Në fokus

November 25, 2020 | 8:05

Rëndësia e lidhjes emocionale

Psikologjia dhe kryesisht psikanaliza flet për të gjitha llojet e lidhjeve duke përfshirë, lidhjen me prindërit, lidhjen me partnerin, lidhjen me të afërmit, lidhjen me shoqërinë, me fenë, lidhjet e projektuara nëpërmjet procesit të transparencës etj.

Anxhela Peza Psikologe Klinike  dhe Këshillimi

Anxhela Peza
Psikologe Klinike
dhe Këshillimi

Kur flasim për lidhje emocionale, mbart brenda si koncept atashimin. Objekti i parë i atashimit dhe i lidhjes së individit është nëna dhe babai. Lidhja emocionale fillon të zhvillohet që prej ditëve të para pas lindjes, e cila ndikon në zhvillimin social-emocional tek fëmija. Po në këtë periudhë individi ka eksperimentuar një sërë modelesh, nga të cilat kemi mësuar se çfarë presim nga të tjerët. Mënyra se si janë perceptuar tek individi marrëdhëniet e hershme, projektohen tek marrëdhëniet e mëvonshme. P.sh. Albert Ellis në studimet e tij arriti në konkluzionin se vajzat të cilat nuk kanë pasur lidhje të ngushta me baballarët e tyre, nuk kishin raporte të  mira me partnerët.

Gjatë psikanalizës me pacientët është vënë re se kemi të njëjtën sjellje që kanë bërë fëmijë me objektin e sigurisë (prindin) dhe tashmë reagimet janë të njëjta me marrëdhënie të tjera. Sipas disa studimeve janë evidentuar: fëmijë me lidhje emocionale të sigurtë, ambivalente, indiferente.

1. Lidhje emocionale të sigurtë – kur fëmija është lënë nga nëna e tij në një mjedis të panjohur, ku ai ka luajtur dhe nuk ka përjetuar asnjë ankth apo pasiguri.

2. Lidhje emocionale ambivalente – kur nëna dilte nga dhoma që ishte me fëmijën e saj, ndërsa ai qante duke përjetuar ankth. Përdorte mënyra për ta kthyer atë pas në dhomë.

3. Lidhje emocionale indiferente – edhe nëse nëna qëndronte në dhomë me fëmijën apo nëse fëmija dilte, nuk shfaqte asnjëlloj emocioni.

Stili i prindërimit dhe atashimi mes prindërve dhe fëmijës është i ndryshëm në ushtrimin prindëror dhe perceptimin e fëmijës për marrëdhënien. Këto evidentohen kur mund të ndahesh nga një shoqe, ndërsa kur ndahesh nga partneri mënyra e reagimit ngjan me mënyrën se si janë shkëputur nga prindi.

Nga aspekti klinik ka shumë hallka që mund të ndalem për mënyrën se si merr forma personaliteti i njeriut dhe sa shumë përngjan me fëmijërinë e tij, se sa trauma shkaktohen nga ndarja me një person që kemi pasur një lidhje të fortë emocionale. Shpeshherë zhgënjimi që pësojmë nga tjetri krijon trauma tek ne nëse një individ në lidhjen e tij emocionale krijon pritshmëri të larta dhe kërkon gjithmonë e më shumë varësi nga  personi tjetër. Shkëputja me të shkakton tronditje emocionale.

Në rastet e mia në studion e psikologjisë, kam pasur ngjarje që kanë rënë prehë e simptomave depresive për arsye se nuk pranojnë ndarjen nga partneri i tyre. Duke u shprehur “Unë nuk jetoj dot pa të”, “Dua që ai të vijë tani”, “Le mos më dojë, vetëm të rrijë me mua”, “Do i bëj keq vetës vetëm që ai të kthehet tek unë”, etj. Normalisht nuk mungojnë tentativat e vetëvrasjes nga ndarja me partnerin. Më së shumti janë vajzat në numër për veprime dramatike.

Është e rëndësishme që kur individi lidhet emocionalisht shumë me dikë, të jetë një lidhje e shëndetshme me baza realiteti dhe të qëndrojnë të dyja palët, sepse ka që nuk duan sepse duhet nën kushtet e presionit. Kur je i rritur nuk mund të kërkosh gjithçka nga tjetri sikur të ishte “prindi”. Është një marrëdhënie në bashkëpunim dhe mirëkuptim.

Nëse një marrëdhënie është e dhimbshme dhe shkakton më shumë vuajtje se sa emocione pozitive, mirë është të merret një konsultë me psikologun për të kuptuar më tej se çfarë ndodh me jetën e tij në lidhje me emocionet e një marrëdhënie.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 152

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top