Marrëdhënie

April 13, 2016 | 8:39

Richard van den Brink: S’është keq të jesh partneri i mbretëreshës

Jeta e tyre është e ndarë mes Shqipërisë dhe Holandës, kjo për faktin se të dy kanë detyra po kaq të rëndësishme, sa ç’është dhe familja që kanë ndërtuar dhe djali. Ai, Riçard van den Brink, i njohur si vullnetar për të ndihmuar vendet më pak në zhvillim, ndërsa ajo është Flutura Açka, botuese dhe shkrimtare njëkohësisht. Kanë sakrifikuar lidhjen e tyre prej rreth 20 vitesh, me aktivitetet përkatëse. Në këtë bashkëudhëtim, pakkush e njeh bashkëshortin e Flutura Açkës, pasi kilometrat dhe angazhimi i tij jashtë kanë pasur efektet e veta. Në këtë distancë, ai na rrëfeu se duke qenë bashkëshorti i një personi të njohur në Shqipëri, nuk përbën asnjë të veçantë për të, pasi sipas Riçardit, ka një integritet të vetin, tek i cili mbahet.

Çdo të thotë për ju të jesh bashkëshorti i Fluturës?

Siç mund ta dini, jeta jonë është e ndarë në dy pjesë: njëra në Shqipëri dhe tjetra në Holandë. Dhe një pjesë e mirë në Skype. Sa i takon Holandës, atje ajo nuk është ende e njohur. Sa i takon Shqipërisë, unë e kam njohur Fluturën kur ajo ishte ende ekonomiste në Elbasan, kështu që ajo m’u duk simpatike, pa gjithë këtë barrë të një njeriu publik. Dhe sa për këtë: nuk ka ndonjë rol tek unë, sepse jam më pak i kujdesshëm ndaj kësaj. Për mua një VIP në Shqipëri është për shembull një grua simpatike në Portokalli, jo gruaja ime. Unë jam totalisht i kënaqur me faktin se ndaj saj ka vëmendje në Shqipëri dhe veç e ndihmoj për këtë. Ajo e meriton të jetë në qendër të vë- mendjes, kur në fakt ajo nuk vrapon për këtë dhe për mua, të jem prapa saj, është një situatë perfekte. Keqkuptime në jetën tonë të përditshme nuk ka pasur, vetëm thjesht një punë e madhe për të bërë libra e për t’i shkruar.

A ju është dashur ndonjëherë të prezantoheni si bashkëshorti i Fluturës?

Po, pak a shumë është kështu: në Shqipëri unë e kam këtë status, por s’është keq të jesh partneri i mbretëreshës.

Në familje kush sakrifikon më shumë?

Kur Flutura është duke shkruar, ka një ndikim në jetën e përditshme. Por kështu ndodh me të gjithë shkrimtarët, apo njerëzit që prej vitesh përgatiten për PhD, të cilët kthehen në egoistë, njerëz asocialë. Kjo kërkon sakrifica, por në fund ia vlen.

Si e gjeni kohën për të qenë të tre bashkë?

Jemi mësuar me faktin që jemi bashkë në një kohë të limituar. Kështu ka qenë qysh në krye. Nuk është ideale, por botimi në Shqipëri nuk është diçka me të cilën mund të mbijetosh. Veç kësaj, unë jam i lidhur me Holandën, sikurse Flutura me Shqipërinë. Sigurisht ne i mungojmë njëri-tjetrit shumë shpesh.

Çfarë të metash ka Flutura (nëse mund të na i rrëfeni)?

Anët negative të Fluturës, në sytë e mi janë më shumë të lidhura me anët negative të kulturës shqiptare në përgjithësi. Në Holandë ne jemi mësuar të punojmë me efektivitet: të marrësh rezultatin më të madh me energjinë më të vogël të shpenzuar. Në Shqipëri shpesh ndodh e kundërta. Sidomos kur duhet të mbash në këmbë biznesin, ky mund të jetë problem. Në Perëndim ka një koncept tjetër për kohën, dhe ne e kemi zhvilluar atë për ta lehtësuar jetën. (Shqipëria s’do t’i kishte gjithë ato Nokia pa këtë koncept të kohës!) Pra Flutura i ka të gjitha përparësitë e të qenit një grua shqiptare.

Po të mirat?

Më lejoni të flas për cilësitë e saj publike. Çfarë më pëlqen tek ajo është shqetësimi për çka ndodh në Shqipëri. Ajo shkruan për problemet që lidhen me pozitën e gruas në Shqipëri, u kujton shqiptarëve se çfarë ndodhi dikur nën diktaturë, kontribuon duke botuar libra shumë të bukur të përkthyer nga Skanderbeg boks në pasurinë kulturore të Shqipërisë.

Si u takuat?

Unë e takova Fluturën në vitet ’90. Ajo punonte në Elbasan. Në atë kohë unë isha duke ndihmuar qytetin me ndihma humanitare prej qytetit tim Utrechtit. Kisha lidhje me spitalet, shkollat dhe bashkitë. Ende punoj për këto. Atëherë Flutura punonte në një shtëpi botuese, çka, për shkak të përvojës sime në botime, isha i interesuar. Në atë kohë, ajo kishte botuar vetëm poezi. Pasi nisi jetën në Tiranë në vitin 2000, ne vendosëm të nisnim botimet tona, Skanderbeg books. Kombinimi i aftësive të Fluturës, lidhjet me Shqipërinë dhe jeta ime e gjatë me botimet e veprave artistike. Unë e furnizova shtëpinë botuese për fat me libra dhe autorë, që më vonë morën Nobelin siç Coetzee, Pamuk.

A sakrifikohet mes të treve, koha që më parë i përkiste familjes?

Pothuajse qysh në fillim, bisedat tona private kanë qenë shpesh të mbushura me botimet dhe letërsinë. Por, një pjesë, dhe ne e shohim këtë si kënaqësi: ka qenë jeta jonë e përhershme. Jeta familjare: nëse Jerin kujton, ka qenë gjithnjë e shenjuar nga botimet. Ai tani nuk shqetësohet dhe aq: ai është i fiksuar pas lojërave dhe ky është prioriteti i tij i tanishëm. Tani neve do të na duhet ta përfshijmë atë në jetën familjare, se sa e kundërta.

Botuar në revistën Psikologji , nr 37

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top