Marrëdhënie

June 17, 2016 | 9:19

Rita Petro: Përpjekja për të ndryshuar partnerin… e gabuar

Ata e gjetën njëri-tjetrin pikërisht në një kohë kur mendonin se i kishin zgjidhur të gjitha gjërat e rëndësishme në jetë: profesionin, punën, familjen, fëmijët e rritur… Dashuria e tyre ishte njësoj si ato helmatisjet që të shkojnë drejt e në gjak dhe nga gjaku në tru… Të përpijnë, dhe befas e gjithë jeta jote merr tjetër drejtim.

Rita Petro dhe Latif Ajrullai nuk janë rastësisht bashkë prej 11 vjetësh. Kanë zgjedhur që të jenë një çift i jashtëzakonshëm brenda të zakonshmes, larg detyrimeve familjare dhe monotonisë së jetës bashkëshortore. Preferuan kontratën morale e atë shpirtërore përpara asaj në letër, që ndryshon statuset e partnerëve respektivë. Ndërsa të dy ndajnë të njëjtën shtëpi, bashkëjetojnë në strehën e tyre të dashurisë, por sipas rregullave që i kanë vendosur vetë ata. “Bashkëjetesa të jep shumë më tepër mundësi e liri, sesa një lidhje familjare tradicionale për të ruajtur individualitetin tënd. Ne nuk kemi ato përgjegjësitë familjare si të çifteve të tjera, prandaj mundësitë për konflikt te ne janë më të kufizuara. Megjithatë, fakti që jetojmë bashkë na detyron çdo ditë të bëjmë kompromise; dhe kur bën kompromise, humbet gjithnjë diçka nga vetvetja. Por ama fiton një gjë të madhe: sigurinë e të qenit së bashku dhe kënaqësinë e të ndjerit mirë me njëri-tjetrin”, rrëfehet Rita. Të pasurit e projekteve të përbashkëta, interesat e përkora në aspektin profesional dhe atë të biznesit, dhe gjithë përfshirja në jetët e njëritjetrit kanë bërë që ata të duhen sa me zemër, aq edhe me mendje. Maturia që i karakterizon dhe eksperienca jetësore që kanë mbi supe i ka urtësuar të dy… i ka bërë më tolerantë edhe përballë konflikteve. Sepse toleranca e vërtetë, më shumë se shpirtgjerësia, sipas Ritës, vjen nga të analizuarit e fakteve, situatave. Fatmirësisht, ata të dy e zotërojnë aftësinë e analizës dhe arsyes së ftohtë, e kjo i ka ndihmuar që gjithnjë të gjejnë një zgjidhje edhe në çastet kur gjithçka përreth i ngjan një humnere. “Përpjekja dhe këmbëngulja për ta ndryshuar partnerin shpesh rezulton e gabuar. Unë shumë shpejt e kuptova se përshtatja mes dy partnerëve duhet të vijë natyrshëm, dhe jo e sforcuar. Isha mësuar me shumë liri, shumë punë i bëja sikur të isha burrë, pa pyetur askënd. Kjo na krijonte konflikte me Latifin, i cili dhe nga ana e tij nuk ishte mësuar me një liri të pakufizuar gruaje dhe aq më tepër të gruas që dashuronte. Fillimisht unë udhëhiqesha nga instinkti, sinqeriteti, entuziazmi dhe nuk e mendoja fare se mund ta lëndoja. Ka kohë që jam bërë mjaft e kujdesshme; fillimisht më mundonte kjo përkujdesje, por tani ajo është kthyer në një sjellje të natyrshme timen”, vijon ajo. Tashmë, ata rrinë gjatë me njëri-tjetrin, ngase edhe punojnë bashkë në shtëpinë e tyre botuese. Dhe kur ndodh të ndjejnë familjarizimin e tepërt, atëherë fillon tërheqja: Për fatin e mirë të Ritës, “bashkëjetuesi” i saj udhëton shpesh jashtë shtetit dhe këto ikjet e ardhjet janë më se të mjaftueshme për t’u ndier rehat me vetveten, për t’iu përkushtuar më shumë fëmijëve, njerëzve të tjerë të familjes dhe miqve. “Gjithsesi, është shumë e rëndësishme që të dy jemi “me tentakula të ngritura” për të mos lejuar të futet midis nesh familjarizimi, ky armik i padukshëm, por i pashmangshëm në jetën e një çifti. Është paksa e lodhshme kjo mënyrë të jetuari gjithnjë në vigjilencë, mirëpo nuk ka zgjidhje tjetër. Nëse njëri nga ne do të lodhej nga kjo, atëherë edhe ne do të kthehemi si ato çiftet që flasin për gjithçka: fëmijë, prindër, punë, politikë, por jo për vetveten dhe për frymën që e mban në jetë çiftin”, përfundon poetja dhe botuesja e njohur.

Psikologji Mars 2011

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top