Ju ka ndodhur ndonjëherë, që në fund të ditës, të përjetoni një ndjenjë të thellë pakënaqësie apo të ndjeni sikur nuk keni përfunduar asgjë nga gjërat që kishit në mendje? Ndoshta për shkak të pamundësisë së mjaftueshme të kohës, ndoshta ngaqë jeni marrë me shumë gjëra njëkohësisht e kështu nuk i keni administruar mirë orët në dispozicion. Ja çfarë është koha dhe përse është e rëndësishme ta menaxhojmë sa më mirë të tashmen…
Shoqëria jonë thuhet se është shoqëri e komunikimit dhe në një shoqëri të tillë, të gjithë duhet të jemi në gjendje të shprehemi në mënyrë të qartë dhe efikase, duke bërë të mundur që mesazhi të shkojë te bashkëbiseduesit tanë pa gabime. Para se të fillojmë mbi argumentin që i takon menaxhimit sa më mirë të kohës, është e rëndësishme të reflektojmë për një gjë shumë të rëndësishme.
Kur flasim për menaxhimin e kohës, jemi duke folur se si e menaxhojmë jetën tonë. Kjo është një veçanti, e cila shpesh lihet pas dore. Ta kalojmë keq jetën tonë në fushën e marketingut, ashtu si në çfarëdolloj aktiviteti profesional dhe në jetë në përgjithësi, bëhet burim frustrimi, pakënaqësie, stresi. Problemi është mjaft i zakonshëm. Në të kundërt, shumë persona nuk do të ankoheshin se nuk ia dalin të realizojnë ato gjëra që duan t’i bëjnë.
Reflektoni mbi disa gjëra, sepse ajo që duhet të bëni menjëherë është të fitoni “vetëdijen” e kuptimit të vlerës së kohës.
1 Koha që shpërdorojmë është pjesa më e rëndësishme e jetës sonë. Ajo fillon në momentin e lindjes dhe do të përfundojë në momentin e vdekjes. Koha jonë në dispozicion është e mbyllur në këtë periudhë, por ne nuk e dimë se sa do të jetë jetëgjatësia e këtij “intervali”. Pa dyshim që është më mire kështu, edhe pse në këtë mënyrë do të duhet të bëhemi më të “përgjegjshëm” se si duhet ta përdorim kohën.
2 Ndër të gjitha dhuratat që kemi marrë dhe do të marrim në jetë, koha është gjëja e vetme që nuk mund të zëvendësohet. Nëse ju ndodh të humbisni lekë ose të mira materiale, mund të përpiqeni t’i rifitoni, madje më shumë se sa keni humbur. Nëse një mik ju braktis apo partneri ju lë, mund të gjeni njerëz të tjerë edhe më të mirë. Madje edhe ata që kanë humbur përgjithmonë disa aftësi fizike, duke ruajtur një sjellje pozitive, mund të rivihen në lojë, duke përmirësuar ndjeshëm aftësi të tjera. Bota është e mbushur me këta shembuj, që pa dyshim i njihni e i dini edhe ju.
I vetmi burim që nuk mund të zëvendësohet, është koha. Askush nuk bën përjashtim nga ky rregull. Koha nuk rikrijohet, çdo çast i kaluar, ka ikur përgjithmonë, dhe kjo e bën të veçantë dhe të rëndësishme në jetën tonë.
Ja përse është e rëndësishme ta përdorim sa më mirë momentin. Edhe një fraksion sekonde mund të jetë vendimtar.
- Për të kuptuar rëndësinë e një viti, pyesni një student që ka mbetur në klasë.
- Për të kuptuar rëndësinë e një muaji, pyesni nënën e një bebeje të lindur para kohe.
- Për të kuptuar rëndësinë e një jave, pyesni drejtorin e një reviste javore.
- Për të kuptuar rëndësinë e një ore, pyesni dy të dashuruar për takimin e tyre të parë.
- Për të kuptuar rëndësinë e një minute, pyesni dikë që sapo i ka ikur avioni e s’ka mundur të udhëtojë dot.
- Për të kuptuar rëndësinë e një sekonde, pyesni atë që shpëtuar për qime nga një aksident vdekjeprurës.
- Për të kuptuar rëndësinë e një të qinde të sekondës, pyesni një atlet që ka fituar medaljen e argjendit.
Falënderoni gjithmonë për çdo çast që ju është dhuruar. Dhe kujtoni se koha nuk pret askënd. Mundohuni të pyesni në fund të një dite, se çfarë të mire keni bërë dhe si e keni shpenzuar kohën tuaj.
Përgatiti: Manjola Ereqi / Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr.122
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.