Ajo është profesioniste në gjuhën e përcjelljes së artit, e më shumë se kaq, në mbajtjen gjallë të këtij aktiviteti kur atë ia mëton dhe fëmijëve të saj. Të krijuarit është një proces në vazhdimësi për Rozina Kostani, një armë e fortë që e përmbush jo vetëm në aspektin e mirëqenies shpirtërore, por edhe atë të fëmijëve e familjes së saj. Për artisten, magjia e të krijuarit buron nga dashuria, pa të nuk do të kishte kuptim.
Kreativiteti, a është për ju një dhunti e lindur apo e zhvilluar?
Në fakt, kreativiteti është një proces njerëzor, një dhunti, e cila buron tek çdo njeri. Disa i japin prioritet, unë jam një prej tyre. Sigurisht që njohuritë për ta zhvilluar janë profesionet që ne zgjedhim në njëfarë mënyre, e pastaj për t’i vënë në shërbim të interesave jetësore. Dhe si pasojë, ne kështu kemi ndërtuar një figurë që na veçon nga njëri-tjetri. Ky proces fillon që në fëmijërinë e hershme, duke filluar me objektet personale që zgjedh, si i trajton dhe më vonë, si i shndërron për t’i dhënë një kuptimësi të dytë, të ndryshme nga ajo konkretja që e perceptojnë të gjithë. P.sh. do kujtoj një episod, ku besoj u ka ndodhur të gjithëve kur ishim të vegjël. Ne i shndërronim objektet kur luanim shtëpiash, doktorësh, etj,. me SIKUR. Merrnim tulla dhe i besonim si tavolinë apo divan, gjethet si para e kështu me radhë. SIKUR-i është magjia të cilin ne e përdorim edhe në shumë situata, pra jo vetëm skenike.
Si artiste e kompletuar, sa ju ka shërbyer kreativiteti në plotësimin e arritjeve?
Shpeshherë në skenë si aktore mbaj mend që partneri im harroi tekstin dhe unë nuk vazhdoja dot nëse nuk më jepte batutën. Në çast dola nga situata duke e thënë: “mos doje të më thoje… dhe vazhdova me batutën time. Ne në gjuhën profesionale e quajnë improvizim. Edhe si regjisore ka shumë raste kur të duhet të besh zgjidhje të papritura, kur t’i vazhdon të krijosh edhe pasi e ke mbaruar shfaqjen për të mos lënë që t’i bjerë ritmi. Ka shumë raste të tilla sepse qenia njerëzore është gjithmonë në lëvizje. Si pedagoge e kam më të lehtë, se i gjithë procesi është pothuajse i tillë, bazuar në kreativitetin dhe duke u përpjekur për ta nxitur me shumë ushtrime për ta zhvilluar akoma më shumë. Ajo çfarë është befasuese dhe e bukur është kur i njëjti ushtrim nga një grup studentësh merr përmasa perceptimi të brendshëm, krejt ndryshe nga një tjetër dhe nuk mbetet klishe. Ndërsa si nënë përpiqem shumë. Mbase është dhe profesioni që ndikon t’ua zhvilloj imagjinatën, ta perceptojnë dhe ndjejnë të bukurën. P.sh. pikturojmë muret e verandës, vazot, bluzat e vogla që nuk u bëjnë më, i presim në shirita dhe bëjmë gërsheta, i qepim dhe bëjmë shtroje, qilima personale. Një herë, më kujtohet kur kisha vajzën e vogël dy vjeç, donte të dilte përjashta. Ishte drekë dhe e pamundur ta vija në gjumë. I thashë, ja do dalim, shiko me sy të mbyllur. Sapo shkuam te liqeni, tani po ecim mbi bar, hapi sytë dhe shiko si është mbushur plot me luledele, dhe kështu filluam të mblidhnim lule të dyja mbi çarçafin e bardhë. Jam person që më pëlqejnë shumë surprizat dhe si e tillë, kreativitetin e kam shumë të lartë falë imagjinatës. Sigurisht edhe në marrëdhënie me bashkëshortin. Në shoqëri, ashtu si kudo, është e rëndësishme atmosfera që krijohet dhe për këtë unë përpiqem shumë. Shpresoj që ia kam dalë, gjithsesi jemi në proces.
Njerëzit që krijojnë padyshim kanë edhe momentet e veta të bllokimit. Ju kaplon kjo gjendje?
Duke qenë se është proces, ai nuk mund të jetë vetëm përvijues, por është edhe përshkallëzues, që do të thotë, që pas një shkarkimi emocional-kreativ ndodh një boshllëk. Më ndodh pasi mbaroj një shfaqje, një rol akoma më shumë, kam ose ndjej një boshllëk të madh brenda vetes, më duket se nuk di të ndjej më asgjë, dita për çudi, që deri para ca ditësh më dukej shumë e shkurtër tani merr përmasa gjatosheje, ka një zgjatje me të cilën nuk di çfarë të bëj. Gjatë kësaj periudhe më duket sikur kam një vrimë në kafkë dhe çdo gjë që është brenda më rrëshqet dhe bie, humbet. Gjithë këtë ndjesi mund ta quash si të duash, por unë e quaj “Heshtje”, për t’u përmbledhur me tërë qenien tënde për të përvijuar jo vetëm gjallesën, por kuptimësinë e qenies. Ka raste ku ndjehem pesimiste. Tek ne nuk është vështirë të ndihesh kështu, duke qenë se sistemi i vlerave ka humbur dhe shikon çudira, nuk të mbetet tjetër vetëm pesimizmi. Duke ditur se ai ta zhbën dhe motivin, atëherë duhet të luftosh të gjesh një motiv më të fortë. Unë nuk punoj që të vlerësohem, as me çmime nga “askushët” e as me llafe tavolinash, por për të përditësuar dhe përvijuar ndjesinë e magjisë së SIKURIT, për t’u pohuar nëpërmjet tij, duke thënë të vërteta e mesazhe të forta. Stina e verës më krijon nganjëherë një gjendje jo të mirë, më duket shumë e gjatë, më duhet të bëj gjëra që më krijojnë një gjendje neutrale, veprime të ngjashme çdo ditë. Por e kam gjetur zgjidhjen. Duke qenë se nuk më pëlqen të rri shtrirë gjithë kohës në shezlong, pushimet e mia, tonat, janë eksploruese dhe kulturore. Kemi bërë një listë me shtete që duhen vizituar dhe fluturojmë.
Psikologët thonë: Ndryshimi është padyshim një forcë e fuqishme. Një pikë e mirë nisjeje sipas tyre është edhe edukimi ndaj mendimit negativ.
Ndryshimi, sipas asaj që kam lexuar unë në psikologji, nuk ndodh brenda njeriut, ai nuk ndryshon, përshtatet. Ndërsa ndryshimet e vendit të veprimit të tij, ndryshojnë në bazë ose varësi të qëllimeve që ai i vë vetes. “Qëllimi justifikon mjetin”, ka thënë Makiaveli. Janë qëllimet që na bëjnë të dukemi sikur kemi ndryshuar, janë nevojat që na bëjnë të transformohemi së jashtmi, nganjëherë duke e besuar edhe së brendshmi. Frika është ajo çfarë i bën të lëvizin këto ndryshime sigurisht, nëse ti ke frikë të rrish tek ky vend, ti do përpiqesh të gjesh një vend më të sigurt. Pastaj, sa i përket mendimit negativ, ai besoj është pjesë e karakterit, askush nuk arrin ta perceptojë se është negativ, përderisa ia ka gjetur motivin e veprimit, ato vijnë të lidhura shkak-pasojë. Në fakt, ju keni të drejtë që ma bëni këtë pyetje, duke parë që paaftësia dhe mediokriteti po merr dhenë. Besoj që gjatë gjithë karrierës sime nuk kam punuar asnjëherë nga inati i askujt, dhe besoj që ky profesion, që të paktën pretendoj se e njoh goxha mirë, nuk bëhet nga inati, por nga dashuria.
Të qenit kreativë, na lejon të kapim mundësitë në çdo situatë, favorizon mendimin pozitiv, zhvillon dhe fuqizon ndjesinë e kënaqësisë personale dhe vetërealizimit. Sa e plotësuar ndiheni?
Kreativiteti është pjesë e pandashme e të përditshmes time si pedagoge, regjisore apo dhe aktore, dhe sipërmarrjet e tregojnë një gjë të tillë. Më duhet ta pranoj me plot gojën se kreativiteti nxit mendimin pozitiv dhe të jep kënaqësi, të shpërblen. Shfaqja “Ata hyjnë pa trokitur” me regji të A. Bora dhe me partnerin tim të mrekullueshëm A. Trebicka, është një shfaqje që e mishëron fjalën kreativitet dhe pozitivitet dhe arritje profesionale, falë kërkesave që ka kjo shfaqje qoftë nga OSBE, me të cilët kemi lidhur kontrate bashkëpunimi, shfaqjen e radhës e kemi në Elbasan më 16 maj. Qoftë nga agjent-menaxher që na kanë ftuar të japim shfaqje, në Paris më 26, 27 maj dhe në Holandë më 28, 29 maj 2016. Kjo në fakt është një shfaqje e luajtur në 2015 në Teatrin Metropol dhe ka patur një sukses falë jo reklamës, por artit të vërtetë. Tani jam duke punuar si regjisore një komedi të zezë angleze “Kujtesa e Ujit” e autores Shejla Stefenson, me një staf aktorësh të mrekullueshëm si: Rajmonda Bulku, Olta Daku, Neritan Liçaj, Violeta Trebicka, Jonida Vokshi. Është një projekt privat në fakt, i mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Teatri Kombëtar, e cila pritet të dalë në shtator të këtij viti. Po punojmë me shumë dashuri, të intriguar për materialin e kësaj komedie sa profesionale sa dhe njerëzor, për mesazhin e fortë që përcjell “Nuk duhet që të vdesë dikush para se ne të themi fjalën magjike më Fal”, “Të falësh është si të godasësh veten me kamxhik” thotë një personazh i pjesës, por falja të qetëson, të lehtëson, të bën të ecësh përpara. Fjalët magjike bëjnë vërtetë magji, zbutin zemërime e qetësojnë shpirtra!
Botuar në revistën “PSIKOLOGJIA”, në numrin 108
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.