Nëse gjithkush do të ndjejë se drejtësia ekziston, do të ndjehet i sigurtë, i garantuar, i barabartë para ligjit dhe i barabartë në raport me të tjerët. Natyrisht që kjo kërkon njerëz të formuar profesionalisht, të aftë për të përballuar sfidat dhe vështirësitë qoftë në gjetje ashtu dhe në zgjidhje, por mbi të gjitha kërkon njerëz të ndershëm dhe me integritet moral. Ky është mesazhi i qartë që dekania e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin Luarasi përcjell në këtë intervistë. Për Rezana Konomin, çelësi i suksesit është ai që ndodh procesit të mësimdhënies, i cili sipas saj, duhet të zgjojë te studentët bërthamën e njeriut të mirë. E në këtë sfidë të vazhdueshme, Konomi, një profesioniste karriere e di se nga ku nis ndryshimi dhe formohet bërthama.
Ju gjej në sezon provimesh. Ndërkaq gjendeni edhe në pozitën e dekanes së fakultetit të Juridikut në universitetin Luarasi , i cili shpesh shpërfaq pritshmëri të rëndësisë së veçantë sa i takon jo vetëm investimit të studentëve, por ka një shtrirje edhe më të gjerë. Përvoja juaj si e shikon brezin e të rinjve kundrejt fushës juridike?
Padyshim që përvoja në mësimdhënie nuk është diçka e re për mua, por në pozitën e dekanes e kam konsideruar si sfidë të radhës, në radhë të parë me veten, por edhe në raport me kolegët dhe studentët gjithashtu, që janë targeti kryesor. Ne jemi në funksion të tyre dhe për këtë, secili prej nesh duhet të ketë pritshmëri të larta. Universiteti “Luarasi” është Universiteti i parë jopublik dhe si i tillë ka konsoliduar një traditë sa të fortë aq dhe konkurruese. Studentët që kanë dalë nga auditorët tanë gjatë të gjithë brezave kanë qenë të kërkuar nga tregu i punës dhe kanë bërë diferencën me gjithë të tjerët. Këtu, përtej modestisë, sepse statistikat flasin vetë, më duhet të them se aq e vërtetë është kjo saqë 80% e tyre punësohen që në vitin e parë pas përfundimit të studimeve.
Drejtësia është një fushë e madhe, e komplikuar. Në rolin e mësimdhënësit, cili është çelësi që ju ka shërbyer për të zgjidhur rebusin në marrëdhënie me studentët?
Është e vërtetë që është një fushë sa e bukur aq dhe e vështirë. Dhënia e drejtësisë është çelësi i suksesit për një shtet ligjor të së drejtës, sepse nëse gjithkush do të ndjejë se drejtësia ekziston, do të ndjehet i sigurtë, i garantuar, i barabartë para ligjit dhe i barabartë në raport me të tjerët. Natyrisht që kjo kërkon njerëz të formuar profesionalisht, të aftë për të përballuar sfidat dhe vështirësitë qoftë në gjetje ashtu dhe në zgjidhje, por mbi të gjitha kërkon njerëz të ndershëm dhe me integritet moral. Në raport me studentët, gjatë procesit të mësimdhënies ajo që tentoj të bëj, është të zgjoj tek ata bërthamën e njeriut të mirë, që unë besoj gjendet tek gjithsecili, duhet vetëm ta zbulosh dhe ta përpunosh në funksion të formimit të tij, si njeri dhe më pas si profesionist.
Cilat janë praktikat që ju përçoni me studentët e Luarasit ?
Me qëllim ndërthurjen e mësimdhënies me forma të tjera alternative, auditorët e “Luarasit” gjithmonë kanë patur të ftuar lektorë, profesionistë të fushave të ndryshme brenda sistemit të drejtësisë, vendas dhe të huaj, të cilët kanë ndarë me studentet eksperiencat e tyre, praktikat më të mira dhe natyrisht që kjo është vlerësuar nga ne si përçimi i modelit të mirë frymëzues për brezat që studiojnë, për të parë perspektivën edhe në një këndvështrim tjetër, duke i hapur horizonte dhe nxitje për vazhdimësinë. Në këtë kuptim, leksionet e hapura janë konsideruar si podiume të fjalës, të debatit dhe të shkëmbimit të ideve. Në këtë raport të gjithë japim dhe marrim duke nxitur idetë dhe duke sjellë inovacion.
Sa përftuese kanë qenë këto arritje, duke patur parasysh investimin për studentët të cilët i keni dërguar për specializime jashtë, praktikave në institucionet e ndryshme deri dhe vende të reja pune?
Të gjitha format që përdoren gjatë procesit të mësimdhënies padyshim mbartin vlera dhe janë në funksion të formimit shumëdimensional të studentëve për t’i aftësuar për tregun e punës. Praktikat nëpër institucione të ndryshme, intershipet, vizitat studimore dhe së fundi dërgimi i studentëve për të vijuar një semestër në Universitetin e Lodz në Poloni, janë shembull frymëzues me qëllim, zgjimin e interesave dhe ambicieve të studentëve për të kuptuar më mirë vetveten, vlerat e tyre dhe për të gjetur vendin e duhur në të ardhmen pas përfundimit të studimeve.
Ndalemi në një aspekt ndryshe. Të qenit femër në Shqipëri ka ngarkesat e veta, vështirësi, pengesa, paragjykime… Oscar Wilde thoshte: “Jepini një gruaje mundësinë e duhur dhe ajo do të bëjë gjithçka…” Në shoqërinë tonë sa i vërtetë vjen ky përcaktim dhe konkretisht?
Më duhet të them se vështirësinë në realitetin shqiptar nuk i shoh të lidhura domosdoshmërish me gjininë. Padyshim që të qenit femër shton peshën e ngarkesave dhe të përgjegjësive, sepse të duhet të plotësosh njëherësh disa role, duhet të jesh profesioniste në punë, drejtuese e aftë për të justifikuar besimin që të kanë dhënë, duhet të jesh nënë e mirë për fëmijët e tu, ashtu dhe një grua e përkushtuar përkundrejt familjes dhe gjithë njerëzve të dashur që të japin mbështetjen dhe forcën e duhur për të ecur para. Shoqëria shqiptare është ende larg të qenit një shoqëri mirëfilli e emancipuar, sepse gjurmët e pater families dhe sidomos të paragjykimit thjesht sepse je femër, janë të pranishme dhe kjo, pavarësisht zonave rurale apo urbane, shkollimit apo kulturës. Fatkeqësisht më duhet të pranoj se për disa gjëra, të cilat janë pozitive nga tradita e hershme, kemi mbajtur qëndrim nihilist ndërsa për disa të tjera, të cilat në fakt duhet t’i kishim hedhur pas krahëve, i mbajmë fort dhe nuk ndahemi dot, megjithëse janë denigruese dhe të errëta, sidomos për figurën e gruas në tërësi. Por nuk kam asnjë dyshim që forca e gruas është e pashtershme, sepse Zoti i ka dhënë misionin më të vështirë në këtë botë, atë të vazhdimësisë së jetës, dhe nëse e bën këtë, nuk ka asnjë mundësi tjetër që ta bëjë të pamundur realizimin.
Është e rëndësishme të stabilizosh marrëdhënie me gratë e tjera, të ngritura mbi mbështetjen dhe ndryshimin e përvojave: mund të jenë një shumëfishues forcash, një instrument për ndryshimin e të gjithave. Sa ju ka shërbyer kjo në jetën tuaj?
Urat e bashkëpunimit nëpërmjet komunikimit duhet të ekzistojnë pavarësisht qenies burrë apo grua. Nëse ti pretendon të bësh më të mirën, domosdoshmërish duhet të mbështetesh edhe në përvojat e të tjerëve. Vetëm kështu plotësojmë njëri-tjetrin dhe shumëfishojmë forcat, duke u kthyer në një instrument të fuqishëm për të bërë ndryshimin. Askush nuk mund të pretendojë se mund të bëjë vetë gjithçka pa ndihmën dhe përkrahjen e kolegëve, miqve dhe shokëve. Gjetja e një gjuhe të përbashkët për të kuptuar dhe për t’u kuptuar nga të tjerët, jo gjithmonë është një terren i lehtë, sepse përballesh me nivele dhe kultura të ndryshme, por çelësi i suksesit është mirëkuptimi. Duke e vendosur veten në pozitën e tjetrit, do mundesh ta pranosh me gjithë ndryshimet që mbart, sepse të gjithë jemi të ndryshëm në një kuptim, por të barabartë në një kuptim tjetër.
Botuar në revistën Psikologjia, nr.105
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.