Marrëdhënie

May 13, 2016 | 8:33

Rezarta Reimann: Kompromisi e gjen rrugën e tij…

untitledA ekziston mashkulli romantik?

Sigurisht. Po të mos ishte kështu, për kë do të hidheshin në treg miliona kuti çokollatash në formën e zemrës, qirinj të ngjyrave dhe aromave të ndryshme, apo oferta të mrekullueshme në vende të largëta përrallore me ujë deti të kristaltë, shampanjë në akull dhe skena gjunjëzimesh klasike përpara së dashurës, e cila e befasuar dhe e lumtur pohon mes lotëve “po”-në aq të dëshiruar … E vërteta është se cilido të jetë përfytyrimi i mashkullit romantik për secilin nga ne – ai është “formuar” tashmë thuajse plotësisht nga të tjerët (më së shumti nga media). Të rrallë janë ata që mund të prodhojnë sot receta të reja të romantizmit. Në fund të fundit, e si do ta dinim ne se çfarë është një mashkull romantik nëse nuk do të kishim lexuar, dëgjuar ose parë në televizor se si sillet ai…

Cilat janë pakënaqësitë e një gruaje ndaj mënyrës se si një burrë e jep dhe shpreh dashurinë?

Dashuria nuk është produkt vetëm i emocioneve. Natyrisht që kur ndihesh e dashuruar, ndihesh e vlerësuar, e veçantë për dikë tjetër dhe e rrethuar me vëmendje, ngrohtësi e mirëkuptim. Kështu, përjetimi i dashurisë u jep udhë pritshmërive tona ndaj partnerit. A nuk është gjëja më minimale të kërkosh nga partneri që ai t´i kuptojë pritshmëritë e tua? Dhe akoma më tej, që ai t´i ndajë me ty këto pritshmëri (të paktën pjesën më të madhe të tyre)? Por këtu ka dhe një problem. Kush pret diçka, mund edhe të zhgënjehet. Dhe kush nuk është i gatshëm apo i paaftë për të “të niveluar” pritshmëritë me mospërmbushjen e tyre, ka rrezik të mos e dallojë dot kufirin midis asaj që dëshirojmë dhe asaj që kemi realisht. Dhe në fund të fundit, mund të vijë një moment që më shumë se njeriu që kemi pranë, ne të dashurojmë dashurinë vetë, atë idealen … Më vjen ndërmend një detaj i vogël. Para disa vitesh më ishte bërë zakon që sa herë vizitonim ndonjë qytet të ri me tim shoq, ta pyesja me të qeshur se në cilin dyqan të shtrenjtë do të ma blinte varësen me perla “aq të dëshiruar” (sa më të shtrenjtë – aq më mirë, siç tregojnë rëndom shumë filma e reklama), si një provë të dashurisë së vërtetë. Ai më përgjigjej se aty rrotull nuk kishte asnjë dyqan të mirë, por po të shihte diçka për të qenë, do të ma blinte pa pyetur fare për çmimin. Kështu, pas disa përpjekjeve, unë e “kyça në sirtar” ëndrrën e perlave dhe nuk e përmenda më. Kohë më vonë ai ishte në Ohër për një seminar disaditor. Kur u kthye më tha se kishte një surprizë. Më kërkoi të mbyllja sytë dhe në momentet e pritjes pikturova në kokën time disa dhurata, derisa ndjeva duart e tij të më mbërthenin në qafë një varëse të thjeshtë me perla origjinale të liqenit të Ohrit. Edhe sot e kësaj dite nuk e di nëse ishte burimi i perlave i lidhur me vendin tim, apo punimi i thjeshtë dhe çmimi jo i kripur arsyeja se përse nuk ma kishte dhuruar atë më parë (a ka në fund të fundit rëndësi kjo gjë?), vetëm se midis llojeve të ndryshme të varëseve – shumicën e të cilave i kam blerë vetë, kur dhe si kam dashur (a nuk është kjo një zgjidhje më e mirë afatgjatë?) – ajo me perlat e Ohrit e blerë diku në anë të rrugës, është më e bukura.

Sa kohë ju është dashur në fillim të kuptoni ndryshueshmërinë?

Pas muajve të parë të “rënies brenda me të dyja këmbët”, edhe për ne erdhi momenti i vështrimit më kritik ndaj raportit dhe ndryshueshmërive tona. Jetesa e përbashkët i shton konfliktet. Por kjo është e natyrshme, sepse secili kërkon ta ndërtojë jetesën e përbashkët, përfytyrimet dhe pritshmëritë duke u nisur nga individualiteti, kultura apo ajo që ka përjetuar më parë në familje dhe nuk është i gatshëm të heqë lehtë dorë prej tyre. Gjithsesi, kompromisi e gjeti shpejt rrugën e tij.

Keni ndryshuar apo thjesht e keni pranuar burrin dhe mënyrën e tij të dhënies së dashurisë e vëmendjes?

Natyrisht që kam ndryshuar, por jo vetëm unë. Gjatë gjithë këtyre viteve duket sikur individualiteti dhe dëshira për të qenë në një aleancë shpirtërore kryqëzohen vazhdimisht në një rrugë të gjatë e me kthesa. Shprehja se “dashuria nuk kërkon asgjë nga tjetri, por ajo bën gjithçka për tjetrin”, është natyrisht romantike, por jo e saktë.

A është e vërtetë se burrat janë të disponueshëm përgjysmë?

Nuk e di se çfarë ka dashur të thotë ai (ajo) që e ka pohuar një gjë të tillë. Nëse kjo është një shprehje e huazuar prej ndonjërit nga librat e shumtë komercialë – që përpiqen të shpjegojnë se dëshira e një burri për pakëz qetësi në mbrëmje, pas një dite të lodhshme pune, e ka origjinën në situatën para 10 mijë vjetësh, kur burrat pas një gjahu të lodhshëm ia ngulnin sytë zjarrit në mes të shpellës, duke injoruar thirrjet e grave dhe fëmijëve që përpiqeshin të tregonin zhurmshëm kënaqësinë – atëherë mund të them se përkrahësit e saj e kanë mësuar nga autorët e këtyre librave se sa e thjeshtë është për të fituar plotësisht zemrën e njeriut të dashur (parfum tundues, trëndafila të kuq, qirinj, udhëtime të largëta etj. etj). Unë do të thosha se për ato gjëra komplekse për të cilat vërtetë nuk di ç´të thuash, është më mirë të heshtësh.

Psikologji Nëntor 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top