Nuk do shkëmbejmë më puthje”.
Bisedova me terapisten tjetër që punonte me të dhe më tha të njëjtën gjë. Pastaj bisedova me prindin, nënën e tij dhe ashtu siç edhe e mendoja, ajo i puthte fëmijët në buzë. Më tha gjithashtu, që i porosiste gjithnjë fëmijët e saj, që përveç mamit dhe babit nuk duhet të lejojnë askënd tjetër t’i puthte në buzë. Gjithashtu, edhe fëmijët përveç prindërve, askënd tjetër nuk duhet të puthnin në buzë.
Imagjinoni se si e sa një fëmije tre vjeç, që është në spektrin e autizmit do të mund të jetë i kujdesshëm dhe i vetëdijshëm për të tilla porosira apo për të tilla veprime?!
• Është e thjeshtë të kuptohet se, padashur, vetë së pari krijojmë një çoroditje te fëmija dhe së dyti, edhe një shteg për abuzime, sidomos ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara, të cilët për vetë moshën dhe sidomos për mungesën e aftësive për të dalluar rreziqet e çfarëdolloji, nuk arrijnë të bëjnë dallimin e veprimeve apo sjelljeve të të tjerëve ndaj tyre, ose të sjelljeve të tyre ndaj të tjerëve. Konkretisht, nuk arrijnë të kuptojnë se pse duhet ta puthë mamin në buzë dhe Verën jo.
• Një tjetër argument, që duhet patur në konsideratë për këto lloj puthjesh, është shëndeti i femijës, infektimi me mikrobe dhe viruse të ndryshme, që i madhi (prindi) mund të ketë.
Për të gjitha sa thashë, puthja e fëmijës në buzë është puthja më pa sens dhe krejt pa shpjegim. Aq sa kuptoj unë, dashuria e nënës, babait e gjyshërve, apo të tjerë të afërmve ndaj fëmijës së çfarëdo moshe ka vetëm një mënyrë përkujdesje dhe përqafime të ngrohta.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.