Prindërimi është një nga përvojat më kreative që jeta të ofron. Një proces i rritjes së përbashkët për prindërit dhe fëmijët. Edhe pse sot familja në përgjithësi dhe prindërit në veçanti janë nën “zjarr” për shkak të shoqërisë në tranzicion aktori Romir Zalla shprehet se me një pilotim të kujdesshëm, prindërit mund të çojnë në destinacionin e dëshiruar fëmijët e tyre. Fëmijët nuk mund rriten si individë të vetmuar, nënat dhe baballarët, vëllezërit e motrat, anëtarë të tjerë të familjes dhe të gjithë njerëzit me të cilët bashkëveprojmë, udhëheqin zhvillimin e tyre në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë. Megjithatë, vetë Romiri i mëshon faktit se efektet direkte mbi fëmijën janë: gjenetika dhe përvoja. Këto të dyja, sipas tij, janë burimi kryesor i rritjes individuale, komponentë të rëndësishëm që kontribuojnë në mirërritjen e fëmijës.
Jeni prindër i dy fëmijëve, natyrisht një model për ta, ku siç e pohoni edhe nëpër deklarata të ndryshme, përpiqeni t’u qëndroni sa më afër e t’u mësoni vlerat e shëndosha të familjes. Shoqëria e sotme shqiptare ka lëkundjet e saj. I trembeni ndikimit në psikologjinë (formimin) e fëmijëve?
Mendoj se çdo shoqëri, në çdo kohë ka lëkundjet e saj dhe ndikimi i mentaliteteve shoqërore ndikon gjithmonë në formimin e njeriut, sidomos në mosha të reja. Unë besoj fort se në psikologjinë dhe formimin e fëmijëve të mi, ajo që ndikon më fort është familja. Vlerat që na mbajnë të bashkuar, dashuria e gjyshes, xhaxhait, dajës, kushërirës… të afërmve pra. Unë besoj se modeli i prindërve është mburoja më e mirë që ka fëmija nga ndikimet negative dhe lëkundjet e shoqërisë. Dhe mbi të gjitha, edukimi, shkollimi, leximi i librave dhe frekuentimi i artit dhe në përgjithësi shijimi i të bukurës bën që fëmijët të jenë imun plotësisht nga çdo lloj mentaliteti negativ i shoqërisë.
Çfarë bëni për t’u shpjeguar fëmijëve rastet e shokëve të tyre apo bashkëmoshatarëve që kanë familje me probleme, prindër të divorcuar, por edhe për t’u qëndruar pranë në situata për të cilat kanë nevojë?
Fëmijët e mi, vajza Kaltrin, 11 vjeçe dhe djali Hermes, 8 vjeç janë ende të vegjël ndoshta për t’u shpjeguar kompleksitetin e problemeve të tilla si, divorci apo trauma të tjera në familje. Është pak e vështirë, sidomos në rastet kur problemet shoqërore shoqërohen dhe me raste dhune. Por, në rastet e shokëve apo shoqeve të tyre, që janë në situata të tilla të përafërta, pra që jetojnë veç me njërin prind p.sh, mundohem t’u shpjegoj në mënyrë sa më të thjeshtë se njerëzit përpiqen që të ndihen sa më mirë dhe të lumtur pranë të afërmve të tyre. Aty ku nuk ka më dashuri, vlerësim dhe respekt reciprok, njerëzit ndahen, reflektojnë, kërkojnë diçka më të mirë, ndoshta kthehen ose ndoshta jo. E rëndësishme është dashuria, komunikimi…
Si prind, prireni nga modeli tradicional?
Padiskutim prirem drejt tradicionales, në sensin që, në familje bëjmë shumë për njëri-tjetrin. Motra duhet t’i qëndrojë pranë vëllait. Vëllai duhet të mbrojë motrën. Problemet duhen zgjidhur në familje. Mbledhja familjare dhe marrja e vendimeve bashkë për çdo gjë. Mosmbajtja e sekreteve, të qenit të hapur ndaj dëshirave dhe personalitetit të çdo pjesëtari në familje. Unë besoj se kjo na mban të lidhur dhe një familje të shëndoshë tradicionale. Nëse këtë keni parasysh me përkufizimin tradicional? Këtu nuk flas për traditën familjare, ku burri i shtëpisë thotë fjalën e fundit, apo djali mund të bëjë ç’të dojë, apo vajza rri e mbyllur, apo gruaja duhet të punojë nga mëngjesi në darkë. Nuk e kam fjalën për gjëra të tilla.
Cili është këndvështrimi dhe motoja juaj për familjen?
Fëmijët janë pasqyra e prindërve. P.sh. Nëse ne u themi fëmijëve shpesh: lexoni sa më shumë, kur ulemi të lexojmë vetë të parët atëherë dhe fëmijët kuptojnë që kjo është një gjë e mirë. Prindi është model. Fëmija merr në mënyrë instiktive nga personaliteti dhe modeli i prindit. Sigurisht unë jam i prirur që për çdo gjë që u mësoj, t’u jap dy alternativa edhe atë që të josh më shumë, që është rruga më e shkurtër, t’u tregoj hilet, lehtësirat, anën tjetër të medaljes. Por, duke ua bërë të qartë që NUK është ajo mënyra e duhur. Shtyllat janë puna, ndershmëria, edukata, kultura, dijet, respekti, altruizmi, modestia… Me pak fjalë, virtytet, që sa vijnë dhe edhe më pak vlerësohen. Veset shtohen për ditë, por përderisa ne prindërit, modeli i tyre nuk i kemi, nuk më shqetëson që ato sa vijnë dhe po e mbysin shoqërinë tonë pragmatiste dhe janë kaq pranë fëmijëve tanë.
Cila është jeta juaj sot, sa kohë ju marrin angazhimet familjare, arrini t’i ndiqni këto detyrime dhe në rastet kur nuk mundeni?
Me thënë të drejtën periudhën e fundit, ne të dy me Suelën kemi qenë shumë të impenjuar nëpër projekte si në Teatër ashtu dhe Film apo Televizion. Mendoj se fëmijët na kanë mirëkuptuar. Ata na kanë ndjekur gjithashtu në prova në Teatër, në studio apo sheshe xhirimi. Sigurisht përpiqemi t’u përkushtohemi dhe atyre dhe sidomos përsa i përket ecurisë në mësime, mundohemi t’i alternojmë punët që gjithmonë njëri të jetë prezent në shtëpi apo dhe në gëzimet familjare e me të afërmit e tjerë, dhe besoj se kemi arritur ta menaxhojmë këtë situatë. Në fund të ditës, unë besoj me forcë se familja është më e rëndësishme se puna.
Mesazhi juaj për prindërit?
Të rrisim fëmijë mbi të gjitha të shëndetshëm, të shkolluar, që vlerësojnë natyrën, që të duan kombin. Të rrisim fëmijë krenarë, të ndershëm, me integritet dhe personalitet të fuqishëm në shoqëri, larg veseve, gënjeshtrës, kompromiseve, dembelizmit, vegjetimit. Të rrisim fëmijë me ego, që rrezikojnë, të guximshëm për të thënë gjithmonë të vërtetën, të përkushtuar dhe gjithmonë në luftë për të realizuar dëshirat, ëndrrat dhe veten e tyre.
Botuar në revistën “PSIKOLOGJIA”, në numrin 108
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.