Dihet që në Danimarkë lëvizjet me biçikletë janë shumë të përhapura dhe që është normale të shohësh shumë çiklistë në qytet. Tani një studim i ri ka konfirmuar që së fundmi, në Kopenhagen, numri i biçikletave e ka kaluar atë të makinave.
Kryeqyteti i Danimarkës për dhjetëra vjet i ka regjistruar manualisht numrin e biçikletave, por tani njëzet sensorë elektronikë të vendosur në metropol mund të dallojnë numrin e saktë të tyre.
Numri total i biçikletave në qarkullim në vitin e fundit në Kopenhagen është i barabartë me më shumë se 265 mijë njësi, numër që i kalon 252 mijë makinat që lëvizin nëpër qytet.
Sensori i parë që numëron biçikletat u instalua në Kopenhagen në vitin 2009. Sipas vlerësimit të danezëve, në njëzet vitet e fundit përdorimi i biçikletave është rritur me 68%. Arsyeja për këtë sukses kaq të madh është shumë e thjeshtë. Që prej vitit 2005 qeveria ka investuar 143 milion euro për të mbështetur ecjen me biçikletë në qytet dhe për të inkurajuar qytetarët të zgjedhin gjjithmonë biçikletën si mjet transporti të përditshëm. U krijua rrugë për biçikletat, të cilat lehtësojnë lëvizjen e tyre dhe garantojnë siguri, duke ulur numrin e aksidenteve.
Në Kopenhagen, trafiku i biçikletave është shtuar rreth 15% vitin e fundit, ndërkohë që ai i makinave ka pësuar një rënie rreth 1%.
Sipas kryebashkiakut, brenda vitit 2025, të paktën 50% e popullsisë do të lëvizë me biçikletë në qytet. Që tani 41% e lëvizjeve bëhet me këtë mjet, ndaj për ta rritur këtë përqindje nuk do të jetë edhe aq e vështirë.
Ndërkohë, në Shqipëri, kjo është një kulturë që është shumë larg modelit perëndimor. Ja se pse kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, në të gjitha daljet e tij publike bën thirrje për përdorimin masiv të biçikletave, pikërisht për të shmangur ngarkesën rutinë që vjen trafiku i makinave. Dy vitet e fundit, edhe në Tiranë ka një tendencë për ta ndryshuar këtë situatë, edhe pse sinjalistika dhe urbanistika e qytetit nuk e ofrojnë ende sigurinë për të ecur me biçikletë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.