Editorial

November 16, 2015 | 9:50

Ripërtëritje

Nga Orjona Tresa

Sport… fizik dhe mendor.

Qëllimet janë gjithmonë të mira kur ato synojnë nxitjen e një arsyeje të shëndetshme. Ato vijnë sa herë nevoja e kërkon. Një jetë aktive nuk mundet kurrsesi të funksionojë ndryshe. Ajo priret të ndezë motorët pa hapur sytë ende. Nënndërgjegjja thërret edhe në dremitjen e fundit. Duket se një hap para mëngjesit herët kërkon të azhornojë mendimet. Thirrja së brendshmi e bën një plan pune, qoftë dhe në mënyrë autodidakte apo krejt amatore. Teksa dita zbardh, lind dhe mendimi i parë.

…Ngrohja e motit, dielli që lind më herët, gjelbërimi pranveror janë karikuesit më të mirë për një dite produktive. Dhe jo vetëm. Sinergjia: trup-mendje, jep një ndikim të pashoq në pritshmërisë që i vëmë vetes. Ushqyes efektiv, i domosdoshëm në këtë ecuri është edhe aktiviteti fizik. Ai nis me ecjen, e cila shpesh është quajtur si ushtrimi më i përkryer për njeriun. Diçka e jashtëzakonshme dhe rigjeneruese njëkohësisht. Një mënyrë e thjeshtë. Nuk ka nevojë për forcime dhe as ushtrime force për të qenë një “bodybuilding”. Duke e vënë njërën këmbë në frontin tjetër, mund të jetë sa tonike aq dhe gjallëruese. Provoni ta bëni rrugën për në punë, në këmbë. 30-40 minuta, jo më shumë. Thjesht dilni pak më herët nga shtëpia dhe vihuni në kontakt më të natyrshëm me oksigjenin e ambientit. Një gjë e tillë nuk ka për t’ju zhgënjyer aspak. Ritmi do t’ju sjellë shpejt frytet. Do jetë jeni më të lehtë në trup e frymëmarrje.Jo më kot zë vend shprehja e vjetër, që thotë:

“Nëse do të jesh i fortë vrapo, nëse do të jesh i bukur vrapo, nëse do të jesh i shëndetshëm vrapo”.

Mund të duket një trend në kohët e sotme, të kërkosh tonifikimin e trupit para ditëve të plazhit, por ku ka më mirë se sa ky trend shndërrohet në një ambicie dhe nevojë për ta kthyer vëmendjen në aspektin e mirëqenies psikofizike. Një ecje e shpejtë nga kodrat e Parkut Kombëtar, apo Liqenit Artificial, një vrap i moderuar apo aktivitet më i zhdërvjellët fizik, padyshim është karikimi dhe ripërtëritja që i nevojitet çdokujt. Jo vetëm të rinjve, por dhe atyre që i kanë kaluar të 45-at padyshim. Provojeni dhe do të shijoni ndjesinë që natyra e fal me doza të plota. E shmang kardiologun. Në rastet më të mira dhe problemet me yndyrat, diabetin apo hipertensionin. Regjimi gjimnastikor është mjeku më i mirë i vetvetes, dhe me pak dietë ushqimore sigurisht. Ky regjim tejet i nevojshëm, në bazë dhe rregullave të ecjes së nxituar, ju bën të ndiheni më të gjallë dhe të shëndetshëm, gjë që ndikon në jetëgjatësi, produktivitet dhe nxitje të humorit personal.

Sepse, në fakt, çdo gjë jeton dhe vazhdon të jetojë nëpërmjet përpjekjeve për ripërtëritje.

Çdo hap që hedhim na bën të kërkojmë, reflektojmë dhe krijojmë ndjesi të reja për jetën. Aty gjejmë muzën për ide të reja, gjejmë faljen për një veprim të gabuar, gjejmë shpresën për të kapërcyer vështirësitë, sepse nga lidhja funksionale trup-mendje gjejmë veten tonë. Pra vraponi!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top