Në shkencën e shëndetit mendor frika nga plakja njihet me emrin gerontofobia, prej së cilës preken gjerësisht në botë njerëz të shtresave të ndryshme sociale, ekonomike dhe intelektuale. Termi gerontofobi ka dy kuptime të veçanta, por të ngjashme për nga fakti se çfarë ndiejmë. E para lidhet me frikën e pazakontë ndaj plakjes dhe e dyta është frika nga njerëzit e moshës së tretë.
Përse njerëzit preken nga fobia e plakjes?
Arsyeja pse njerëzit mund të preken nga kjo fobi është shpesh e lidhur me diskriminimin që u bëhet njerëzve që hyjnë në moshën e tretë. Të rinjtë mendojnë se nuk kuptohen me më të vjetrit dhe i frikësohen kontaktit me ta. Brezi i ri mendon se nuk ka asnjë gjë të përbashkët me të moshuarit dhe moskontakti i përgjithshëm me brezin e vjetër mund të kthehet në frikë dhe “urrejtje” ndaj tyre. Kjo ndjesi urrejtjeje shpjegohet me lindjen e frikës nga plakja tek disa njerëz, edhe pse mund të jenë shumë të rinj. Nga ana tjetër të moshuarit mund të besojnë se njerëzit, dhe kryesisht të rinjtë, kanë çdo gjë, ndërkohë që atyre u ka mbetur pak për të realizuar deri në fund të jetës. Diskriminimi i pavetëdijshëm që bëjnë të rinjtë sjell ndjesinë e vetmisë që të çon në frikë. Kjo frikë e paekspozuar qartë në disa raste është një fobi në lidhje me procesin e tyre të plakjes.
Disa shenja të gerontofobisë
Ken Dychtwald ka identifikuar shtatë shenja, të cilat konsiderohen si të vërteta si tek ata që i frikëson plakja dhe mosha e tretë, por edhe për të moshuarit që i frikësohen pleqërisë. Nëse rinia është e bukur, pleqëria është e dhimbshme. Nëse i riu ka gjithçka, pleqëria po humbet dita-ditës mundësitë e mëparshme. Nëse i riu është krijues, i vjetri shihet si një “kukull”. Nëse i riu është i bukur, i vjetri nuk është më tërheqës. Nëse i riu është stimulues dhe plot energji, i vjetri bëhet i pafuqishëm. Nëse të rinjtë janë plot pasion, të vjetrit kanë nevojë për kujdes. Nëse të rinjtë përfaqësojnë të ardhmen, të vjetrit përfaqësojnë të shkuarën.
Qeniet njerëzore kanë qenë “anti” plakjes që në kohët e lashta
Nëse kthehemi pas në histori, që në kohët e lashta kanë ekzistuar produktet antiplakje, të cilat janë me vlerë edhe ditët e sotme të civilizimit. Nevoja për të jetuar dhe për t’u ndjerë të rinj e plot energji ka ekzistuar që në kohët e mbretërve të Egjiptit. Përmes ritualeve e praktikave të ndryshme, mbretëresha Kleopatra ka përdorur teknika për të mbajtur në formë fytyrën, trupin dhe mendjen. Mjafton dëshira dhe motivimi për të larguar ndjesinë e plakjes.
Mendoni pozitivisht
Një qëndrim negativ ndaj jetës kur i afrohemi moshës së tretë shkakton një ankth të panevojshëm. Ne jemi të pafuqishëm për ta ndalur këtë proces, kështu që nuk duhet të dorëzohemi duke menduar se të moshuarit ndihen më të pavlerë e të parespektuar. Ta lëmë të lirë veten e të pranojmë të gjitha stadet e jetës me optimizëm. Praktikimi i jogës dhe meditimit janë të efektshme për zhvillimin shpirtëror dhe na ndihmojnë të shtendosim veten fizikisht.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.