Rina Narazani aktore dhe bashkëshorte e aktorit Erand Sojli, të angazhuar në spektaklin humoristik “Portokalli” në Top Channel. Kanë dy vajza, Sonja dhe Greta.
Hapat e tyre vejevinin tangent çdo ditë, nëpër shkallë, korridore apo dhomat e leksioneve të akademisë. Vetja e secilit u përkiste dy paraleleve që ndesheshin dhe bëheshin pjesë të pandashme për orë me radhë. Përkundruall njëri-tjetrit ata shikonin dy individë që miqësinë e kishin të shenjtë dhe të paprekshme. Ama jo në kufijtë infinitë. Mbi parketin e drunjtë skenik, befas ndjenja ndillej fshehurazi. Shikimet, plastika dhe lëvizjet në prova apo shfaqje, padukshëm joshnin palët. Në grupin e aktorëve të rinj, Erandi dhe Rina, latonin mendime që pas do kohe do shigjetonin për të goditur zemrat e përkëdhelura nga dashuria. Rina Narazani rrëfen në intervistën e saj çfarë e tërhoqi te Erandi, duke bërë që sot të jetë bashkëshorte e tij dhe nënë e dy vajzave tejet të këndshme që ata kanë. Për herë të parë vijnë publikisht për revistën tonë, duke na kushtuar kohë dhe vëmendje për realizimin edhe të disa fotove.
Si ishin njohjet e para?
Me Erandin jemi njohur kur kam qenë vetëm 20 vjeç. Ishim studentë në të njëjtin kurs, në Akademinë e Arteve. Që kur ai iu bashkëngjit kursit, solli një atmosferë shumë pozitive dhe të ngrohtë për të gjithë, dhe ne u mblodhëm rreth tij si bletët. Të gjithë, pa përjashtim. Këtë kishte dhe ende ka Erandi. Di të jetë atje për të gjithë. Të jetë mjalti i shoqërisë. Më tej, nga pikëpamja personale, tek Erandi ndjeva një fisnikëri të vërtetë, që i rridhte natyrshëm, dhe që për mua është vërtet shumë më e rëndësishme se paraqitja e jashtme, që gjithsesi tek Erandi është gjithë kripë. Mbaj mend një lojë që bëmë në kurs, ku secili duhej të përzgjidhte tek partneri dy karakteristika, njëra t’i pëlqente e tjetra jo. Unë tek Erandi zgjodha sytë si tiparin më të bukur, dhe i gjithë kursi qeshi, për shkak të strabizmit që ai ka. Unë këtë strabizëm nuk e kam parë kurrë. Në sytë e Erandit kam parë gjithmonë vetëm dritë.
Si ju bëri për vete Erandi?
Iu desh shumë punë, pasi unë isha shumë e ndrojtur. Gjithsesi, ai përdori një strategji që është në përgjithësi e pagabueshme. Në fillim më bëri shoqe të ngushtë. Këtë nuk e pati shumë të vështirë, pasi puna për etydet na detyronte të kalonim shumë kohë me njëri-tjetrin. Kur Erandi më shprehu ndjenjën e tij, unë s’munda t’i përgjigjem, por vetëm qaja. Dhe lotët ia shpjegova si trishtimin që sapo kisha humbur një shok. Erandi me humorin e tij më pyeti: “S’po e kuptoj. Është po apo jo?” Unë një marrëdhënie të tillë nuk e kisha menduar kurrë. Dhe ky propozim ndezi tek unë një dritë, një ndjenjë tjetër për Erandin. Dhe megjithëse në atë moment ia mohova propozimin, fillova të ndjej një mungesë të madhe kur nuk e kisha pranë, pasi ai filloi të distancohet. Kjo ndjenjë e imja filloi të ushqehet dita ditës dhe pas tre muajsh rolet u ndërruan. Isha unë ajo që në vend të një propozimi i dhashë një të puthur, që vazhdoj t’ia jap ende çdo mëngjes (dhe drekë, dhe pasdite, dhe darkë…).
Femrat i adhurojnë meshkujt që kanë një personalitet interesant dhe një status të caktuar. Si ka ardhur kjo te ju?
Personaliteti interesant është tërheqës, si për meshkujt ashtu dhe për femrat. Padyshim, që personaliteti i Erandit nuk kalon i pa vënë re. Sa për statusin e Erandit, kam përjetuar çdo hap të ndërtimit të tij, pasi kur u njohëm ishim vetëm dy studentë plot ëndrra dhe pasion për profesionin që kishim zgjedhur. Nuk mund të mohoj krenarinë dhe adhurimin që ndjeja për rrugëtimin e suksesshëm të Erandit në karrierën e tij si aktor. Ngjitja e tij më dukej sikur ishte dhe e imja, pasi roli im si nënë dhe bashkëshorte, i shtyu disi për më vonë hapat e mija në ekran. Mbrojtje nuk i kam kërkuar kurrë Erandit, madje nuk mendoj se kam nevojë për mbrojtje nga njeriu im. Kështu besoj se duhet të jetë për çdo njeri, femër apo mashkull, të ‘shëndetshëm’ dhe me vetëbesim. Kam mjaftueshëm mekanizma që më bëjnë të ndihem e sigurt. Ajo që kërkoj dhe që jap pa reshtur në këtë marrëdhënie është mbështetja. Mirëkuptimi dhe besimi tek tjetri janë dy elementë, nga më të rëndësishmit, që një marrëdhënie të shkojë sa më larg.
Në aspektin profesional sa ju ka mbështetur partneri?
Nuk kam qenë kurrë ambicioze, të paktën jo në aspektin e arritjes së një gjëje me çdo mënyrë. Kur ti i jepesh një pune me gjithë shpirt, realizimi i saj do sjellë detyrimisht punë të tjera, e kështu mendoj se ndërtohet një karrierë e shëndetshme dhe e pastër. Duhet të pranoj që një nga mangësitë e mija është tutja për të guxuar. Këtë tipar ma plotëson Erandi, i cili e ka guximin me bollëk, aq sa shpeshherë më frikëson me rrisqet që merr. Gabriele Vacis, një regjisor i mirënjohur italian me të cilin kemi punuar për ‘Antigonën’, e ka karakterizuar Erandin si “të krisur”, megjithëse për të, ky ishte një element shtytës dhe pozitiv. Kështu më ka mbështetur gjithmonë Erandi, sidomos gjatë kohës kur vajzat ishin ende të vogla dhe mua më duhej nga një anë të isha nënë e palodhur dhe nga ana tjetër të realizohesha në skenën e teatrit ‘Skampa’, nga e cila nuk jam larguar as në momentet që kërkonin një investim të madh si bashkëshorte dhe nënë.
Çifti juaj karakterizohet nga shpirti i humorit…
Është bukur të kesh humor. Për mua humori është si një organ, si pjesë e trupit. Si dora apo këmba që të bëjnë të ecësh përpara. Humori nuk tërheq vetëm partnerin, por të gjithë njerëzit. I afron, i zbut, i çliron. Në fakt tani që e mendoj, humori është arma dhe cilësia më e mirë. Por nuk është e vetmja gjë që kërkohet nga një njeri. Jo çdo njeri që bën humor do ta merrja për burrë. Përveç dritës që përmenda më lartë dhe humorit që e kemi me bollëk, partneri duhet të ketë një sërë cilësish, kombinimi i të cilave e bën atë unik e të pazëvendësueshëm.
A ju ka thënë në fillimet tuaja se kur qeshni bëheni më e këndshme?
Vazhdon të më thotë dhe të më bëjë të qesh.
Botuar në revistën Psikologjia, nr.68
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.