(Shkëputur nga Manuali -“Mësimdhënia dhe të Nxënit”)
“Jepu njerëzve lëmoshë apo një mjet pune, ata do të jetojnë pak më mirë. Jepu atyre arsim, ata do të ndryshojnë botën”.
Psikologjia e edukimit është degë e psikologjisë që studion mënyrën e zbatimit të parimeve të psikologjisë në fushën e edukimit. Ka shumë përcaktime të termit edukim. Këtu do t’i referohemi edukimit si: “Procesi me të cilin një shoqëri transmeton tek anëtarët e rinj të saj vlerat besimet, dijet dhe shprehjet simbolike për të realizuar komunikimin brenda shoqërisë”.
Kudo shkollat janë institucione zyrtare përgjegjëse për edukimin e anëtarëve të rinj të saj. Por jo i gjithë edukimi kryhet në shkollë. Jeta është një shkollë e madhe ku edukimi kryhet çdo ditë, çdo orë edhe pse është i paorganizuar dhe shpesh i paqëllimtë. Edukimi mund të jetë i paramenduar (si në klasë) apo i paparamenduar (si ai që kryhet në familje dhe në rrugë, me anë të paragjykimeve nga njëri brez në tjetrin).
Nga Prof.Assoc.Doc.Dr.Ilia S.Larti
Kurdoherë që kryhet edukimi, i paramenduar ose jo, ai lidhet me psikologjinë, pasi psikologjia studion sjelljen, zhvillimin dhe të nxënit e njeriut.
Përqendrimi në psikologji
Psikologjia përcaktohet në shumë raste si shkenca mbi psikikën-mendjen. Por asnjë shkencë nuk mund të japë njohurinë e “vërtetë’. Shkenca na siguron rrugët për të vështruar botën. Është thënë mjaft mirë nga shumë studiues se, kur vështroni botën, ato që shikoni janë në mendjen tuaj.
Psikologët përpiqen të shqyrtojnë mënyrat e vështrimit të botës dhe mënyrat e ndërveprimit me të. Ashtu sikurse edhe shkencat e tjera, psikologjia nuk siguron “të vërtetën absolute”. Rezultatet e kërkimeve psikologjike duhet të trajtohen me kujdes dhe t’i nënshtrohen një analize të kujdesshme. Ata janë të ndikuar, sikurse edhe në shkencat e tjera, nga vlerat e kërkimeve dhe teorive.
Kuptimi i termit psikologjia e edukimit është më tepër se shuma e të dy pjesëve. Qysh nga koha që ka ekzistuar psikologjia e edukimit, për rreth 90 vjet, ka pasur debate mbi atë se çfarë është ajo në të vërtetë. Disa besojnë se psikologjia e edukimit është thjesht dija e përftuar nga psikologjia dhe e zbatuar në veprimtaritë e klasës. Të tjerë besojnë se ajo përmirëson zbatimin e metodave të psikologjisë për të studiuar jetën brenda klasës dhe shkollës në mënyrë më të përgjithshme. Të tjerë argumentojnë se psikologjia e edukimit është një disiplinë e veçantë, me teoritë, metodat kërkimore, problemet dhe teknologjitë e saj.
Sipas kësaj pikëpamjeje, që në përgjithësi pranohet sot, psikologjia e edukimit merret së pari me:
1) Të kuptuarit e procesit të mësimdhënies dhe të të nxënit.
2) Rrugët e zhvillimit të këtyre proceseve.
Psikologët e edukimit zbatojnë njohuritë e fushave të tjera dhe gjithashtu krijojnë njohuri të reja. Ata përdorin metodat e përgjithshme shkencore dhe zhvillojnë metodat e veta. Ata ekzaminojnë dhe studiojnë të nxënit dhe mësimdhënien në laboratorë, çerdhe, shkolla, universitete, ushtri, polici, industri dhe në shumë vende të tjera. Pavarësisht nga situata apo subjekti në studim, psikologët e edukimit merren veçanërisht me zbatimin e njohurive të tyre në përmirësimin e mësimdhënies dhe të të nxënit.
Psikologjia e edukimit nuk është e kushtëzuar vetëm nga laboratori; ajo është e lidhur ngushtë me ç’ka ndodh kudo ku njerëzit mësojnë.
Psikologët e edukimit dallojnë prerë të nxënit dhe mësimdhënien
Gjithçka që dimë mbi procesin e të nxënit bazohet në kërkimet laboratorike të kontrolluara. Por njohuritë se si mësojnë njerëzit në mjediset e kontrolluara të një laboratori nuk na tregojnë se si duhet t’u japin mësim në situatat shpesh të paparashikuara në klasë. Teoritë dhe metodat e mësimdhënies, të cilat bazohen në teoritë e të nxënit, duhet të jenë të ekzaminuara dhe të testuara jashtë laboratorit. Studimi i mënyrës së të nxënit të njerëzve është vetëm gjysma e ekuacionit. Gjysma tjetër është të studiojmë si t’i mësojmë ata, d.m.th., evidentimi i rrugëve të efektshme për t’i mësuar ata. Psikologët e edukimit i bëjnë të dyja këto.
Përqendrimi në të nxënit
Fëmijët shkojnë në shkollë për të mësuar. Nëse ata nuk mësojnë, shkollimi nuk është i përshtatshëm për ta, pra nuk plotësohen kërkesat e tyre. Moshat e reja kanë aftësi natyrale për të nxënë. Ata mësojnë shumë shpejt në mjedisin e tyre natyror. Ata mësojnë njohuri. Ata mësojnë njohuri për natyrën dhe shkencat e saj, histori, gjeografi dhe lëndë të tjera. Mësimi është i organizuar në mënyrë të tillë që ata të mësojnë lëndët me synimin që t’i përshtatin ato në jetën e mëvonshme. Me këtë synim afatgjatë dhe me një strukturë abstrakte, mësimi në shkollë nuk është i gjithë i natyrshëm.
Për t’u bërë i tillë, fëmijët duhet të zotërojnë me shumë se sa këto aftësi natyrore. Ata kanë nevojë të mësojnë se si të nxënit dhe mënyrën se si të drejtojnë të menduarit për të nxënë. Proceset e të nxënit janë të ndryshme. Secili prej tyre ka një rol të rëndësishëm në përvetësimin e njohurive dhe të vlerave.
Megjithatë, shkolla është një vend ku fëmijët marrin mësim, që rrallë i ndeshin në mjedisin e tyre natyror.
Përqendrimi në mësimdhënie
Sikurse edhe të nxënit në mjaft drejtime, mësimdhënia është një veprimtari natyrore. Shumë njerëz janë të aftë në kallëzimin, tregimin, përshkrimin dhe shpjegimin e jetës së përditshme. Mësimdhënia jonë e natyrshme përfshin ndërveprimin me një person i cili na bën pyetje dhe seriozisht pret të dijë përgjigjen. Por nuk ka asgjë të natyrshme rreth mësimdhënies së lëndëve dhe vlerave për numrin e madh të fëmijëve në një klasë të mbingarkuar. Mjaft nxënës mbase nuk kanë dëshirë të ndodhen atje. Ndoshta ata nuk kanë interes për momentin, p.sh., të mësojnë për thyesat dhjetore. Ata i drejtojnë interesat në drejtime të tjera, p.sh., të bisedojnë me shokët/et, të luajnë etj. Klasat nuk janë mjedise natyrore të të nxënit. Ato janë krijuar si mjedise për shkollim. Mësuesit nuk mund të depërtojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë te mendjet e nxënësve. E vetmja gjë që mund të bëjnë ata është t’i sigurojnë nxënësve përvoja me të cilat ata të ushqejnë mendjet e tyre. Përvoja mund të sigurohet përmes shfaqjes, tregimit dhe formave të ndryshme të punës.
Arti i mësimdhënies është menaxhim i përvojës së nxënësve, më së shumti në klasë, krijon mundësinë e të nxënit.
Menaxhimi i realizimit të të nxënit ka diçka të përbashkët me format e menaxhimit. Menaxherët duhet të kenë objektiva të qartë. Ata duhet të përdorin burime të ndryshme për arritjen e objektivave. Duhet të mbledhin të dhëna për të vëzhguar përparimin drejt arritjes së objektivave dhe nëse ky nuk arrihet, ata duhet të rimendojnë dhe të riorganizojnë burimet në një mënyrë të re. Edhe mësuesi shpesh kryen këto veprime menaxheriale.
Mësimdhënia si menaxhim i përvojës së të nxënit është objekt kryesor i psikologjisë së edukimit.
Në mënyrë të vazhdueshme mësuesi duhet të përqendrohet në përcaktimin e qëllimeve të të nxënit dhe të grumbullojë të dhëna rreth tij. Të gjithë menaxherët kanë diçka të përbashkët, por menaxhimi i veçantë kërkon njohuri të veçanta. Kështu p.sh, menaxherët për shitjen e mallrave e kanë të nevojshme të folurit me gjeste që lidhet me blerësit, mënyrën e reklamimit të mallit, paketimin etj. Mësuesve si menaxherë u duhen njohuri dhe në të njëjtën kohë edhe shprehi të veçanta për të kryer misionin e tyre.
Mësuesit duhet ta kuptojnë materialin që zhvillojnë në mësim. Në të njëjtën kohë ata duhet të kenë dhe aftësinë e kombinimit të lëndës me materialet e lidhura me të. Librat, materialet didaktike, pamje që nga fotografitë deri te pamjet filmike e kompjuterike dhe vizitat që bëjnë me nxënësit për të kuptuar në mënyrë të plotë lëndën. Pra të gjitha këto krijojnë besim, përparësi, motivacion dhe shpresë për të ardhmen, me dije teorike të qëndrueshme dhe shprehi të vetëdijshme praktike.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.