Rikthehet antraksi në Shqipëri, specialistët e shëndetit publikë ngrenë alarmin: kujdes me mishin! Infektimi me antraks i 4 banorëve në Përmet dhe Gjirokastër si dhe një tjetër i dyshuar në Elbasan ka alarmuar autoritetet shëndetësore. Ekspertë të Institutit të Shëndetit Publik janë në kontakt të vazhdueshëm me specialistët e tyre në terren me qëllim mbajtjen në kontroll të situatës. Sipas Top Channel, janë katër raste të shtuar në spital, 3 nga Përmeti dhe 1 nga Gjirokastra, të cilat janë klinikisht me antraks, por nuk janë vërtetuar ende në mënyrë laboratorike.
Shefja e departamentit të sëmundjeve infektive pranë ISHP, Silva Bino thotë se kjo situatë është krijuar për shkak të mos vaksinimit në kohë të kafshëve në këto zona.
“Antraksi përhapet nga kafsha tek njeriu dhe të gjithë këta të prekur kanë ardhur si pasojë e mosvaksinimit të kafshëve, apo problemeve me vaksinimin. Tani ka filluar, por do të ishte mirë të bëhej paraprakisht”, shton Bino.
Ndonëse tanimë janë angazhuar të gjitha strukturat për marrjen e masave, Bino ka një apel për banorët e zonës si dhe për shërbimin veterinar.
***
Antraks (Anthrax) njihet si sëmundje infektive që prek kafshët dhe njeriun. Në kafshë zhvillohet në formë septicemike, kurse te njerëzit shfaqet më tepër në formë të lokalizuar të puçrrës së zezë (pustula maligna). Në popull kjo sëmundje njihet me emrin “plasja”. Antraksi është një sëmundje infektive që shoqërohet me temperaturë të lartë dhe edemë të shpretkës.
Shkaktari BACILUS Anthaxis është baktere G + e palëvizshme, formë shkopore (bacil) me madhësi 1.5*5-10 mikronë e gjatë. Kjo baktere në kushte të papërshtatshme jetese në mungesë ushqimi dhe në prani të O2, me lagështi të mjaftueshme dhe temperaturë optimale krijon SPORE. Temperatura normale për krijimin e sporeve është 30-35 C.
Burimet e infeksionit mund të jenë toka,kafshët dhe njerëzit. Kafshët më së shpeshti infektohen me marrjen e drejtpërdrejtë apo të tërthortë të sporeve, të cilat gjenden në vendin e infektuar. Kafshët zakonisht infektohen herët në pranverë ose ne vjeshtën e vonë kur bari është ende i vogël dhe e shkulin me rrënjë dhe me këtë rast edhe i marrin sporet.
Përveç kafshëve edhe njeriu është i rrezikuar nga infektimi. Më të rrezikuar janë blegtorët, kasapët, veterinerët, lëkurëpunuseit etj. Njeriu më së shpeshti infektohet përmes lëkurës dhe me anë të rrugëve respiratore. Burimet e infeksionit te njeriu janë: mishi i kafshëve dhe prodhimet e mishit të thara (sallamet), sëmundje profesionale, industria e lëkurës, thertoret, insektet.
Para viteve ’50 në Shqipëri “plasja” ka qenë shumë e përhapur dhe shkaktonte dëme të mëdha në bagëti e raste të shpeshta në njerëz. Një vaksinë sistematike e prodhuar në Institutin e Kërkimeve Veterinare në Shqipërinë e para viteve ‘90, solli thuajse zhdukjen e saj. Në këtë institut krahas vaksinës është prodhuar edhe serumi kundër plasjes.
Në mënyrë që të bëhet parandalimi i Antraksit duhet që:
– gjatë pranisë së antraksit kontrolli i temperaturës të jetë i herëpashershëm
– vaksinim në zonat me rrezik (imunitet 1 vjeçar)
– trajtim me antibiotik i kafshëve më temperaturë
Në kafshët shtëpiake mund të përdoret serumi hiperimun (i kalit, gjedhit). Paralelisht me serumin, kafshës mund t’i aplikojmë edhe antibiotikët si: penicilina, tetraciklina, sulfopreparatet etj.
Profilaksia e përgjithshme realizohet me dezinfektimin e rregullt, eliminimin e pa dëmshëm të kufomave të kafshëve, eliminimi e qenve endacakë në vendin e antraksit. Imunoprofilaksia realizohet me vaksinimin e domosdoshëm dhe të rregullt në zonat e infektuara 14 ditë para lëshimit të kafshëve në kullotë dhe 14 ditë para fillimit të ushqimit dimëror përdoret vaksina e gjallë, e dobësuar, si monovalente apo në zona edhe bivalente apo trivalente (antraks-këmbëzezë-edemë malinje).
Përgatiti Orjona Tresa
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.