Muzeu Historik Kombëtar organizoi sot veprimtarinë “Një pasdite në muze” me temë: “Roli i arsimit në luftën për pavarësi”.
Tema kishte si qëllim njohjen e pjesëmarrësve me disa prej faqe të ndritura të historisë së shkollave të para kombëtare shqipe. Shkollat kombëtare shqipe u krijuan në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare duke ndryshuar rrënjësisht nga shkollat që ekzistonin deri në atë kohë në Shqipëri. Çelja e shkollave të para kombëtare shqipe është frut i përpjekjeve të përbashkëta të shqiptarëve, brenda dhe jashtë Atdheut, është frut i gjithë lëvizjes kombëtare shqiptare. Në atë periudhë u hodhën themelet e një arsimi përparimtar për kohën, të ndërtuar mbi baza kombëtare.
Në këtë veprimtari foli Drejtori i Muzeut Hiistorik Kombëtar, z.Dorian Koçi, i cili mes të tjerash tha: “Në historinë e popujve fqinjë nuk përmenden asnjëherë urdhëresa zyrtare për ndalimin e gjuhës së tyre të lëshuar nga Perandoria Otomane apo mallkime dhe anatemizma nga autoritete të tjera që ndanin pushtetin me Perandorinë Otomane, si mitropoli apo institucione të tjera fetare. Krejt i kundërt ishte ky realitet tek shqiptarët, të cilët duke qenë një nga popujt më të vjetër të rajonit, në fillim të zgjimit të tyre nacionalist dhe fillimit të krijimit të ndërgjegjes kombëtare u gjendën para një realiteti të trishtë. Gjuha e tyre, ajo që me fanatizëm e kishin përcjellë nga brezi në brez dhe që ishte krejt e veçantë nga gjuhët që flisnin rreth e rrotull, nuk kishte shumë vepra të lëna më para në memorien historike dhe për më tepër tashmë në shekullin e revolucionit industrial dhe të shpërndarjes së shtypit të shkruar, nuk shkruhej me një alfabet të saj origjinal, por me alfabete të tjera të huaja që nuk përfaqësonin dot denjësisht të gjitha tingujt e pasur të saj. Por sikur të mos mjaftonin vetëm këto vështirësi, atyre iu shtua dhe armiqësia e hapur dhe e shpallur e autoriteteve osmane dhe e klerit grek të cilët bënë ç’është e mundur që gjuha e tyre të mos shkruhej dhe humbiste pluhurit të kohës. Dënime me burgime, internime, urdhëresa ndalimi të përdorimit të saj, anatemizma dhe mallkime kishtare dhe deri në vrasje dhe eliminime fizike ndaj veprimtarëve, mësuesve dhe patriotëve të parë shqiptarë u bënë pjesë e kësaj doktrine denigrimi ndaj gjuhës shqipe. Emrat e Petro Nini Luarasit, Pandeli Sotirit, Papa Kristo Negovanit, Gjokë Shqiptarit etj. martirëve të gjuhës shqipe fajësojnë jo vetëm ndërgjegjen e njollosur të shovinizmit grek dhe otomanizmit të sëmurë lindor, por shërbyen dhe për të forcuar dhe farkëtuar identitetin kombëtar të shqiptarëve”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.