Kur të premten e kaluar në ekranin e News 24 u trajtua rasti i familjes Mera në Urxallë të Burrelit, shumë shqiptarë u përlotën me historinë e tyre. Ngashërimet e gruas së gjorë, sëmundjet e trashëguara të fëmijëve dhe të kryefamiljarit prekën shumëkënd mbrëmjen e së premtes.
Elvis Naçi bëri thirrje nga studio që shqiptarët të vinin dorën në zemër dhe t’i ndihmonin. Situata e tyre ishte urgjente.
Gjatë javës, Elvis Naçi ka udhëtuar personalisht në fshatin Urxallë për t’i takuar nga afër. Në banesën e tyre të rrënuar ku çdo gjë thërriste mjerim dhe sëmundje Elvis Naçi preku nga afër dramën e madhe dhe u ndie i shokuar. Është drithëruese u shpreh ai të gjithë bashkë të bëjmë mrekullinë për këtë familje ishte thirrja e tij. Këta njerëz pas kaq shumë kohesh përjetuan solidaritet, nuk munguan as përqafimet mes tyre. Elvis Naçi u përcolli përqafimet e gjithë shqiptarëve në Shqipëri dhe në çdo vend ku ata jetojnë duke u thënë se tani nuk janë vetëm.
“Shqiptarët për shqiptarët” udhëtuan në fshatin Urxallë me një mision të madh: të kthenin lumturinë në familjen Mera. Kështu bënë, ishte Elvis Naçi i cili me ndihmën e shqiptarëve me zemër të madhe grumbulloi paratë për t’i blerë familjes një apartament në qytetin e Burrelit, afër spitalit dhe shkollës.
Lumturia e anëtarëve të familjes është e papërshkrueshme kur dera e banesës së re u hap për herë të parë. Djemtë kanë dhomën e tyre, ambientet janë të bollshme dhe të rehatshme. Lumja nuk i përmban dot emocionet dhe papritur thotë se nuk e meriton këtë banesë.
Tashmë ata kanë shtëpinë e tyre në qytet afër qendrave shëndetësore ku Bilali mund të vizitohet sa herë të ketë nevojë.
Burimi / BalkanWeb
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.