Në fokus

July 2, 2016 | 11:13

Ralf Gjoni: Jam gjithë kohës online

Teknologjia moderne assesi nuk mund të të përjashtojë nga kontakti i vazhdueshëm me një aparat të lëvizshëm, i cili të ndihmon në gjithfarë situatash komunikimi dhe kërkimi konsultativ në rrjet. Andaj në pozicionin ku gjendet, ai rend të jetë aktiv dhe të japë informacion për çdo aktivitet të partisë që përfaqëson. Qëndron në paradhomën e kreut të LSI, është kryesori sa i takon lidhjeve me ndërkombëtarët, por është dhe po aq ‘alert’ kundrejt njoftimeve ndaj medias. Ralf Gjoni me një jetëshkrim të pasur në formimin e tij akademik, na rrëfen për atë trend të kohëve moderne, siç është komunikimi virtual.

Të qenit online, sa ju vlen dhe sa ju dëmton?

Jetojmë në një epokë ku komunikimi zhvillohet në kohë reale përmes pajisjeve elektronike mobile, të cilat na janë kthyer në një domosdoshmëri ditore. Në pozicionin tim politik, mobiliteti i informimit dhe komunikimit është një luks i jashtëzakonshëm, por edhe një ngarkesë e paparashikuar. Personalisht jam përdorues i një iPhone, një mini iPad dhe një laptop në zyrë. Të tre janë të ndërlidhur për sa i përket e-mail-it, kontakteve dhe rrjeteve sociale si Twitter apo Facebook. Për shkak të udhëtimeve të shumta jashtë Tiranës dhe sidomos jashtë Shqipërisë, iPhone dhe iPad më mundësojnë konsultimin e mediave, komunikimin e shpejtë përmes e-mail-it dhe përçimin e mesazhit mediatik, qoftë fotografi apo video të një aktiviteti politik. Më ndodh shpesh që vizitat e z. Meta jashtë Shqipërisë pasqyrohen shumë shpejt në Shqipëri, falë përdorimit të këtyre aparateve elektronike.

Cilat janë lehtësirat e të qenit i update-uar?

Efikasitet në punë dhe informim i shpejtë. Çdo informacion, qarkullon shumë më shpejt përmes internetit dhe kjo më jep kohë përsa i përket sasisë së punës që mund të realizoj. Ka edhe një vlerë pozitive, që lidhet me një kosto shumë herë më të ulët të komunikimit se sa po të shkëmbenim informacion vetëm përmes telefonit. Sot nëse ke një iPhone dhe internet wireless, mund të flasësh në telefon përmes Viber apo WhatsApp, mund të dërgosh sms përmes programeve të shumta, mund të dërgosh email, foto, video, dhe të gjitha këto falas.

Komunikimi virtual e largon njeriun nga realiteti i prekshëm?

Nëse kthehesh në skllav të teknologjisë, patjetër që po. Nëse nuk ushtron vetëkontroll, atëherë patjetër që mund të kthehesh në robot elektronik. Do të thosha se rreziku i brezit të ri të lindur “online”, është që të shndërrohen në qenie antisociale dhe me probleme të mëdha komunikimi “live”, sepse ky brez nuk e ka njohur letrën apo penën, as mprehjen e fjalorit letrar, njeh vetëm prekjen e ekranit elektronik dhe fjalitë me shkurtime fjalësh. Mendoj se menaxhimi i jetës elektronike përmes aftësive filtruese dhe gjetja e ekuilibrit mes komunikimit virtual dhe atij real, është çelësi i shndërrimit të teknologjisë në një vegël e dobishme në shërbim të punës dhe komunikimit të ‘prekshëm’ mes njerëzve, duke mos e lejuar atë të të prishë harmoninë e rrethit të ngushtë miqësor apo familjar. Personalisht them se e kam gjetur zgjidhjen. E kthej telefonin në ‘silent’, sepse sot mjafton një prekje butoni, të vendosësh cilësinë e jetës që do…

Botuar në revistën Psikologji, nr.71

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top