Ishte fëmija i parë i fisit dhe si i tillë është mbajtur në pëllëmbë të dorës, veçanërisht nga gjyshet që e kanë rritur. Por të qenit i vetëm dhe në qendër të vëmendjes nuk është se i ka shijuar aq shumë. Në këtë periudhë të jetës do të kishte dashur të kishte një motër apo një vëlla për të ndarë lojërat e moshës, nevojën për t’iu fshehur të rriturve dhe pse jo të mbante një sekret vetëm për vetëm me motrën apo vëllanë. I kanë munguar…
Nuk i ka munguar asgjë. Qoftë përkëdhelitë apo dëshirat e moshës. Është rritur me gjithë të mirat, kujdesin dhe përkushtimin e të afërmve. Ishte fëmija i parë i fisit dhe si i tillë është mbajtur në pëllëmbë të dorës, veçanërisht nga gjyshet që e kanë rritur. Por të qenit i vetëm dhe në qendër të vëmendjes nuk është se i ka shijuar aq shumë. Në këtë periudhë të jetës do të kishte dashur të kishte një motër apo një vëlla për të ndarë lojërat e moshës, nevojën për t’iu fshehur të rriturve dhe pse jo të mbante një sekret vetëm për vetëm me motrën apo vëllanë. I kanë munguar. Për këngëtarin e njohur, Redon Makashi, kjo ka qenë një dëshirë e madhe, por t’ia kërkonte prindërve një gjë të tillë ishte mision i pamundur. “Kur kam qenë i vogël e kisha shumë nevojën e një motre apo vëllai. Por t’ua kërkoja prindërve, as që bëhej fjalë. Në ato vite ishte e vështirë të ishe aq i drejtpërdrejtë. Pastaj prindërit e mi kanë qenë dhe të angazhuar me punën, babai në Kinostudio me filmat, ndërsa nëna me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve. Ishin më shumë larg shtëpisë”. Nëse do të kishte bërë zgjedhjen e jetës, sigurisht që do të kishte dashur shumë fëmijë. Por i dhënë pas karrierës është kufizuar në këtë drejtim. “Unë vetë do të dëshiroja të kisha shumë fëmijë por i tërhequr nga karriera i kam lënë pas këto gjëra. I trembem shumë të ardhmes, baba me fëmijë”. I rritur si drita e syve, për Redonin sa kishte lavde dhe plotësim tekash aq kishte dhe autoritet. Siç tregon vetë ai, në periudhën e shkollës, prindërit Fitim dhe Drita Makashi kanë treguar autoritet maksimal që djali i tyre të shkëlqente jo vetëm në lëndët e përgjithshme, por edhe në muzikë, artin e zgjedhur për djalin e tyre të vetëm. “Prindërit kanë qenë të rreptë me mënyrën e mësimdhënies. Kërkonin që unë të isha me patjetër dikush. Kjo më ka bërë mirë pasi në aspektin e formimit tim sot, jam aty ku duhet të jem. Lidhur dhe me preferencat e mia në muzikë. Arti është gjëja më e bukur që më kanë lënë”.
Botuar në revistën Psikologji, Tetor 2010
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.