Në fokus

April 26, 2016 | 7:34

Raporti me origjinën/ “Më vjen turp nga origjina ime”

Shmangin të flasin për familjen e tyre. Skuqen nëse dikush i pyet për prindërit. U tremben fantazmave të së shkuarës. Nga vjen ky siklet? Shqyrtime dhe sugjerime…

“Për fat jam i ndryshëm nga ti… nuk kemi asgjë të përbashkët… Është më mirë që ti të heshtësh, kur janë miqtë e mi sepse më vë në siklet…” Fraza të ashpra që prindërit e adoleshentëve i  dëgjojnë të përsëriten shpesh. “Refuzimi i origjinës është një etapë e rëndësishme në formimin e personalitetit”, shpjegon Francesko Belo, psikoanalist në Torino. “Kjo lejon distancimin nga familja, duke sjellë autonominë e njeriut e duke zhvilluar vlerat individuale. Problemi është kur kjo sjellje manifestohet edhe në moshë të rritur. Ja tri pika që duhen marrë në konsideratë…

Nevojë për mirënjohje

“Shkoja në shkollën e murgeshave, ku të gjitha kishin një familje të përkryer dhe, së paku në dukje, të lumtur. Të mitë, përkundrazi ziheshin shpesh dhe kur unë u bëra 14 vjeç u ndanë. Më besuan te gjyshja dhe për një kohë të gjatë nuk u interesuan për mua. Shoqet nuk talleshin me mua haptas, por vështrimi i tyre mbi mua ishte i ndryshëm…- kujton Ada 34 vjeç. – Tani raporti ynë është përmirësuar disi, por mua vazhdon të më vijë turp nga prindërit e mi”. Francesko Belo komenton: “Arsyeja e këtij sikleti mund të jetë te mospërputhja mes diktatit shoqëror të mjedisit (shkolla katolike) dhe stilit të jetës së familjes (ndarja dhe braktisja), që ka provokuar një konflikt të brendshëm”. Nevoja për mirënjohje e Adës nuk është përmbushur dhe raporti i saj me të tjerët është karakterizuar nga frika për të treguar se kush është.

Mungesë identiteti

“Gjithnjë kam dashur ta fsheh origjinën e ulët të prindërve të mi”, tregon Ugo, 40 vjeç, drejtor marketingu në një firmë. “Ia kam dalë vetë në jetë dhe gjithnjë jam ndjerë larg botës që i përkas… Im atë nuk di as të ndezë kompjuterin”. Në të vërtetë, Ugo nuk i përket as edhe vetes. “Është pre e pasigurive të tij”, arsyeton Roberta Cacioppo, psikoterapeute në Milano. “Nuk ka një identitet të përcaktuar mirë”. Paradoksalisht një njeri që mendon kësisoj, pavarësisht arritjeve individuale, është akoma i lidhur dhe i varur nga nëna dhe babi, aq sa nuk arrin të krijojë me ta një raport autentik, preferon t’i fshehë ose kritikojë”…

Zanafilla në fëmijëri

Turpi nga zanafilla është si një mace që kafshon bishtin. “Çdo lloj ndjesie sikleti zhvillohet në fëmijërinë e hershme, duke nisur nga gjashtë muajsh, kur lind procesi i diferencimit nga nëna”, – thotë Cacioppo. “Nëse shkëputja nuk vjen në mënyrë harmonike, zbulimi që nuk je “gjithçka” për prindin gjeneron shkarkimin e vetëvlerësimit”. Mandej me t’u rritur fillon të paguash faturat e vuajtjes..

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top