Lifestyle

December 14, 2017 | 12:24

Regjisori Edmond Topi bën bashkë yjet e kinemasë shqiptare

Nga Alma Mile, gazetare

Prej titulli, kushdo do të besojë se bëhet fjalë për ndonjë konkurs talentesh dhe nuk do ta kishin keq, veçse “Ujet e së ardhmes” nuk janë as fëmijë e as të rinj. Ata i takojnë moshës së tretë.

Por, ëndrrat nuk kanë as kufij e as moshë. Regjisori Edmond Topi ka vendosur një nga problematikat e viteve të fundit, atë të raportit të shoqërisë me brezin e tretë, ta shndërrojë në një film. Një komedi romantike, ku loti përzihet me të qeshurën. E ka titulluar pikërisht “Yjet e së ardhmes” dhe është mbështetur mbi skenarin e autorit holandez Uli Bree, pasi e ka blerë atë me të drejta të plota dhe e ka përshtatur në kontekstin shqiptar. I paraprirë gjatë paradites dhe nga një shfaqje për mediat dhe konferencë shtypi, filmi pati premierën mbrëmë në kinema “Millenium”. Siç do të thoshte dhe vetë regjisori, “Yjet e së ardhmes” nuk është një film me pretendime festivalesh. Nuk është film autor, por pretendon të shkojë te publiku, duke e bërë atë të reflektojë mbi një problem të dhimbshëm, përmes një qasjeje të këndshme. Madje producenti dhe regjisori i filmit synon ta shfaqë atë në të gjithë Shqipërinë, pavarësisht mungesës së kinemave.

robi-rini

HISTORIA

Filmi rrëfen se si një muzikant, i dënuar me punë në komunitet për prishje të qetësisë publike, do të punojë për pak kohë pranë një azili pleqsh, duke u tronditur përgjumjen banorëve të këtij instituti, që ndiheshin të braktisur nga familjet dhe si të zënë në burg. Po ashtu do të tronditë edhe jetën e kryeinfermieres, që qëllon të jetë edhe komshia e tij. Nga nj strehë e trishtuar, azili kthehet në një vend gazmor, në një vend shprese.  Ata të moshuar kthehen në rrokstarë të vërtetë. Duke treguar se ëndrrat e filmit shpresojnë të ndikojnë sadopak në ndryshimin e këndvështrimit të shoqërisë për brezin e tretë, shumë ëndrra të të cilëve u dogjën për shkak të diktaturës. Jo më kot herë pas here personazhet e moshuar i referohen titullit të një kënge të famshme të vitit 1977 nga Ian Dury: “Drogë, seks dhe rron&rrol”. Dhe në këtë linjë është edhe kënga mbyllëse e filmit, ajo me të cilën “banda” e të moshuarve fiton konkursin: “Kafe Flora, burra plot”, një këngë e ndaluar pas Festivalit të 11-të.

aktoret

AKTORËT “BIG”

Për të sjellë këtë atmosferë plot kontraste, sa të trishto aq edhe gazmore, regjisori Edmond Topi ka përzgjedhur një kastë aktorët që të nxjerr mallin e filmave të mirë shqiptarë. Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Reshat Arbana, Luftar Paja, vijnë në rolet e të moshuarve të azilit. Edhe pse disa nga pjesëmarrës it në konferencë për shtyp i quajtën ata “legjenda”, në të vërtetë ata janë aq të gjallë dhe të vërtetë, aq të prekshëm, saqë kushdo mund të shohë tek ata njerëz të tyre të afërt. Edhe një herë ata na treguan se çfarë është aktrimi i vërtetë. Fije lidhëse mes këtyre personazheve që mbartin secili historinë e vet, më saktë gjithë problematikat e tranzicionit si: emigracioni, braktisja, konflikti mes brezave, ëndrrat e parealizueshme gjatë diktaturës apo një “kohë e çmendur”, siç do ta quante regjisori, janë Robi dhe kryeinfermierja e azilit, interpretuar nga Gazmend Paja dhe Elia Zaharia. Dy role të rëndësishme për të dy aktorët. Një rol kyç në zhvillimin e ngjarjeve ka drejtoresha e institucionit, interpretuar nga Ema Andrea, e cila është mjaft e mirë në figurën e një drejtueseje të ngurtë, pa sens humori, e cila “i shërben” mendimit se mosha e tretë nuk duhet të përjetojë emocione, duhet të flejë dhe të tjerë të kujdesen për të.  

reshat-tinka

BASHKËPUNIMI

“Uroj që publiku ta marrë mesazhin e këtij filmi. Suksesi i tij nuk do të ishte i mundur pa bashkëpunimin e këtij kasti të mrekullueshëm aktorësh, të cilët janë më ët mirët që ne kemi”, tha regjisori Topi, duke treguar se paskuintat kanë qenë pjesa më e bukur e gjithë procesit të realizimit të filmit dhe se pikërisht xhirimet e kryera gjatë momenteve të pushimit apo përgatitjeve, do të vijnë si një film më vete. Sipas konsulentes së filmit, Mirela Oktrova dhe regjisorit Topi, përmes këtyre regjistrime do të zbulohen raporti që aktorët e brezit të tretë krijuan me ata më të rinj, apo se si këta të fundit kujdeseshin për ta. Regjisori do të shprehte habinë se si këta aktorë pranuan menjëherë të interpretonin në këtë film, sapo lexuan skenarin,. Pa bërë asnjë marrëveshje financiare më herët. “Është një skenar që të ngacmon shumë emocionalisht dhe të jesh përkrah gjigantëve të skenash është një emocion dhe përgjegjësi e madhe. Edhe pse kam luajtur më herët në krah të babait tim, kisha një lloj sikleti për mënyrën se si do të komportohesha me ta. Por ishte një ‘frikë’ për mirë. Ka qenë kënaqësi e madhe dhe ajo që mësova ishte se jo vetëm në film, por dhe në jetën e tyre jashtë skenës, këto legjenda të artit shqiptar janë gazmorë dhe kanë ëndrra. Nuk ishte vetëm, filmi që na dha eksperiencë, por marrëdhënia jashtë kamerave na ka dhënë shumë”, u shpreh Gazmend Paja. Ndërsa Elia Zaharia e quajti skenarin e filmit “dashuri me lexim të parë”, aq sa, siç do të rrëfente vetë, do të bëhej pjesë e xhirimeve vetëm pak ditë pas dasmës. “Ky rol të pasuron shumë sepse ishte shumëplanësh dhe jam ndier e bekuar që nga stafi i filmit deri tek aktorët e mëdhenj që morën pjesë në këtë produksion”, tha Zaharia.

Edhe pse filmi nuk ka pretendime të mëdha, tema që ai trajton dhe aktorët që interpretojnë, pa dyshim do ta çojnë te publiku.

tinka-margarita

luftar

ema

elia-gazi

poster-copy

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top