Përgatiti Esmeralda Birçaj, eksperte e shëndetit mendor
Refuzimi është diçka që pothuajse të gjithë e përjetojmë, qoftë nga një partner seksual, qoftë nga një mik apo koleg në fushën profesionale. Pavarësisht nga rasti, barra emocionale që ajo mbart na dobëson dhe lehtësisht na e ul humorin. Shumë herë, kur përjetojmë një situatë të tillë, ne presim që ata që na rrethojnë të shprehin dhembshuri dhe të ndihmojnë në lehtësimin e dhimbjes. Por shpesh, kur kjo nuk ndodh, ne zhgënjehemi dhe ndiejmë se ata nuk mund të kuptojnë se çfarë po kalojmë. Në këtë pikë, është mirë të kihet parasysh se ne vetë vazhdimisht nënvlerësojmë ndjenjat e atyre që janë refuzuar emocionalisht. Kështu, ne nuk arrijmë të kuptojmë se sa dhimbje po përjetojnë ata. Është gjithashtu e mundur të nënvlerësojmë vetë dhimbjen tonë emocionale kur mendojmë për përvojat tona të së kaluarës. Këtu, lindin në mënyrë të arsyeshme dy pyetje. Pse refuzimi na ndikon kaq shumë? Dhe, si mund ta menaxhojmë atë?
Pse dëmton kaq shumë refuzimi?
Përgjigja është se truri ynë është “programuar” për t’u përgjigjur në këtë mënyrë. Shkencëtarët kanë zbuluar se kur dikush na refuzon, të njëjtat pjesë të trurit aktivizohen si ato kur përjetojmë dhimbje fizike. Psikologët evolucionarë gjithashtu besojnë se kjo filloi kur ne ishim mbledhës gjahtarësh që jetonim në fise. Nëse do të na dëbonin nga fisi, do të kishim shanse jashtëzakonisht të ulëta për të mbijetuar. Për këtë arsye, ne zhvilluam një mekanizëm paralajmërues të hershëm për të na lajmëruar kur rrezikonim të refuzoheshim nga anëtarët e tjerë të fisit. Kështu, njerëzit që e përjetuan refuzimin si më të dhimbshëm kishin më shumë të ngjarë të ndryshonin sjelljen e tyre për të qëndruar në grup.
Si mund ta menaxhojmë refuzimin?
Refuzimi nuk ndikon vetëm në mirëqenien tonë me dhimbje emocionale. Ai gjithashtu dëmton gjendjen tonë shpirtërore, vetëvlerësimin tonë, shkakton zemërim dhe agresion dhe destabilizon nevojën tonë “të përkasim diku”. Dëmi më i madh që bën është që ne të kthehemi kundër vetvetes dhe të fillojmë ta fajësojmë atë. Por, përkundër këtyre efekteve negative, ka disa mënyra të dobishme për t’iu përgjigjur refuzimit dhe për të qetësuar dhimbjen emocionale që po përjetojmë. Së pari, nuk ka kuptim të gjykojmë vetveten. Në vend të kësaj, ne mund të shikojmë se çfarë ka ndodhur në secilën situatë dhe çfarë mund të kemi bërë ndryshe. Mbi të gjitha, shumica e refuzimeve nuk janë personale, por ndodhin sipas rrethanave shoqërore.
Një mënyrë tjetër është të rrisim vetëvlerësimin tonë duke rikonfirmuar aspekte të vetes që e dimë se janë të vlefshme. Për shembull, ne mund të bëjmë një listë të disa tipareve tona pozitive që ne i konsiderojmë të rëndësishme. Tjetra, është mirë të shkruash 1-2 paragrafë duke shpjeguar pse këto aspekte pozitive të karakterit tonë kanë rëndësi për të tjerët. Kjo është një mënyrë efektive për të rritur vetëvlerësimin tonë. E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, si qenie shoqërore duhet të pranohemi nga njerëzit e tjerë. Prandaj, është e dobishme të zhvillojmë ndjenja të lidhjes me njerëzit përreth nesh. Po sikur kolegu ynë të mos na ftonte në festën që organizoi në shtëpinë e tij? Ne lehtë mund të organizojmë një natë me miqtë tanë.
Refuzimi ka aftësinë të na demoralizojë. Por nëse dimë të kufizojmë dëmin psikologjik që na shkakton, mund të ecim përpara me më shumë besim te vetja në rrethana të ndryshme shoqërore.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.