Dëshmi

February 17, 2023 | 9:48

Rita Ora uron 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës: Faleminderit për të gjitha këto vite krenarie dhe mbështetje

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Rita Ora, ka uruar shqiptarët e Kosovës me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë.

Përmes një video-mesazhi, ajo nuk nguroi të shprehte edhe një herë mirënjohjen për bashkëkombësit e saj, që e kanë mbështetur gjithmonë.

“Do të mund të flisja pa u ndalur për rrugëtimin tim me njerëzit e mi në Kosovë. Urime Pavarësia Kosovë dhe faleminderit për të gjitha këto vite krenarie dhe mbështetjeje”, ka thënë ndër të tjerash Rita.

Video-mesazhi i plotë i këngëtares shqiptare do të transmetohet i plotë në koncertin festiv të RTK-së me rastin e përvjetorit të Pavarësisë, të titulluar “Rrno për me tregue”. Rikujtojmë që Rita i ka dedikuar edhe një këngë Kosovës në vitin 2012 me titull “Shine Ya Light”.

 

 

Sot bëhen 15 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, shpallur më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Ligjshmëria e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për një kohë ka qenë temë e diskutueshme. Serbia duke kundërshtuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës kërkonte vlerësimin e vlefshmërisë ndërkombëtare dhe mbështetje për pozicionin e saj, kinse se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte e paligjshme.

Në vazhdën e kësaj ecurie, në tetor të vitit 2008, Serbia kërkoi një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë përmes një Vendimi Këshillëdhënës rikonfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës. Për vite me radhë qytetarët e Kosovës vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviçit, gjë e cila rezultoi me një Luftë Çlirimtare (1997-99).

Për të kremtuar këtë ditë sot institucionet e Kosovës do të organizojnë një sërë aktivitetesh.

 

 

 

Burimi/ RTK

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top