“Një regjim i rregullt ushqimor do të ishte një mënyrë më e mirë për të parandaluar dhe mbajtur nën kontroll problemet me sëmundjet e zemrës”.
Kështu shprehet dietologia Enkeleida Ferrollari. Sipas saj, ndryshimet e stilit të jetës dhe zakonet e shëndetshme të të ushqyerit ndikojnë në parandalimin e problemeve kardiovaskulare, por edhe në reduktimin e komplikimeve që mund të na shfaqen prej tyre. Ferrollari rekomandon që të konsumohen më shumë produktet e peshkut dhe vaji i ullirit, duke e cilësuar si recetën e duhur për të ulur edhe nivelin e kolesterolit në gjak. Po ashtu fibrat duhet të zënë një vend të rëndësishëm në dietën e personave që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare. Sipas dietologes, fibrat pengojnë përthithjen e plotë të yndyrave dhe sheqernave, duke bërë të mundur edhe uljen e nivelit të tyre në gjak. Fibrat i marrim nëpërmjet drithërave të papërpunuara, drithërat me krunde, i marrim nga zarzavatet dhe frutat. Nga tryeza duhet të largohen edhe gatimet e skuqura dhe me shumë yndyrë. Në vend të tyre rekomandohen të zierat e të pjekurat.
PËR PARANDALIMIN DHE MBAJTJEN NËN KONTROLL TË SËMUNDJEVE KARDIOVASKULARE REKOMANDOHET
• Konsumimi i vakteve të rregullta, vakte të shpeshta dhe të vogla deri në 5 vakte në ditë: mëngjesin, paradrekën, drekën, pasditen dhe darkën.
• Konsumimi i ushqimeve të varfra në yndyra shtazore dhe acide yndyrore të ngopura, si mishi i kuq, gjalpi, dhjami etj.
• Rekomandohet konsumimi i karbohidrateve, deri në 50-60 për qind të kalorive ditore, që duhet të jenë në formën e karbohidrateve të përbëra dhe të pasura me fibra, si në formën e drithërave të papërpunuara, buka e zezë, makaronave, orizit etj.
• Duhet të reduktojnë dhe eliminojnë karbohidratet e thjeshta në formën e sheqerit të tavolinës apo të ëmbëlsirave. Yndyrat dhe sheqernat kthehen në trigliceride gjatë shpërbërjes së tyre në organizëm, të cilat çojnë në nivele të larta të triglicerideve që qarkullojnë në gjak dhe në bllokimin e enëve të gjakut.
• Fibrat duhet të zënë një vend të rëndësishëm në dietën e personave që vuajnë nga probleme të sëmundjeve kardiovaskulare. Fibrat pengojnë përthithjen e plotë të yndyrave dhe sheqernave, duke bërë të mundur edhe uljen e nivelit të tyre në gjak. Fibrat i marrim nëpërmjet drithërave të papërpunuara, drithërat me krunde, i marrim nga zarzavatet dhe frutat.
• Personat që vuajnë nga probleme të sëmundjeve të zemrës duhet të eliminojnë gatimet e skuqura dhe me shumë yndyrë. Duhet të preferojnë të zierat, në avull, të pjekurat, në furrë dhe të gatuara me pak yndyrë të shtuar.
• Duhet të kontrollojnë sasinë e konsumit të kripës së gjellës. Sasia e kripës së gjellës të shtuar sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë duhet të jetë deri në 3 g në ditë.
• Duhet të konsumojnë racione të bollshme me zarzavate, të gjalla, të pjekura në furrë ose të ziera në avull. Janë të pasura me vitamina, kripëra minerale, elemente antioksiduese dhe fibra.
• Duhet të konsumojnë dy deri në tri fruta mesatare në ditë. Janë të pasura me vitamina, kripëra minerale dhe fibra. • Duhet të konsumojnë 2-3 herë në javë peshk dhe 1 herë në javë mish të kuq.
• Duhet të konsumojnë bishtajoret, fasulet, thjerrëzat, qiqrat etj. Janë burim shumë i mirë i proteinave bimore dhe të pasura me hekur e kripëra minerale.
• Duhet të konsumojnë fruta të thata, pasi janë të pasura me acide yndyrore esenciale, Omega 3 dhe Omega 6.
• Duhet të konsumojnë të paktën një herë në ditë qumësht ose kos me pak yndyrë, pjesërisht të skremuar. Duhet të përzgjedhin djathërat e freskët, djathin e bardhë dhe gjizën pa kripë. Duhet të konsumojnë rrallë djathërat e stazhionuar, si djathi kaçkavall.
• Duhet të eliminojnë ose reduktojnë pijet e forta alkoolike. Mund të rekomandohet deri në 1 gotë verë.
http://www.panorama.com.al/regjimi-ushqimor-receta-e-duhur-per-te-parandaluar-semundjet-kardiovaskulare/
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.