Republika e Qipros është shteti i ndodhur në ishullin me të njëjtin emër në Detin Mesdhe, 113 kilometra në jug të Turqisë dhe 120 kilometra në perëndim të bregdetit të Sirisë. Vendi ka dy gjuhë zyrtare: greke dhe turke. Ishulli i Qipros tradicionalisht njihet si vendlindja e perëndeshës së lashtë të dashurisë, Afërdita.
Historia
Historia moderne e Qipros, në të kundërt, është dominuar nga armiqësia midis banorëve të saj grekë e turq. Qiproja është ndarë që në vitin 1974, kur Turqia pushtoi veriun e ishullit si kundërpërgjigje ndaj një grushti ushtarak që u mbështet nga qeveria e Athinës. Pushtimi turk praktikisht e ndau ishullin në dy pjesë, një e treta veriore e banuar nga qipriotët turq dhe dy të tretat jugore nga qipriotët grekë. Një “Vijë e gjelbër”, që ndan të dy pjesët nga Morphou nëpër Nikosia në Famagusta, patrullohet nga trupa të OKB-së. Në vitin 1983, pjesa turke e shpalli veten Republika Turke e Qipros Veriore. Ajo njihet vetëm nga Turqia. Perspektiva e zgjerimit të BE-së i bëri ata të kërkojnë një zgjidhje për ribashkimin e ishullit. Që nga viti 2002 janë zhvilluar bisedime me ndërmjetësinë e OKB-së. Në veri dhe në jug, Qipro pret çdo vit miliona turistë elitarë që nuk u dridhet dora për shishet e birrës, vodkës, verërave apo shopping-ut. Një vijë bregdetare e gjatë 648 km, në përgjithësi e thatë dhe me burime të pakta uji të pijshëm, ku bien në sy depozitat uniforme të bardha mbi ndërtesat jo shumë të larta, po edhe të bardha më së shumti. Turistët në Qipro nuk u tremben as temperaturave të larta, të cilat në muajin gusht arrijnë deri në 46 gradë celsius. Peizazhet e thata ndërpriten nga resorte ndërkombëtare pushuesish. Kodrinat e fshatrave me ullinj popullohen gjithashtu nga turistë britanikë në shumicën e rasteve, të joshur nga liria e dëfrimit në Qipro, një ish-koloni e tyre. Pjesa tjetër e turistëve janë familjet ruse, të rinj gjermane, grekë dhe nga vende të tjera të Europës
Perëndimore, Afrikës Veriore dhe Lindjes së Mesme. Në sektorin e shërbimeve dominojnë punëtoret filipinase, indiane dhe afrikane. Ky rajon karakterizohet nga një prej grupeve më të mëdha të kishave dhe manastireve të ish-Perandorisë Bizantine. Komplekset e 10 monumenteve të përfshira në Listën e Trashëgimisë Botërore, të gjitha dekoruar me murale, japin një pasqyrë të pikturës bizantine dhe post-bizantine në Qipro. Ato shkojnë nga kishat e vogla rurale të stilit arkitektonik, i cili është në kontrast të zymtë për dekorimin e tyre tepër të rafinuar, të manastireve të tilla si ai i Shën Gjon Lampadistis. Që prej tridhjetë vitesh, Famagusta, përgjatë brigjeve lindore të Qipros, është rrethuar nga një mur gri e tela me gjemba, si dhe ruhet nga ushtarë. Nuk ka turizëm dhe as
vende në të cilat mund të pushosh. Skafet e policisë turke e ndalojnë lundrimin për disa kilometra vijë bregdetare. Madje është e ndaluar të fotografosh edhe murin që ndan qytetin nga pjesa tjetër e botës. Ndërmjet ndërtesave dhe tek të çarat e asfaltit kanë mbirë pemë qitroje, palma e fiq deti, ndërsa në bregdet, ndërmjet çadrave të shkulura nga era, breshkat enden në qetësi të plotë. Famagusta njëherë e një kohë ka qenë qendra tregtare e Qipros dhe Lindjes së Mesme, por tashmë është bërë fantazma e vetvetes. Pas dështimit të përfshirjes në listën e ndërtesave historike që ishin për restaurim, një vit më parë u vendos që një nga objektet historike si ajo e “Anotera”-s, në Limasol të Qipros, të prishej. Ndërtesa ka qenë një pikë referimi në fushëbetejat gjatë pushtimit turk në Qipro në vitin 1974. Kryetari i komunës në Limasol ka theksuar se ndërtesa mbart një histori më vetë të ngjarjeve të ndodhura gjatë 40 viteve të fundit dhe se ajo duhej të ishte marrë në konsideratë për t’u përfshirë në listën e ndërtesave historike që duheshin restauruar.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.