Në fokus

February 9, 2017 | 8:08

Redaksionale / Si mund t’i mbrojmë fëmijët, çfarë mund të bëjmë për t’i kontrolluar ata?

Dhuna në shkolla, bulizmi, janë fenomene të cilat i hasim çdo ditë, e për më tepër rëndojnë te grupet e interesit, mësuesit, prindërit, institucionet arsimore deri te qeveria. Jo rrallëherë dëgjojmë edhe shkarazi nëpër rrugë raste të tilla: fëmijë që menjëherë pasi dalin nga dyert e institucionit shkollor, rreken të thonë se çfarë u ka ndodhur gjatë mësimit, priren të rrëfejnë rastin më të parë të dhunës verbale nga mësuesit, apo zënkave në shkolla mes bashkëmoshatarëve. Ndërsa dëshmitarë kryesorë bëhen dhe vetë fëmijët tanë, shkollarë të institucioneve tona arsimore. Përse kaq dhunë, kaq mllefe dhe negativitet mes brezash të rinj?

shkolle

Rëndom vijojmë të dëgjojmë situata të tilla problematike. Mësues që humbasin durimin dhe ngrenë zërin e tyre në formë nënshtrimi ndaj nxënësit, fyerje dhe përçim të sjelljeve aspak serioze për kategori të ndryshme nxënësish. Madje ka dhe raste sa shkojnë deri aty sa të ngrenë dorë mbi fëmijën. Një model i tillë sjelljeje, padyshim është tejet denigrues për një brez që do të drejtojë nesër një shoqëri të re.

Por sa me faj bëhen fëmijët, po vetë mësuesit?

Problematika nuk qëndron vetëm aty. Në një marrëdhënie të tillë faj mbajnë të gjitha palët. Një raport i ndërsjellë që duhet parë me kujdes e duhet trajtuar sipas këndvështrimit jo vetëm social, por edhe atij kulturor.

Sa fëmijë gjenden sot përballë vështirësive familjare, aty ku njëri ose asnjëri nga prindërit nuk punon; aty ku niveli i prindërve në shumicën e një klase me 40 nxënës është mesatar, për të mos thënë i ulët, me cikël 8-vjeçar; aty ku edukimi familjar nuk ka përcjellë dot veç dhunën dhe keqtrajtimin e njërit prind në familje… e shumë problematika të tjera, të dëmshme për rritjen e një fëmije.

Nga ana tjetër, shpesh dëgjojmë për trajnime të vazhdueshme mësuesish, një nevojë mesa duket për një profil të ri mësuesi, i cili duket se ka ende mangësi në procesin e edukimit të brezave. Metodologjia sovjetike duket se ka lënë gjurmë të thella në një praktikë që me raste vazhdon ende në ditët e sotme. Dhe jo vetëm kaq, por ka edhe nga ata mësues (të cilët rëndom i etiketojmë si partiakë) që gabimisht ndodhen aty ku janë, e që kjo më së shumti duket se e ka deformuar klasën arsimore shqiptare.

MR.MADELEINE.jpg MR.SAVANNAH.jpg MR.ELISE.jpg

A duhet të mbajnë fëmijët celular në shkollë?

Por sa e drejtë është që fëmijët të mbajnë aparate celularë me vete në ambientet e shkollës?

Ka shkolla në Tiranë, ku drejtoria ka kërkuar që fëmijët të mos mbajnë telefon me vete. Për një pjesë të prindërve, ky është një vendim i drejtë, por sa i sigurt është ambienti i shkollës që prindërit të jenë të qetë për fëmijët e tyre?

cel

Prindërit thonë se ua japin telefonin fëmijëve si një garanci sigurie për kohëqëndrimin e tyre në shkollë dhe jashtë saj, për të parandaluar çdo situatë të pakëndshme, qoftë edhe shëndetësore ku mund të gjendet fëmija. Dhurata, një prind që e ka djalin në klasë të pestë e argumenton dhënien e celularit kështu: “Me miratimin e mësueses, ia kam dhënë celularin fëmijës që të jem e sigurt që, nëse ka ndonjë problem të më kontaktojë menjëherë përmes celularit të vet në telefon. Shkolla është pak larg nga shtëpia, dhe kam merakun e rrugës. Por kësaj i shtohet edhe shqetësimi që, duke qenë se jam në punë, dhe atë e kam larg shkollës, në rastet kur del më herët nga mësimi, i kam kërkuar djalit që të më vërë në dijeni duke më marrë në telefon. Mendoni që djali im është prej 4 vitesh në shkollë pasdite, turni i dytë, dhe ky është një tjetër shqetësim që më bën mua si prind t’ia vë si kusht celularin me vete për të më njoftuar. Jetojmë në një kohë të pasigurt, ku kushdo mund të hyjë në oborrin e shkollës dhe jo vetëm, ndaj në çdo rast rreziku, ai mund të më marrë në telefon menjëherë. Im bir u gëzua shumë kur ne prindërit e tij i thamë që do të japim celular. Ama, duke i marrë leje mësueses, i vumë kushtin që telefonin do ta mbante vetëm në çantë dhe që duhet ta përdorë vetëm në rastin e nevojës madhore. Në klasën e tim biri, mësuesja ka vënë rregullin që në fillim të mësimit, çdo nxënës (dhe janë pothuajse 90% e fëmijëve që mbajnë celular me vete) duhet ta vendosë atë në dollapin e klasës dhe ta marrë nga aty kur mbaron procesi mësimor, ditor. Kjo është një masë që vetë shkolla ka marrë për të parandaluar fenomene të tjera, siç është përdorimi i makinës llogaritëse të celularit, përgjimi i mësuesve fshehurazi apo mosvëmendja ndaj mësimit duke i përdorur ato për të luajtur apo për të hyrë në internet gjatë orarit mësimor.

Por si mund t’i mbrojmë fëmijët tanë?

Në media, ndërgjegjësimi prej kohësh ka nisur me vetëmbrojtje nga ana e vetë prindërve, duke “përdorur” fëmijët e tyre përmes aparateve inteligjentë të telefonisë së lëvizshme, për t’i regjistruar fshehurazi mësuesit e dhunshëm apo shokët e dhunuar. Rastet kanë shkuar deri aty sa këto video janë publikuar edhe në media të ndryshme, duke bërë qarkullimin më së shumti sensibilizues për të mbrojtur së pari fëmijët tanë.

Por, fëmijët vetë, duke marrë parasysh rrezikun nga rrjetet sociale, janë të ekspozuar përpara rreziqeve dhe problematikave. Ka prindër që ia kanë ndaluar fëmijëve përdorimin e rrjeteve sociale dhe të internetit në përgjithësi. Siç e pohon edhe Dhurata: “Fëmija im nuk ka llogari në asnjë prej rrjeteve sociale. Në telefonin e tij, unë kam instaluar adresat e mia elektronike, si dhe një program të veçantë që më informon mbi çdo faqe interneti që ai hap. Gjithashtu, kam instaluar një program gjurmues vendndodhjeje përmes një aplikacioni online. Në rastet e merakut tim të madh e kontrolloj me GPS, se ku ndodhet”.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top