Mjafton një ushqyerje e shëndetshme e kombinuar me aktivitet fizik për t’u ndier plot energji, pse jo edhe për të mbajtur larg sëmundjet, të cilat progresojnë me kalimin e viteve.
Nëse do të tregoni kujdes me vaktet tuaja dhe nuk do të hiqni dorë nga shëtitjet në natyrë, atëherë vitet që mbani mbi supe nuk do të jenë veçse numra që s’do të kushtëzojnë aktivitetin tuaj ditor. Sipas mjekes së laboratorit dhe nutricionistes Albana Daka, të ushqyerit shëndetshëm është i rëndësishëm në çdo moshë, veçanërisht për moshën e tretë.
Doktoresha rendit edhe disa prej arsyeve. “Është e rëndësishme që mosha e tretë të mos konsiderohet si një periudhë pasive e jetës, përkundrazi të moshuarit duhet të jenë aktivë dhe të shijojnë jetën në grupet e tyre familjare dhe shoqërore. Pavarësisht se kur filloni, ushqyerja e shëndetshme mund t’ju ndihmojë të mbani dhe madje të përmirësoni shëndetin tuaj, sidomos nëse e kombinoni me aktivitet fizik. Të dyja së bashku, ushqyerja e shëndetshme dhe aktiviteti i rregullt fizik bëjnë diferencën midis pavarësisë dhe një jete të kaluar, duke u mbështetur te të tjerët. Mund t’ju japë energjinë që ju duhet për të qëndruar aktivë, apo për të bërë gjërat që dëshironi të bëni. Gjithashtu, mund të parandalojë apo të ngadalësojë progresin e shumë sëmundjeve kronike si sëmundjet e zemrës dhe diabeti, osteoporoza dhe disa lloje të kancerit, si edhe ju ndihmon të përballoni më mirë stresin fizik dhe mendor, operacionet e ndryshme, madje edhe gripin e zakonshëm”, thekson Daka.
Teksa njerëzit plaken nevojat e tyre ushqimore ndryshojnë, nevoja për kalori zakonisht ulet, ndërkohë që rritet nevoja për të marrë vlera ushqimore sepse të plakesh do të thotë të mësohesh të jetosh me një trup, që është i ndryshëm nga ai që keni pasur kur keni qenë të rinj. Por, megjithatë, realiteti dëshmon se shumë prej të moshuarve vuajnë nga mbipesha dhe regjimi ushqimor është larg asaj që rekomandohet nga specialistët e shëndetit. Nutricionistja rendit disa prej ushqimeve që duhet të jenë pjesë e vakteve, duke besuar se “të hash mirë do të thotë të plakesh mirë”.
Burimi: Panorama
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.