Marrëdhënie

March 25, 2016 | 10:23

Romanca e ka emrin altruizëm

Psikologe klinike

Psikologe klinike

Nga: Manjola Baçi

Gjendja komplekse në një marrëdhënie stimulon të gjitha aftësitë që kanë partnerët karshi nivelit emocional që ndërtohet, me bazë komunikimin dhe ndjesitë altruiste. Përvoja në çift ka treguar se karakteret mund të jenë të ndryshëm, mund të fitojnë zakone dhe të marrin jetë nga secili. Kjo aftësi zbulon te marrëdhënia e ndërsjelltë karakteristika emocionale, të cilat e stimulojnë dhe e motivojnë lidhjen, për të ndarë ndjesitë që vlojnë pa kushte dhe, kur kjo ndodh, e gjejnë veten të konsumuar shumë shpejt. Nga e gjithë kjo, me pa dyshim në këtë gjendje të krijuar, ka të mira, por të qenit vetvetja kërkon pjekuri emocionale. Në një kohë shumë të shkurtër, lidhjes partneriale i ndodhin njëherazi vërshime ndjesish, ku provohen nga pak të gjitha, por me tendencën për të mbyllur njërin sy e njërin vesh. Kjo, për të vetmin fakt: të japësh mundësi dhe t’i tregosh vetes se kjo që ndodh, nuk është dështim zgjedhjeje. Përplasjet që ka lidhja në fillimet e veta janë treguesit për të qenë të pranishëm, për ta bërë lidhjen më brutale nganjëherë. Afiniteti midis dy personave ndodh si reagim tërheqjeje për atë çfarë tregon tjetri përkarshi partnerit, ose e kundërta. Po ta keni vënë re, gjithnjë themi se, ishte ajo ose ai që filloi të më ngjallte ndjenjën, tezë e cila mund t’i qëndrojë këndvështrimit, por mund të jetë edhe nxitja e dyanshme. Atribuimi i sjelljeve ndaj njëri-tjetrit ndihmojnë në zhvillimin e zhdërvjelltësisë në të menduar, si dhe praktikimin më pas të disa zakoneve apo sjelljeve që atyre u pëlqejnë dhe që, në fakt, nuk bëjnë gjë tjetër veçse përkëdhelin sedrën. Romanca është një gjest që nuk lë të kushtëzohesh përballë ndjenjës së dy të dashuruarve, por kërkon përkushtim, pa bërë hile nga njëri partner, pasi nëse këtu fillon përçarja, gjë që shuan dhe pasionin. Pse ndodh që romanca të venitet apo të mungojë në një lidhje në dy? Që ta paraprini këtë periudhë apo fazë në çift, si më poshtë do të gjeni disa këshilla që ju ndihmojnë për të mos e përjetuar. Ky, në fakt, është cikli i lidhjes që e përqas atë, një nga raportet midis unit dhe egos që ndodh mes individëve në një lidhje.

Lidhje e konsumuar – Një nga faktet që e tremb njërin nga partnerët që pa e filluar vetë këtë raport, duke dëgjuar nga përvoja e miqve apo e të panjohurve, i bën ata të frikësuar për marrëdhënien që ata do të krijojnë dhe, pasi e krijojnë atë, nuk janë vetvetja. Mundohen të krijojnë disa stereotipa mbi marrëdhënien, aq sa humbasin rrugës së ndjenjës, duke dhënë sinjale afrimi apo kënaqësie shpirtërore.

Lidhje e shtirur – Në fillesat e para të lidhjes, sjellja mes partnerëve është mjaft modeste. Konfrontimet gjithashtu mbivendosen aq sa nuk lënë vend për altruizëm, por për t’u shtirur si një individ jo siç është në të vërtetë, por atë që do të donte partneri. Sinjale këto që vijnë nga mënyra indirekte gjatë zbulimit të asaj se çfarë njeriu pëlqen dhe si do të donte që partneri të ishte.

Lidhje kopje – Me gjithë dëshirën për të qenë autentikë, kjo gjë i shpëton shpejt lidhjes partneriale. Edhe pse e duan njëri-tjetrin, ata kërkojnë të modelojnë pasardhësit e tyre, e cila është një ngjizje e të pavetëdijshmes. Ajo që është e shëmtuar ndodh kur romanticiteti huazohet nga modele miqësie, apo modele që nuk ka kurrfarë lidhje me ta. Ndaj thuhet se njeriu është unik në llojin e tij, thjesht e përdor atë që ndien pa qenë nevoja në e ka bërë mirë apo keq. Dilema të tilla: “Nuk jam në lartësinë e duhur për të”, e humbasin përgjigjen për romanticitet të pastër, duke penguar dhe shijimin e dashurisë gjithashtu.

Lidhje shfrytëzuese – Jo rrallëherë ngjarje me një vetëdije të tillë mund t’i ndodhin lidhjes. Ndodh në fillim të saj, apo përgjatë përvojës ekzistenciale të çiftit. Është një e vërtetë që pasohet nga nevoja fiziologjike, për ta përqendruar në atë ndjesore (emocionale). Kjo është faza nëpërmjet së cilës kërkohet epërsia, nevoja imediate për ta përçuar nga procesi i të menduarit, në atë intim. Konflikti njohës në këtë lidhje është individual, pavarësisht se kjo ndodh tek të dy, por ndryshon në kohë dhe në shfaqjen e nevojave për të. Gjatë punës sime terapeutike me çifte të ndryshëm, kam vlerësuar disa pika si anomali që shfaqen në një lidhje dhe që janë të paevitueshme për të rifituar romancën në dy. Konsultat me terapistin ndihmojnë në kapërcimin e këtyre problematikave, të cilat çojnë deri në konflikte, duke e vështirësuar marrëdhënien në të gjithë aspektet. Askush nga partnerët nuk do të donte të vuante, por arsyeja humbet kur niveli i egos është në konkurrencë me atë kur brishtësia shihet si dobësi apo naivitet. Gjestet janë ato që bien në pah më shumë sesa prania fizike, pasi flasin më shumë, tregojnë sa i rëndësishëm je për të. Kur mungojnë të tilla gjeste të ëmbla, marrëdhënia pëson ndryshime në besim, siguri, të qenit i vlerësuar. Unë mendoj se njeriu si qenie, për një periudhë të jetës apo mundësi zgjedhjeje, kërkon të viktimizohet, pasiashtu mendon se do të marrë vëmendjen, një rrugë kjo që duket disi poshtëruese me mënyrat për të rënë në sy ndaj partnerit dhe jo vetëm familjarëve, fëmijëve e shoqërisë. Nga këtu kuptojmë brengat nga e kaluara të njërit partner, mungesën e sigurisë dhe besimit te vetja, të cilat nuk mund t’i zgjidhë pasi shëmbëllen të kaluarën me të tashmen dhe e ndien veten të rrezikuar, të kërcënuar nga braktisja apo nga mungesa e vëmendjes.

Ajo çfarë këshilloj dhe sugjeroj, është që çdokush të arrijë të kuptojë se në një marrëdhënie të dy partnerët janë vulnerabël të ndjenjës së tyre, ata me kërshëri duan që bota të lëvizë për njërin nga ata, sepse kështu do të ndihen të mbushur, por… do të jenë gjithmonë në kërkim të asaj që u mungon. Si të ndiheni mirë me veten dhe partnerit tuaj?

– Kur nisni një lidhje mendoni për pritshmëritë që do të donit të realizonit, nuk duhet të jeni kunfuzë. Kjo nuk ka të bëjë me ndjekje të logjikës kur bëhet fjalë për dashurinë, por për të vlerësuar karakterin. Besoni tek aftësitë që keni. Do të jetoni një jetë romantike nëse kultivoni në të siguri emocionale.

– Çlirohuni nga frikërat dhe dyshimet që keni në marrëdhënie, nxisni te vetja aftësitë inkurajuese, përmirësoni komunikimin duke guxuar të thoni sesi do të donit që dashuria juaj të mos ketë boshllëqe. Bëjeni ju gjestin e parë, një përqafim, një pusullë në komodinë, një tufë me lule (të cilat nuk do të jenë kurrë sjellje primitive), një drekë me gatime të preferuara nga të dy ju. Mjafton të guxoni dhe të gjeni inkurajim në ato detaje qëkur jeni njohur dhe i mbani me vete çdoherë që nuk ndiheni mirë.

– Ujisni çdo ditë me fjalë që përkëdhelin sedrën te partnerët tuaj. Një vështrim joshës, një përkëdhelje e ëmbël, një puthje në buzë, pëshpëritje në vesh, janë surpriza me karakter emocionues, adrenalinë gjithashtu. Zgjidh të mbash ndezur romancën me pasionin që meriton.

– Ndani pasiguritë tuaja, ankthin, zemërimin që keni kur diçka nuk po shkon mirë. Do të zbuloni aftësitë ndihmuese për t’i zgjidhur së bashku këto ndjenja që, në fakt, i përjetoni të dy. Mbajini nën kontroll këto fije elektrizuese që nxiten jo vetëm për fajin tuaj, por me origjinë së jashtmi.

– Mendoni pozitivisht për lidhjen tuaj, edhe pse ndjenjat e fajit e mbysin shpeshherë atë, duke menduar se: “Nuk e meritoj këtë dashuri që më fal partneri”, “Nuk po bëj asgjë për të”, “E kam lënduar shumë”. Jepini fund! Shihni mundësitë, këndvështrimin sesi ai ju sheh, bëni përpjekje për të ndjekur qëllimet që kërkon lidhja të ketë. Do të kuptoni atëherë se meritoni të përjetoni dashuri dhe si të kujdeseni për të. Nga sa u tha, nuk ka më, por… jetoni moshën e lidhjes suaj, gabimet, apo për ta shtrembëruar lidhjen me faktin sesa gati jeni për të bashkëjetuar romancën tuaj. Një gjë është e sigurt: do të përjetoni shumë forma të pasionit tuaj, por ç’ka do të mbetet, mund të rezultojë ose jo ndryshimi i temperamentit tuaj. Nëse lidhja partneriale ka probleme, ka ndryshime që ndodhin gjatë përvojës në karakter, e cila ndoshta mund ta bëjë më të mirë ose pasive mungesën e dëshirës për t’u ndierë mirë sërish. Zgjidh të jetosh vetvetja pa u konsumuar nga eksperiencat e të tjerëve më parë, pa u shtirur me një tjetër personalitet, duke dashur të shfrytëzosh mundësitë që nuk do të ndihmonin për të ecur vetë. Romanca e ka emrin altruizëm, ndajeni dashurinë tuaj.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top