Padiskutim që është një nga zërat e shkëlqyer të rrokut shqiptar. Nuk ka brez që të mos njohë këngët e tij, ndërsa ndjesitë bëhen të prekshme kur e sheh artistin në një ekran a koncert, duke të bërë ta përjetosh artin në dimension unik, të pazëvendësueshëm. “E diell” në Top Channel ka arritur të bëjë të rrëfejë rrokerin Aleksandër Gjoka, i cili siç e ka pohuar vetë, nuk është se i ka mirë marrëdhëniet me gazetarët shqiptarë. Përtej gjykimeve të ndërsjella, Gjoka ka zgjedhur të komunikojë me publikun përmes këngës dhe zërit të tij unik, ndryshe nga një pjesë e artistëve të rinj që, më shumë se me artin e tyre, e sigurojnë famën edhe përmes skupeve mediatike.
I ftuar pasditen e sotme në “E diell” përballë Adi Krastës, Aleksandër Gjoka ka ndarë me publikun disa nga hitet e tij më të bukura, si dhe histori në vite që kanë shoqëruar karrierën e tij muzikore.
I pyetur për marrëdhëniet jashtë muzikës, një ndër to edhe marrëdhëniet me mediat e kulturës, ai tregon se “i ka ndërprerë” prej kohësh: “Nuk shkruajnë më për mua…” – tha këngëtari pas pyetjes së drejtpërdrejtë të Krastës, “si i ke marrëdhëniet me gazetarët e kulturës?” Pas kësaj deklarate, ka një histori me të cilën Sandri e lidh “qetësinë” mediatike për emrin e tij: “U bënë 7 vjet tashmë që nuk shkruajnë më për mua. Kam pasur një histori në promovimin e një albumi. Pashë që më kishin marrë në foto me një gotë përpara dhe titulli i shkrimit ishte: “Aleksandër Gjoka, i dehur…. Ku më panë që isha i dehur? I kapa, u mora aparatet dhe u dhashë një mësim të mirë. Që nga ajo kohë, nuk shkruajnë më…” – tregon Sandri. Por para një viti ka pasur edhe një histori të ngjashme me një të përditshme në vend, të cilën po ashtu e mbylli miqësisht. Lidhur me mediatizimin e artistëve apo këngëtarëve të rinj shqiptarë, Sandri tha se, “ne nuk duhet të bëjmë paralelizëm me botën e artistëve jashtë, sepse nuk jetojmë në të njëjtat kushte. Sipas tij, këtu ka një tangërllëk të tepruar dhe të paarsyeshëm”.
Burimi: “E diell” në Top Channel
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.