Festat ngjallin atmosferë qetësuese, gëzuese, duke sjellë me vete një klimë lehtësuese dhe një gjendje shpirtërore. Gjatë kohës së tyre na vijnë ndër mend momente nga e kaluara, zakonisht fëmijërore, kur shqetësimet dhe mendimet nuk ishin të rënda, por të gjalla dhe lojcake. Ndërsa po mendoja rreth kësaj fjalie gjatë punës sime me fëmijët, një vajzë e vogël më erdhi pranë dhe më pyeti: “Çfarë jeni duke menduar?”. – Unë iu përgjigja: “Thjesht për festat që po afrohen”. Në përgjigjen e saj gjendej gjithë fryma që unë po përpiqesha të përmblidhja: “Mua më pëlqejnë shumë Krishtlindjet, sepse e kalojmë familjarisht dhe jemi të lumtur, vijnë kushërinjtë e gjyshërit dhe luajmë të gjithë së bashku. Jam shumë me fat, pasi marr shumë dhurata”. Edhe më mahnitëse, aq sa dhe e pafajshme, qe përgjigjja e saj kur e pyeta se çfarë dëshironte nga këto Krishtlindje: “Do të doja që të gjithë fëmijët, edhe ata më pak fatlumët, të mund të jetonin atë që unë jetoj”.
Nga fjalët e asaj vajze të vogël, m’u kujtua që edhe mua, kur isha fëmijë, festat e çdo natyre apo feje t’i përkisnin, më transmetonin shumë gëzim. Ndihesha krenare që jetoja në një vend ku tre fe bashkëjetojnë shumë mirë njëra me tjetrën dhe dallimet midis tyre nuk janë të dukshme. Edhe për myslimanët, periudha e Krishtlindjes është një moment i rëndësishëm dhe ndajnë vizita e urime mes miqve. Respekti që këto fe mbartin për njëra-tjetrën paraqisnin tregimin e një
miqësie të sinqertë, e cila është e vështirë për t’u gjetur në vendet e tjera. Është një ndjenjë e pastër, të cilën e mbart dhe e provon edhe në moshë madhore, që ende më bën të jem krenare.
Ndërsa përshkon rrugët e qytetit, ndihet fryma e lumturisë, gëzimit ndoshta dhe e qetësisë. Në këtë atmosferë magjepsëse edhe ngjyrat ndryshojnë, duke transmetuar gëzim: preferohen ngjyrat e ndezura, si e kuqja, jeshilja dhe portokallia. Rrugët janë plot me drita shumëngjyrëshe dhe njerëz. Është një gjë e çuditshme. Diçka që nuk shihet, që nuk preket, por e ndien në ajër si një fllad i lehtë që sjell me vete shumë gëzim dhe paqe të brendshme. Në shumicën e rasteve, festat paraqesin gëzim dhe mezi pritet ardhja e atyre ditëve. Rreth fëmijëve kemi folur më sipër, ndërsa për nxënësit e shkollave të mesme dhe adoleshentët është një mundësi për t’u shkëputur nga shkolla dhe të jetojnë përvoja kuptimplota me familjen apo me miqtë, sidomos për Vitin e Ri.
Nga kjo pikëpamje, mosha më e pafavorshme është ajo e të rriturve, e cila bëhet gjithnjë e më e paaftë për t’i jetuar festat me mendjelehtësi, duke i kthyer në diçka që duhet të bëjnë për të tjerët; sepse duhet bërë, pasi e kërkon tradita dhe jo si diçka që na bën më aktivë, sepse na gëzon. Të bësh diçka për të tjerët, për gëzimin e momentit, mund të jetë diçka e bukur, por jo mjaftueshëm, aq sa për të mbajtur sa më lart motivimin tonë. Kjo s’do të thotë se nuk është e rëndësishme t’i marrim në konsideratë të tjerët, veçanërisht nëse ata janë fëmijët tanë. Le te studiojmë ose të mendojmë me ta, nëse ata tashmë janë të rritur në mënyra të ndryshme, për ta mbajtur të gjallë magjinë që ndihet në këto momente, pritshmëritë dhe aspiratat e tyre lidhur me dëshirën për të parë, por sidomos “ndier” një familje të bashkuar. Për ta bërë këtë duhet të jeni origjinalë dhe aktivë. Gjithashtu mund të jetë argëtuese dhe krijuese. Duam apo jo, festat e fundvitit janë pjesërisht “festa familjare”.
Si mund t’i përmirësojmë? Para së gjithash, le tëpërpiqemi ta dëgjojmë veten sa më shumë të jetë e mundur. Siç e kemi përmendur më lart, ne nuk duhet të tradhtojmë asnjëherë pritshmëritë e fëmijëve tanë. Por si duhet të veprojmë në momentin kur ne nuk e “ndiejmë”, përveçse si një kujtim, gjithë këtë pozitivitet? Në të vërtetë, në shumë raste, Krishtlindjet dhe festa e fundvitit, si dhe çdo festë tjetër e rëndësishme, na krijojnë gjendje ankthi. Së pari, është e rëndësishme që të mbaheni aktivë, duke qëndruar sa më larg stresit. Le t’i planifikojmë paraprakisht festat, duke u kushtuar vëmendje nevojave të gjithsecilit, por pa u anuluar për të tjerët. Të ndjerit aktivë dhe proaktivë ndihmon në rritjen e optimizmit. Përdorni pushimet edhe për të bërë gjëra që normalisht është e vështirë t’i bëni të gjithë së bashku, si shikimi i një filmi, kalimi i një pasditeje jashtë. Në qoftë se fëmijët tuaj nuk arrijnë të heqin dorë nga videogames, luani me to.
Është me rëndësi të themi disa fjalë dhe për realitetin e familjeve të divorcuara, që gjatë festave përjetojnë gjithmonë vështirësi me ndarjen. Mos harroni se fëmijët tuaj, sidomos në këto ditë, kanë dëshirë t’ju shikojnë të bashkuar. Kështu që, nëse mëritë nuk janë aq të theksuara, mundohuni të kaloni të paktën një ditë të gjithë së bashku, edhe në qoftë se familja është e zgjeruar me fëmijë nga prindër të ndryshëm. Ajo që duhet shmangur është lufta mes të divorcuarve, se te cili prind fëmijët duhet të kalojnë festat, madje edhe aq më keq për luftën se cili prej tyre bën dhuratën më të bukur. Të paktën për atë vendosni së bashku.
Nëse jeni vetëm, organizohuni me një grup të përshtatshëm dhe të gatshëm për të ndarë momente shpesh të papritura. Me siguri do të lumturoni dikë që është gati t’ju mirëpresë. Mos kini frikë nga e kundërta. Në rast se jeni shumë të ankthuar, zgjidhni të niseni në atë ditë kur fillon festa, të shoqëruar nga një mik. Shumë qytete ofrojnë gjatë pushimeve një kalendar të plotë dhe të pasur me evenimente si: ekspozita, shfaqje, koncerte dhe ngjarje të tjera kulturore. Diçka ndryshe nga kalimi i orëve të tejzgjatura para televizorit, mund të jenë gjithashtu dhe frekuentimi në ujëra termale që ofrojnë një ditë ndryshe, por që ju dhuron një relaks të plotë. Shfrytëzojini festat për të pushuar, në qoftë se keni kaluar natën nëpër diskoteka ose gjatë ditës keni qenë tepër aktivë. Zgjohuni me ngadalë dhe shijojeni ditën. Edhe po nuk patët mundësi për të udhëtuar, është shumë e dobishme përgatitja e një ekskursioni jashtë qytetit, me familjen apo me ata që ju keni dëshirë. Nuk ka asnjë rregull të veçantë, vlen ajo që kemi thënë më lart mbi moshat e ndryshme.
Festat janë të bukura, pasi na mbledhin të gjithëve së bashku, pa dallim feje, race apo prejardhjeje. Çdo festë, fetare apo jo, është festë dhe na përket neve. Jetojeni me gëzim dhe harmoni, duke lënë mënjanë çdo gjë tjetër. Në fund të fundit, është dashuria ajo që i jepkuptim jetës sonë dhe secili mund t’i japë formën që dëshiron. Mos i humbisni këto mundësi. Janë mënyra të vlefshme për të bërë diçka “të denjë” së bashku.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.