E shtunë, pikërisht mëngjes. Edicioni informativ në Vizion Plus ka përfunduar, dhe ora 09.00 nuk mund të quhet më “herët”. Ai porositi ekspresin e dytë dhe kjo vërtetonte më shumë se ora, kohën kur e ka nisur punën. Mëngjesi i tij është fort i shpejtë, ndoshta pak i rrëmujshëm, sepse duhet të bëjë shumë gjëra për pak minuta, me qëllim që të mos vonohet as edhe një minutë nga koha e saktë që i duhet për t’u nisur drejt studios së lajmeve. Gazetar me përvojë të gjatë e ish-diplomat, Rezear Xhaxhiu rrëfen për atë pjesë të tijën që mbase pakush e di. Ai ka një busull orientimi në paszgjimin e tij. Është orari ekstremist i përpiktë të cilin ka shumë vite që nuk e thyen. Dhe këtë busull preferon ta quajë trekëndëshin e zgjimit më të mirë të tij, atij zgjimi të cilit i qëndron besnik në orar, e që e bën të ndihet i frymëzuar për pjesën tjetër të ditës dhe krejt në formë për ta mbyllur atë me sukses. “Ngrihem i përpiktë. Çdo mëngjes në orën 06.00. Por edhe pse vë zgjimin në orën e celularit, mund të kem muaj të tërë që nuk e kam përdorur. Domethënë ndodh që zgjohem në 6 pa 10, 6 pa 5, 5 e gjysmë. Është një zgjim që ndoshta ka lidhje me personin sepse kurdo që të bie në orën 1 a 2 pas mesnate prapë zgjimin e kam automatik. Më kujtohet kur kam pasur ZIP-in në darkë që e mbaroja në orën 00:00 dhe që i binte të flija rreth orës 2, prapë zgjimi bëhej në orën 06.00. Ky lloj zgjimi organik ose i kronometruar, është natyral jo i sforcuar. Për mua nuk ka qenë problem. Është një zgjim i beftë që shoqërohet me të gjitha veprimet e ngjashme. Nuk ka shtriqje në shtrat, ka një ngritje të tipit të zgjimeve të zborit që ngriheshim menjëherë. Do të thotë që jam OK deri atje. Gjëja e parë fareqë bëj është ndezja e ekspresit të kafesë. Një kafe dhe një cigare është veprimi i parë. Më ndihmojnë të më sjellin në vete, të bëj zgjimin e dytë. Është një rit që e trashëgoj prej shumë vjetësh. Zakonisht kafenë dhe cigaren i pi në ballkon në mëngjes se dua të jem njësh me zgjimin e ditës, pra me trekëndëshin kafe, ajër, cigare”. Gjithçka e arrin shpejt. Brenda 30 minutave bën përgatitjen e shpejtë, përfshirë gjërat e vogla. “Një banjë e shpejtë, dilema çfarë këmishe do të vesh apo kollare, xhaketë, e pastaj vrap për në punë ku detyrimisht nga e hëna në të premten nga ora 06.30 duhet të jem në televizion, çka do të thotë se kjo orë më duket si ora tetë sepse ritmi i zgjimit ka qenë shumë herët”. Por çfarë ndodh me gazetarin kur reflekset nuk kanë bindur gjumin të ndalet? Ç’do të thotë të zhgënjehesh nga zgjimi mekanik? Për Rezearin ndodh rrallë, fatmirësisht pa lënë ngarkesa për ditën në vazhdim. “Zgjimi tek unë është një refleks nxitës, por kur nuk më ndodh, filloj ta marr veten diku nga ora 9. Kryesisht ka ndodhur kur kam pasur një mbilodhje, që ka ardhur pas ndonjë jave me stres, apo një feste të gjatë përtej limitit. Gjumi më ka dalë në 6 pa 5, më ka rizënë, më ka rënë zilja në 6 më ka zënë gjumi sërish dhe çdo 5 minuta celulari dridhej derisa më ka bërë të ngrihesha detyrimisht. Janë raste të rralla kur duhet një buldozer që të më ngrejë. Në këto raste personalisht kam bërë një zgjim të përgjumur”. Mëngjesi i tij është si një programues kompjuterik. Çdo lëvizje është e llogaritur dhe në orar. Për Rezearin nuk kanë dallim fundjavat nga përditshmëria kur i duhet të niset herët për në emision. “Edhe ditët kur nuk kam emision çohem në gjashtë pa pesë. Unë mendoj se ka disa tipa të cilët janë të kurdisur për një orë fikse, sepse të dielave unë jam në këmbë në këtë orë. Kjo më shërben ta nis ditën me vrap nga liqeni kur jam në Tiranë, dhe vrap në Durrës kur jam atje. Fakti që dhe 3 vjet më përpara kur bëja ZIP-in në darkë e s’kisha asnjë impenjim, zgjohesha herët. Kjo bën që duke qenë i tillë ta nis ditën me energji, adrenalinë, me po kaq pozitivitet edhe në profesion. Minimalisht fle 6 orë. 00:00 me 6. Më ndihmon paksa dhe gjumi i Ballkanit. Bëj një shtrirje treçerek ore në drekë, midis gjumit dhe jo gjumit. Nuk e kam ndarë këtë praktikë që adoleshent, aq më tepër tani lodhja, zgjimi, mosha…. e kam dhe të trashëguar. Me regjimin që unë ndjek sot është mësuar dhe vajza, Lori”.
Botuar në revistën Psikologji, korrik 2010
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.