Këshilla & Arsye

April 22, 2016 | 8:33

Rradha e lindjes së fëmijëve

Të jesh fëmija i dy prindërve ka një rëndësi themelore për atë çka ata përfaqësojnë, kush janë, ndikimi i tyre në jetën e fëmijës etj. Por e një rëndësie themelore është edhe se cilin vend keni ju në familjen tuaj.

Jeni fëmija i parë i prindërve, i dyti që vjen pas disa vitesh, i treti, i katërti apo i fundit fare? Pse jo, ju mund të jeni dhe i vetmi njeri që i keni dhënë emrin prind, prindërve tuaj.

Të jesh fëmijë i vetëm! Të jesh fëmijë midis shumë motrash e vllezërish!

Sa rendësi ka rradha e lindjes në familje? Kjo rradhë ndikon në jetën tuaj, në profeson, në martesë, e për më tepër në krijimin e personalitetin tuaj. Rradha e lindjes së fëmijëve apo vendi që ju keni zënë në familje, sjell ndikime të ndjeshme në jetën tuaj në të ardhmen, për arritjet dhe marrëdhëniet personale.

Alfred Adler, është një nga psikanalistët më të njohur i cili e bazoi teorinë e tij jo vetëm te ndikimi i prindërve në rritjen e fëmijëve por edhe te ndikimi i motrave dhe vëllezërve në krijimin e personalitetit. Teoria e tij është shumë e njohur pikërisht për rëndësinë që ai i dha rradhës së lindjes së fëmijëve.

Studimet kanë treguar se mjedisi nuk është i vetmi përcaktues i personalitetit. Megjithatë mjedisi nuk është i vogël për të mos u konsideruar në ndikimin e tij mbi njerëzit.

Ekziston një teori për rradhën e lindjes së fëmijës në familje e cila thotë:Se kush je ti në jetë, më thuaj se kur ke lindur. Vallë të ketë kaq ndikim koha se kur kemi ardhur në këtë jetë dhe se cilin vend zëmë në familje, të jemi të parët, të dytët apo të fundit?

Të jesh fëmije i vetëm

Fëmija i vetëm në familje është në mënyrë automatike i stigmatizuar nga shoqëria. Po të duam të pyësim e të marrim opinione rreth karakteristikave të personalitetit të një fëmije të vetëm, kushdo përgjigjet me një lloj paragjykimi mbi atë fëmijë. Pa marr parasysh njohjen direkte të këtij personi. E etiketojmë si të përkëdhelur dhe indiferent ndaj botës jashtë vetes. Me mungesë empatie dhe altruizmi ( aftësia për të kuptuar ndjenjat e tjetrit dhe për t’a ndihmuar atë ) sikurse nuk e ka provuar praninë e motrave dhe vëllezërve në familje. Sipas teorisë së Adlerit, ky fëmijë ka të ngjarë të jetë i llastuar. Në fund të fundit prindërit, i kanë sytë e drejtuar vetëm tek ai dhe janë më të prirur t’i japin kujdes të veçantë ,ndonjëherë me shumë ankth, krenarisë dhe gëzimit të tij. Fëmijët e vetëm kanë tendencën të kenë vetbesim të lartë dhe të jenë të sigurt. Sikurse prindërit kanë dhënë vëmendje maksimale dhe admirim të plotë, ata kanë mendim të mirë për veten. Në momentin kur i duhet të jenë më të socializuar për shkak të studimeve apo karrierës, këta fëmijë kanë nevojë për aprovimin dhe mendimin e prindërve. Ata identifikohen me standartet dhe vlerat prindërore. Ne dukje, përballë shoqërisë dhe ambientit të tyre social, duken të ndrydhur dhe dyshues sikurse gjenden para një ambienti ku trajtohen njësoj si të tjerët dhe jo të përkëdhelur sic ndodhte dikur në familje.

Të jesh fëmija i parë

Për aq kohë sa je fëmija i parë, je fëmija i vetëm i prindërve dhe familjes, me të gjithë vëmendjen tek vetja. Tek fëmija i parë prindërit janë më të gatshëm për të “investuar” në rritjen e fëmijës në shumë aspekte. Por ja që kur gjërat duket sikur janë rehat, vjen fëmija i dytë, vëllaçko apo motra më e vogël dhe e zbret fëmijën e parë nga froni. Si fillim, fëmija do të luftojë për të rimarrë pozicionin e tij të humbur. Këtu janë shfaqjet e para të xhelozisë kur fëmija dyshon nëse prindërit e duan njësoj si më parë. Ka fëmijë të cilët përdorin mënyra të ndryshme për të marrë vëmendjen e përkushtimin e dikurshëm. Të sillen si foshnjë, disa bëhen të pabindur dhe rebelë, të tjerë vrazhdësohen dhe tërhiqen.

Në momentin kur vjen fëmija i dytë në familje, prindërit duhet të tregohen shumë të kujdesshëm me fëmijën më të madh. Edhe gjatë shtatëzanisë, nëna duhet të jetë aktive në komunikim me fëmijën për beben që do të lindë. T’i shpjegojë qartë dashurinë dhe rëndësinë e tij/ e saj në familje. Motra apo vëllai më i vogël do e zbukuroj akoma edhe me shumë familjen me shumë pjestarë.

Disa anë pozitive e të qënit fëmija i parë, janë pjekuria dhe mirësia që i karakterizon këta fëmijë në jetën e tyre në të ardhmen.

– Kanë një sens të lartë përgjegjshmërie për mirëqenien dhe harmoninë e familjes

– Janë më të pavarur. Të qenit fëmija i madh, i është dhënë hapsira e duhur për të vepruar e për t’u kujdesur për të tjerët.

– Janë të ndërgjegjshëm për hapat që ndërmarrin dhe kanë sens të lartë të inisiativës

– Shumë të shoqërueshëm dhe ndërveprues

– Janë të suksesshëm në arritjet akademike dhe profesionale. Të qenit fëmija i madh në familje i bën shpesh të rriten para kohe e të kenë maturi.

– Janë të ndjeshëm dhe shumë human.

 

Disa fakte nga jeta reale:

Më shumë se ½ e presidentëve të Amerikës kanë qënë fëmijë të parë

21 nga 23 astronautët e parë kanë qenë fëmijë të parë

2/3 e sipërmarrësve në botë janë fëmijë të parë

 

Të jesh fëmija i dytë

 Studimet kanë treguar se fëmijët e dytë në familje, ka gjasa të jenë më të pabindur në jetën e tyrë më vonë se sa motrat apo vëllezërit e tyre më të mëdhenj të cilët janë më konformist.

Fëmija i dytë  i cili mund të kategorizohet gjithashtu si fëmija i mesëm, është më aventuresk dhe duke parë mungesën e vëmendjes së prindërve për vëllain apo motrën më të madhe, përfitojnë që të jenë më të lirshëm dhe të shpenguar dhe kjo ndikon në zhvillimin e tyre të përgjithshëm.

Pozicioni më i vështirë i fëmijës së dytë është vështirësia për të arritur atë që bën më i madhi. Ai ka një person tjetër mbi veten që i tregon rrugën dhe priret të jetë shumë konkurrues, në përpjekje të vazhdueshme për t’ia kaluar të parit. Për të siguruar vëmendjen dhe admirimin e prindërve ata konkurrojnë me vëllezërit e tyre. Fëmija i dytë apo i tretë e urren krahasimin që i bëhet me më të madhin.Kjo e bën të ndjehet i pafuqishëm dhe të pasigurt. Priren të bëjnë kompromise dhe të jenë fleksibël. Fëmija i lindur i dyti në familje mund të vuajë shpesh nga “sindroma e fëmijës së dytë” dhe mund të ndjehen të injoruar e të pavlerësuar. Ata janë sfidues për të qenë special si vëllai apo motra më e madhe. Ndodh që prindërit me lindjen e fëmijës së dytë të jenë më indiferent dhe më pak të vëmendshëm në kujdesje duke qënë se eksperiencën e parë në rritjen e fëmijës e kanë provuar me fëmijën më të madh. Disa këshilla duhen ndjekur edhe nga prindërit për fëmijët e dytë. Ata duhet të jenë mbështetës, të vëmendshëm dhe të inkurajojnë kapacitetet e më të vegjëlve.

Të jesh fëmija më i vogël

Në realitetin shqipëtar ndryshe quhet, fëmija e pleqërisë. Fëmijët nuk janë të vetëdijshëm për  këtë proces i cili lidhet me rradhën e lindjes dhe vendin që ata zënë në familje. Ashtu si edhe në jetë, edhe në familje jemi konkurrues. Fëmijët me njëri –tjetrin, i madhi me më të voglin e kështu me rradhë. Dikush, është i suksesshëm në fushën profesionale, tjetri mund të jetë shumë popullor, dikush më rebel e tjetri manipulatori….

Fëmija më i vogël konsiderohet gjithnjë si fëmija i familjes, edhe kur ai rritet. Shpeshherë ata e kanë të vështirë të gjejnë rolin apo vendin e tyre në familje sikurse vëllezërit më të mëdhenj kanë lënë gjurmët e tyre prej kohësh.

 Avantazhet e të qënit fëmija më i vogël në familje:

– Më shumë vëmendje nga prindërit.

– Presin më pak nga prindërit meqënëse mësojnë nga motrat dhe vëllezërit më të mëdhenj

– Këta fëmijë marrin më shumë mbështetje familjare dhe janë më shumë riskues në jetë.

( Kjo mund të ndikoj edhe negativisht, pasi mbështetja e tepruar i mëson ata të presin nga të tjerët dhe të mos jenë të pavarur).

– Ata kanë tendencën të jenë të pjekur dhe të matur në shoqëri. Mendohet se të jesh lindur nga prindër në një moshë më të pjekur, këta fëmijë janë biologjikisht embrione të maturuara mirë.

– Të jenë kreativ, të kenë sens humori dhe konkurrues .

Fëmijët më të vegjël janë zakonisht shumë të ndryshëm nga më të mëdhenjtë. Ata priren të jenë më social dhe të gëzueshëm. Në përgjithësi janë të shkujdesur sikurse kanë qënë nën kontrollin e më të mëdhenjve por në këtë rast prindërit nuk duhet të neglizhojnë mësimin e përgjegjshmërisë.

Prindërit duhet të motivojnë arritjet e tyre edhe pse kjo është bërë më shpesh më fëmijët e mëdhenj, mos harrojmë se çdo arritje e tyre është një herë e parë edhe për më të vegjlit.

Një disavantazh i femijëve më të vegjël është fakti se ata nuk i gëzojnë shumë prindërit e tyre si vëllezërit më të mëdhenj. Fëmijët më të vegjël duke qënë se janë më afër prindërve janë më të përgjegjshëm dhe më aktiv në kujdesin e tyre  se sa më të rriturit. Ata nuk i gëzojnë prindërit e tyre në moshë më të re kur janë më aktivë fizikisht por mbajnë mend më shumë kohën kur atyre i duhet dhënë më shumë kujdes në pleqëri.

 

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top