Receta dhe fotografia nga Brunhilda Çela
Tek unë kanë filluar përgatitjet dhe atmosfera e Krishtlindjeve. Jam duke përgatitur biskota të ndryshme, disa do t’i ndaj edhe me ju. Po e filloj me “Biskotat pjeshkë” edhe recetën do ta shkruaj me të gjitha sqarimet e nevojshme për amvisat që duan t’i provojnë. Janë jo vetëm të bukura, por edhe të shijshme, treten në gojë.
“Biskotat pjeshkë”
Përbërësit për “Biskotat pjeshkë”:
3 vezë,
Sheqer pluhur 180 gr,
200 ml gjalpë të tretur, ose vaj,
1/2 pluhur pjekës,
2 lugë qumësht,
Lëkura e 1 limoni,
1 sheqer vaniljeje,
550 gr miell.
Për mbushjen:
Thërrime biskotash,
1 vazo 350 gr plot me marmelatë,
sipas shijes suaj 100 gr arra të thërrmuara,
pak rum ose konjak.
Mbushjen mund ta bëni edhe me qumësht të kondensuar, të përzier me thërrimet ose me çokollatë të tretur apo me nutella.
Të gjitha llojet e mbushjeve dalin shumë të shijshme. Për ngjyrat e biskotave përdora 2 filxhanë qumësht dhe në secilin filxhan vura bojë ushqimore të kuqe dhe të verdhë dhe pak esencë vaniljeje.
Përgatitja: Në një tas të vogël hedhim pluhurin pjekës dhe aty shtojmë qumështin. I përziejmë me lugë plastike ose druri, jo metali. E lëmë rreth 10 minuta. Në një tas rrahim vezët me sheqerin dhe sheqervaniljen për rreth 5 minuta. Shtojmë aty gjalpin e tretur dhe vazhdojmë rrahjen. Te përzierja shtojmë edhe lëkurën e limonit, hedhim edhe pluhurin pjekës dhe i përziejmë me mikser. Në fund shtojmë edhe miellin dhe vazhdojmë përzierjen. Brumi del pak i butë dhe ngjitës, mos prisni t’ju dalë një brumë i fortë. Merrni një pjatë ku keni spërkatur miellin, hidhni aty brumin dhe mbulojeni me një qese kuzhine. Lëreni në frigorifer rreth 2-3 orë.
Nxirreni nga frigoriferi dhe me një lugë të vogël ose me lugën që bën toptha prej pjepri a bostani, merrni një pjesë nga brumi, formoni një top me dorë dhe i shtroni në një tavë ku keni vënë letër pjekëse. Topthat nuk duhet të jenë të mëdhenj, që ta keni parasysh, duhet të jenë sa një kokërr rrushi, kokërrmadh, apo një arrë e vogël. Vërini 1 cm larg njëra-tjetrës, pasi hapen gjatë pjekjes. Piqini në furrën e parangrohur në 160 gradë, për rreth 15-16 minuta. Biskotat nuk duhet t’ju çahen shumë, ndaj furra nuk duhet të jetë më tepër se 150 gradë. Pasi janë pjekur, lërini të ftohen. Biskotave të ftohta me kujdes i hapni nga një gropë mbrapa si në figurë, duke i gërryer me ndihmën e një luge, apo thike të vogël. Thërrimet e përftuara grijini me dorë, ose me një makinë grirëse, unë i bëra me dorë. Shtoni aty marmelatën, rumin apo konjakun, arrat, pak kanellë dhe përziejini. Mbushni secilën biskotë te gropat me këtë përzierje dhe ngjitini të gjitha. Biskotat e ngjitura zhytini në tretë- sirën me qumësht, një herë te boja e kuqe, pastaj tek e verdha, fshini pak lagështirën e tepërt me letër kuzhine dhe hidhini në sheqer, duke i rrotulluar nga të gjitha anët.
Biskota Kantuçi të Toskanës
Përbërësit: 450 gr miell 00,
350 gr sheqer,
2 vezë,
3 të verdha veze,
1/2 bustinë sodë për ëmbëlsira,
50 gr gjalpë i tretur, i vakët,
lëkura e një portokalli bio e grirë me rende,
një majë thike kripë,
250 gr bajame të qëruara, por me lëkurë,
1 vezë për t’i lyer biskotat sipër.
Përgatitja: Pjekim bajamet në furrë për pak minuta, duke pasur kujdes të mos digjen. Me rrahësin elektrik, ose në robot, bëjmë marengë me 2 vezët dhe 3 të verdhat bashkë me sheqerin, për 7-8 minuta. Shtojmë lëkurën e portokallit, gjalpin, duke vazhduar t’i përziejmë me rrahësin elektrik, shtojmë miellin pjesë-pjesë dhe sodën me sitë. Transferojmë brumin në një sipërfaqe me pak miell, shtojmë bajamet dhe i përziejmë mirë me brumin. Lagim duart me ujë të ftohtë dhe e ndajmë brumin në tri pjesë, të cilave u japim formë të zgjatur si bagetë, 3 gishta të gjerë dhe 1 gisht të trashë. I vendosim në tavën e furrës me letër furre, duke lënë distancë nga njëratjetra, i lyejmë sipër me vezë të rrahura me penel dhe i pjekim në furrë për 30 minuta. Kuptohet që janë pjekur, kur sipër kanë marrë ngjyrë dhe kur i prekni me dorë duhet të jenë të forta edhe brenda. Ulim temperaturën e furrës në 100°C. I lëmë të ftohen pak (në të kundërt do të ishte e vështirë të priten) dhe më pas i presim me thikë me trashësi 1.5 cm. I vendosim përsëri në tavë pranë njëra-tjetrës dhe i vëmë prapë në furrë që të marrin ngjyrë nga të dyja anët për 10 minuta, duke pasur kujdes që të mos i pjekim nga ana ku janë prerë, përndryshe do të bëhen shumë të forta. Kur të jenë pjekur, i lëmë të ftohen, ruhen shumë mirë në kuti me kapak. I shërbejmë me verë të ëmbël.
Biskota me petë dhe reçel
Përbërësit: 1 petë brisée e gatshme reçel (sipas dëshirës), 1-2 lugë fara susami apo fruta të thata, nëse dëshironi.
Përgatitja: Ngrohim furrën në temperaturën 220 gradë C. Hedhim petën brisée dhe e presim në forma biskotash. Vendosim një shkop druri akulloresh në lartësinë e mesit të biskotës. Me ndihmën e një lugë kafeje hedhim reçelin. E mbulojmë biskotën me një formë homologe, duke u siguruar që anët të jenë ngjitur mirë. Shpojmë me pirun mesin e biskotës dhe e vendosim në tavë për pjekje. Bëjmë të njëjtin veprim me të gjitha biskotat. I pjekim për gati 20-25 minuta dhe i shërbejmë si aperitiv për fëmijët.
Burimi:Unë Gruaja – Panorama
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.