Më pak martesa dhe shumë më shumë divorce. Ndaj edhe përtej çdo pritshmërie për të kundërtën, mund të thuhet pa më të voglin ngurrim se viti që lamë pas nuk ka qenë “viti i altarit”, por “viti i gjykatave”.
Më shumë se 5500 çifte i janë drejtuar dyerve të gjyqësorit me kërkesë për zgjidhje martese. Treguesit janë bërë publikë dje nga INSTAT-i. Raporti vëren se në 2016-n numri i martesave ka ardhur në zbritje, krahasuar kjo me një vit më parë.
Por ndërsa martesa është një zgjedhje e lirë, divorcet mbeten gjithnjë alternativa e fundit që mbyll çdo shteg për zgjidhje tjetër. Shifrat për këtë të fundit janë cilësuar drastike. Kjo ia rrit edhe më tepër përmasat fenomenit.
“Në vitin 2016, krahasuar me vitin 2015, koeficienti bruto i martesave ka pësuar rënie, respektivisht me 7.8 nga 8.7 martesa për 1.000 banorë. Divorcet kanë pësuar rritje drastike nga viti 2001 në vitin 2016, përkatë- sisht nga 9.6 në 24.7 divorce për 100 martesa. Viti 2016 shënon vlerën më të lartë të divorceve ndër vite, përkatë- sisht 5.582 divorce”, nënvizohet në raport.
Ajo që nuk ka ndryshuar është mosha e martesës. Sot, mesatarisht, një burrë martohet në moshën 30.4 vjeç dhe një grua në moshën 25.1 vjeç. Por çfarë ka ndodhur me popullsinë, papunësinë dhe punësimin?
POPULLSIA
Ndonëse në shifra modeste, rritja e popullsisë nuk ishte parë që nga viti 2001, ndaj edhe treguesit janë lexuar si pozitivë. Kështu, krahasuar me një vit më parë, popullsia u rrit me 1 mijë banorë. “Më 1 janar 2017, popullsia banuese e Shqipërisë përllogaritet 2.876.591 banorë, krahasuar me 2.875.592 që ishte më 1 janar 2016”. Gjatë vitit 2016 kanë lindur rreth 32 mijë foshnje, ndërsa kanë vdekur rreth 21 mijë persona. Nga ana tjetër, edhe emigrimi është tkurrur, duke frenuar deri diku valën e eksodit që kishte përfshirë vendin, përkatësisht nga 41 mijë në rreth 33 mijë.
PAPUNËSIA
Sa herë kur debati është fokusuar mbi punësimin dhe papunësinë, shifrat e prezantuara hera-herës kanë qenë edhe kontradiktore. Por, sipas raportit të fundit të Institutit të Statistikave, papunësia ka njohur rënie përgjatë vitit të kaluar. “Shkalla e papunësisë në 2016-n për popullsinë e grupmoshës 15 vjeç e lart arriti në 15.2 % duke shënuar një ulje me 1,9 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë për popullsinë e grupmoshës 30-64 vjeç, niveli është ulur në 11.8 % nga 12.5 % që ishte në vitin 2015”. Në vitin 2016, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 55.9 %. Në nivel vendi, sektori bujqësor dhe sektori i shërbimeve kanë përqindjen më të lartë të të punësuarve. Sa u takon treguesve në ekonomi, për 2015 është konfirmuar rritja me 2.23%.
“Eksporti i mallrave dhe shërbimeve është rritur në terma realë me 0.97 %, kurse importi i mallrave dhe shërbimeve ka rënë me 2.88 %, krahasuar me vitin 2014. PBB për frymë në vitin 2015 arriti në 496 mijë lekë”, theksohet më tej në raport./Panorama
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.