Ky 8 mars ka qenë edhe më special për Rezarta Reçin. Gazetarja e mirënjohur e News 24, ka marrë në ditën e festës së gruas një vlerësim të vyer. Moderatorja e “Arratia e Peshkut të Kuq” është nderuar nga Presidenti i Republikës me titullin “Naim Frashëri”.
“Në vlerësim të kontributit dhe rolit të çmuar si hulumtuese, evidentuese dhe përcjellëse e vlerave unike të figurave të shquara të artit, kulturës, sportit e mjekësisë, duke mundësuar pasqyrimin dhe njohjen publike të evoluimit dhe emancipimit intelektual të shoqërisë shqiptare ndër dekada”, thuhet në çmimin akorduar gazetares.
Prej më shumë se një dekade, Rezarta është prezantuesja e një prej emisioneve më të suksesshëm në fushën e artit dhe kulturës.
Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Presidenti ka dekoruar edhe Vjollca Lubonjën, Doktore e Shkencave Metodike. Vjollca Karapicin, Anëtare e Këshillit të “Profesorëve” në Fakultetin e Ekonomisë. Engjëllushe Shqarri, një përkthyese e njohur e shumë veprave, por edhe përfaqësuese në organizma ndërkombëtarë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.