Mirëqenie

April 16, 2016 | 6:10

Rovena Dilo: Kam nevojë për 8 orë gjumë

Rovena Dilo që çohet nga shtrati vetëm kur ajo do! Kalimi nga gjendja e gjumit, në atë zgjuar është një etapë krejt e ndërgjegjshme, të cilën ajo e programon njësoj si axhendën e angazhimet e ditës. Ajo ka luksin që ta shijojë gjumin, pa pasur një orar të përcaktuar qartë. Një ditë i ndodh të hapë sytë në orën 6 të mëngjesit, sepse pas disa minutash e pret një takim pune, e mandej ditën tjetër zgjohet në orën 11.00 të paradites, sepse e ka gdhirë deri në orët e para të mëngjesit duke lexuar romane interesante, apo duke parë një film që e gozhdon para ekranit deri në çastet e fundit kur titrat lajmërojnë përfundimin e tij… “Filmat më marrin në qafë. Mund të ndodhë që ta rishoh disa herë një që më ka pëlqyer. Për shkak të tyre rri deri vonë, ndaj zakonisht zgjohem rreth orës 11 të paradites”. Ngrihet nga shtrati gjithmonë pasi ka shijuar 8 orë të plota gjumë. “Nëse ky regjim prishet qoftë edhe për një ditë të vetme, mëngjesi më gjen të lodhur, dhe në gjendje emocionale jo shumë të kënaqshme. Ndërsa, një zgjim i zakonshëm i imi, është pasi ngrihem e ngopur me gjumë, e qetë dhe plot energji për të nisur ditën”, rrëfen Dilo. Mënyra e zgjimit në mëngjes për Rovenën është e kushtëzuar nga faktorë jashtë saj: Një ditë me diell, e ndihmon ta marrë mëngjesin me optimizëm e pozitivitet. E kundërta, ia zbeh paksa gjendjen emocionale. Dhe gati është kthyer në një zakon të përnatshëm të sajin, lënia e dritares së dhomës hapur. Rrezet e para të diellit që e përkëdhelin në fytyrë, si dhe drita natyrale, janë esenca shpirtërore më e veçantë që ajo përjeton në orët e para të mëngjesit dhe që ngulmon t’i shijojë në mënyrë sa më origjinale. Ato janë shtysë për të, që të “braktisë” shtratin dhe të çohet në këmbë. “Nuk e fsheh dot: në jo pak raste i bie pishmanit, për vetë faktin se të zgjuarit vonë ka edhe një risk. Nuk shijoj dot jodin e mëngjesit, apo vesën që bie mbi lule dhe aromën e tyre të pazëvendësueshme. Por, unë e shijoj atë që bëj, prandaj besoj se zgjimi i vonë nuk është ndonjë torturë, është thjesht një rit biologjik që i ndodh shumëkujt”, vijon ajo. Për të, nuk ekziston tulatja apo përtesa për t’u ngritur nga shtrati. Fundja gjumi del vetë. Dhe gjëja e parë që bën, është të larit e fytyrës dhe qafës me ujë shumë të ftohtë. Kjo e ndihmon që të çmpijë sytë nga gjumi dhe t’i japë freski fytyrës e zonës së dekoltesë. Pastaj, nuk harron asnjëherë të vendosë një shtresë kremi hidratues mbi fytyrë, duke e masazhuar atë për disa minuta, deri sa të ndjejë butësinë e lëkurës së saj ndër duar. Një mëngjes fare i lehtë në përmbajtje proteinike: një fetë bukë integrale e thekur, shoqëruar me djathë, ndërsa më pas hovin e ndal në lokalin e saj, ku sapo duket në derë, kamarieri i bën gati filxhanin e madh të kafes… Gjerbja e saj apo aroma ndjellëse, janë ato që perceptojnë më tepër zgjimin për të. Të qëndruarit për disa orë rresht në shoqërinë e filxhanit të kafesë shërben edhe si një lloj komunikimi që shtrihet në gjithë hapësirën e spektrit të ambientit që ajo ka ndërtuar… Është si një lloj bashkëbisedimi me veten, me të shoqin që shpesh herë e shoqëron në të pirit e kafesë së mëngjesit, me klientët që e shohin dhe e përshëndesin, me lulet dhe dekoret shumëngjyrëshe që zbukurojnë lokalin e saj… me gjithçka e rrethon. Kësisoj, krejt natyrshëm nis një ditë e re… Dhe për Rovena Dilon, nuk mund të ketë zgjim më origjinal se ky!

Botuar në revistën Psikologji, korrik 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top