E ftuar sot në studion e “Rudina” në TV Klan Klaudia Hila, regjisorja e njohur e Teatrit të Kukullave dhe bashëshortja e kompozitorit Adi Hila, rrëfeu më shumë për familjen, marrëdhënien me të bijat dhe sakrificat që ajo dhe Adi u është dashur të bëjnë gjatë viteve për të mirërritur dy vajzat.
Lidhur me rolin e nënës në familje Klaudia shprehet, “Jo vetëm për faktin që unë kam dy vajza por mendoj se dhe prania e gjyshërve, apo dhe e një babi në shtëpi kur vjen një marrëdhënie e drejtëpërdrejtë, mendoj që në rastin konkret tek vajzat është mamaja ajo që e përcakton disi vazhdimësinë e tyre, mbarëvajtjen e tyre. Kjo jo për të hequr përgjegjësinë e babait, sepse babai padiskutim ka rolin e tij shumë të rëndësishëm si për djalin dhe për vajzën, por mendoj se mamaja duke qenë se tek vajzat ka gjëra shumë më delikate, të cilat mund të diskutohen vetëm me mamanë (sinqerisht në familjen tonë diskutohen edhe me babain), megjithatë them se është mamaja ajo që për detajet e vajzave duhet të jetë më e kujdesshme dhe t’u gjendet pranë, t’u japë këshillat e duhura”.
E pyetur se sa e kënaqur është ajo që është nëna e dy vajzave Meryl dhe Ketlin ajo thotë,“Ҫdo prind është i lumtur për fëmijët që ka dhe unë kështu jam. Nuk e kam dhe nuk e di si mund të isha si nënë e një djali, por padiskutim do ia geja anën. Por të edukosh vajza është më ndryshe se të edukosh djem, sepse mendoj se një djalë është më i distancuar nga nëna dhe më i afruar nga babi, pasi janë seks i njëjtë dhe mund të bëjnë gjëra të njëjta. Unë ndihem me fat për dy vajzat e mia”, thotë ajo teksa shton se bashkëshorti i saj Adi ndihet i bekuar mes tri femrave.
Duke folur për mëmësinë Klaudia duket se nuk është nga ata prindër që mendojnë se fëmijës duhet t’i plotësohen të gjitha.
“Themi që fëmijës duhet t’ja plotësojmë të gjitha. Unë mendoj se fëmijës duhet t’i japësh kohën, nëse arrin që fëmijës t’i japësh kohën e duhur dhe ta dëgjosh shumë për mua ia ke dhënë të gjitha fëmijës. Pastaj gjërat materiale janë në diskutim, për t’ua dhënë apo jo? Po në qoftë se fëmijës i jep kohën, vëmendjen dhe e dëgjon fëmijën për atë çka ai do, për mua ke arritur të japësh maksimumin tënd”, thekson Klaudia Hila.
Klaudia shprehet se ajo dhe bashkëshorti janë shumë krenarë, sepse kanë dhënë modelin e tyre të mirë për dy vjzat: “Unë kam dhënë modelin tim, modelin e një nëne që ka përballuar mjaft vështirësi, shpeshherë kam mbuluar edhe kohën e Adit për të qenë pranë tyre. Jam natyrë e fortë, nuk jam natyrë që e jap veten. Mendoj se një grua është boshti i një shtëpie, është një mama që duhet të punojë fort…. Vajzat e mia sot janë jo vetëm të dashura, por dinë të dhurojnë shumë dashuri, sepse është ajo që kemi bërë edhe unë e Adi gjatë këtyre viteve”, rrëfeu ajo në studio.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.