Marrëdhënie

May 4, 2016 | 7:32

Raporti tragjik mes dy grave/ Një histori e vërtetë e rrëfyer në Gjykatën e Tiranës

“Ç’është kjo papastërti?” – Sadija hapi derën e apartamentit dhe ndjeu gjakun t’i hipte në kokë. E tmerrshme, vinte era peshk. Dhe plaka s’mund ta duronte dot. Për më tepër, peshkun e kish blerë Majlinda dhe do ta përgatiste për drekë. Ja një arsye e fortë që peshku dhe era e tij të shndërrohen në një shkak serioz për një sherr edhe më serioz. Përfundimisht, nuse e vjehrrë përfunduan në dyert e gjykatës. “…Ajo m’u kthye me të shara, me fyerje, me kërcënime… më rrahu…”, – thotë vjehrra para gjykatësve. Nuk duron më, për më tepër që ajo s’kish bërë asgjë, veçse shumë qetësisht, pasi pat hyrë në shtëpi, kish thënë: “Ç’është kjo papastërti!”. Tashmë Sadija, e lodhur nga konflikti i gjatë, dëshiron që situata të zgjidhet… ndaj padit nusen në gjykatë. “Jo… unë nuk e kam rrahur. – Është radha e Majlindës për të folur. – Grindjet midis nesh vijnë për shkak të sipërfaqes së vogël në të cilën jetojmë, – është e bindur nusja e paditur. – Unë gatuaj në banjë. Atë ditë kisha blerë peshk dhe do ta gatuaja, por ajo filloi të më bërtiste e të më shante. Unë s’i kam kthyer përgjigje”, – thotë, e bindur që të gjithë do ta besojnë se, rëndom, i kalon lehtësisht komentet e “patëkeq” të plakës, nënë e burrit të saj. Gjërat mund të merren me mend, por gjykatësi ka nevojë për akoma më shumë informacione. I duhen dëshmi, i duhen dëshmitarë. “Atë ditë kam dëgjuar fyerje e sharje nga më të ndryshmet, por s’është e vërtetë që unë e kam sharë dhe fyer gjyshen” – Marsela, së paku pranon grindjen mes nënës dhe gjyshes së saj. Plaka, kur ka rrëfyer të vërtetën e saj, s’ka harruar të thotë se e kanë sharë dhe fyer edhe mbesat… “E di që janë konfliktuar, por unë s’kam qenë në shtëpi”, – thotë Luani, mashkulli i familjes, djali i Sadijes, burri i Majlindës dhe babai i Marselës. …Është historia e një konflikti të vjetër sa bota, e një paaftësie për marrëveshje mes vjehrrës e nuses. Ca më keq akoma në rastin e Sadijes dhe Majlindës, hapësira në të cilën jetojnë plot 5 vetë është tmerrësisht e vogël. Vetëm një dhomë e kuzhinë. Në dhomë jeton burri, gruaja, vajzat. Në kuzhinë jeton vjehrra. Por mesa duket kjo ndarje fizike e hapësirës nuk ka qenë zgjidhje. Ngushtësia të trysnon. Megjithatë gjykatës i duhet të japë një vendim. Dhe e jep në favor të vjehrrës, të cilën e merr nën mbrojte: “Të ndalohet Luani dhe familjarët e tij (që do të thotë nusja dhe vajzat) të hyjnë në kuzhinë (atë pjesë të shtëpisë që i takon Sadijes)”. E sigurisht, urdhërohen që të mos e fyejnë, kërcënojnë, shajnë, cenojnë fizikisht plakën e gjorë… Është 78 vjeç. …Me historinë e tyre janë dy pika uji në oqeanin e madh. Madje, edhe në sallën përtej kanë të ngjashmit e vet. Pas murit, ku një tjetër trup gjykues merr në konsideratë një tjetër rast, të një tjetër konflikti të zmadhuar tashmë, por që në gjenezë të vet s’duhet të ketë qenë asgjë tjetër veçse i lashti konflikt nusevjehërr. *** Ja kështu, edhe Menduia dhe Aida urrehen për vdekje. “Gjithmonë e kishte zakon, për një gjë të vogël më gjuante… ka dorë”… Ankohet e para për të dytën. “S’është e vërtetë”, – mbrohet e dyta. “Më kërcënon se do të më hedhë në gropë të gëlqeres, se do të më fusë në burg”, – kërcënimet të bëjnë të qeshësh, por Menduia ankohet se i vuan prej vitesh. Madje ka edhe më: nusja ia paskësh hedhur të gjitha poshtë: plaçkat, enët e kuzhinës… të gjitha, në kosh. Mundet që ia ka hedhur për t’i zëvendësuar me të reja. Ama, Menduia thotë thjesht se ia ka hedhur. Sa për abazhurin, deklaron se ia ka hequr asaj e ia ka dhënë së ëmës… Ky po, është mëkat. Epo, çdo gjë mund të ndodhë. Jemi në një konflikt nuse-vjehrrë. “Më vjen në dyqan, më ofendon… thotë se unë e bëj tapë burrin tim dhe shkoj me shokët e burrit…” Aaaaa, këtu puna shkon shumë thellë. Gjithsesi, ajo çfarë i intereson Menduies është që nusja t’i lëshojë dhomën, që ta lërë të qetë të jetojë në apartamentin e saj. Ku ta dish, mbase problemi zgjidhet me kaq. Hë për hë gjykata e merr në mbrojte plakën, duke urdhëruar të renë të mos e kërcënojë, shajë, cenojë… dhe të mos ketë asnjë kontakt me vjehrrën e saj. Nuk janë rrëfime të trilluara. Janë dy prej historive të vërteta që kanë përfunduar në Gjykatën e Tiranës vetëm muajin e shkuar. Dikush mund t’i konceptojë të sipërpërmendurat si përfaqësuese të një kategorie të ulët shoqërore, pa kulturë dhe arsimim. Dhe kjo është e vërtetë, ama pjesërisht. Sepse ndërsa Menduia është me 4 klasë shkollë, Aida, një biznesmene e vogël, e ka kryer të mesmen ekonomike dhe vazhdon studimet për juridik. Por cilatdo qofshin protagonistet në konfliktin nuse– vjehërr, pavarësisht kulturës së tyre apo arsimimit, pavarësisht kategorisë sociale që i përkasin apo familjeve prej nga rrjedhin, problemi është, në mos përballë, diku aty rrotull. Sepse, siç thonë gjithnjë psikologët, në këto përballje shfaqet instinkti, humbet logjika, zhvlerësohet niveli kulturor. Por shpesh del si shpëtimtare vetëdija. Kjo e bën konfliktin, diku të fjetur në pritje për t’u zgjuar, diku tjetër, për fat të mirë, për të mos u zgjuar asnjëherë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top