Firalda Hyka, nëna e vajzës 14-vjeçares që ka denoncuar mësuesin e saj në polici për veprime të turpshme, na rrëfeu në studio momentin kur vajza i ka treguar për mësuesin e matematikës në shkollën “Mustafa Lleshi” në Kashar. Veprimet e tij, sipas zonjës kanë vijuar edhe në rrjetet sociale duke bërë biseda jo të hijshme. E mitura ka deklaruar në polici se mësuesi ushtronte presion në këtë formë për t’i dhënë notë të mirë. Nga ana tjetër vajza është nxënëse ekselente në këtë shkollë. Zonja Firalda dha një mesazh të fortë, që askush mos të heshtë para të tilla situatash.
“Ne mësuesin e njihnim sepse i kishte dhënë mësim edhe vajzës së madhe. E konsideronim person me autoritet, kërkonte rregull në shkollë, e respektonim. Ishte diçka e pabesueshme. Unë i kisha thënë disa herë në mbledhje me prindërit për vajzën që në shtëpi është fëmija im, këtu është fëmija yt”, ka thënë e prekur zonja.
Ajo ka treguar sesi prej kohësh vinte re që vajza ishte e mërzitur, kishte ndryshuar dhe e pyeste çfarë kishte. Kështu ajo i tregoi që mësuesi i matematikës i dërgonte mesazhe në FB, e shqetësonte dhe filloi të qante.
“Aty e kuptova çfarë kishte ndodhur, nuk ishte nevoja të fliste më. U shtanga, por pas shtangies duhet t’i gjenim një zgjidhje. “Tani më ke mua. Ti je më e fortë sesa ai”, i thashë vajzës dhe në atë çast ajo krijoi besimin për të treguar gjithçka. Doja të mos mbetej me një përballje personale. Unë e quajta krim dhe nuk mund ta lija pa ndëshkuar”, ka treguar nëna e 14-vjeçares.
“Përditë kur e nisja vajzën në shkollë, isha në ankth. Ishte e vështirë sepse duhet të shtiresha si kur nuk kishte ndodhur asgjë dhe ta fshihja nga bashkëshorti. Nuk doja t’ia tregoja pa pasur një provë sepse ai do shqetësohej shumë dhe mund të ishte përballur para kohe me mësuesin”, ka thënë gruaja e ftuar në studin e Rudinës. Kështu ajo nisi të mendonte sesi do mund të siguronte një provë.
“Vajza i kishte bërë block në FB. I thashë që t’i bënte ç’bllok, ajo i shkruajti dhe ai pastaj filloi t’i fliste si më parë në sytë e mi. Mora fjalën që deshëm, ndjeva një trishtim të madh kur i lexoja, por dhe një çlirim, sepse tani mund të veproja. I thashë bashkëshortit në mbrëmje dhe të nesërmen kemi bërë denoncimin në polici”, ka treguar ajo .
“Por unë nuk mund ta mbaja të fshehtë dhe të mos mbroja vajzën time. Shikoja dhe vajzat e tjera, thosha “mirë unë do e heq nga shkolla, po të tjerat?” Vajza ime e gjeti fuqinë, po sikur të ishte dikush tjetër që nuk do e gjente fuqinë?”, ka thënë ajo.
Në studio ka qenë i pranishëm dhe zëri i psikologes. Oriola Pampuri ka vënë theksin te domosdoshmëria për të informuar fëmijët për të dalluar rreziqet.
“Ne duhet të informojmë fëmijët. Mësuesi është 64 vjeç, ka një Facebook, deri këtu nuk ka problem, por e përdor atë për të komunikuar në mënyrë private me fëmijët. Kjo nuk është normale. Kemi një adoleshente më pas që është në një fazë shumë delikate zhvillimi. Nëse nuk do kishte treguar, vajza do përjetonte stresin posttraumatik që kërkon shumë kohë për t’u trajtuar. Ajo është në moshë delikate, por fakti që vajza është rikthyer në shkollë dhe është mbështetur nga prindërit, tregon që ajo do e kalojë për një kohë më të shkurtër këtë traumë”, ka thënë psikologia e cila ka inkurajuar denoncimin e këtyre rasteve dhe nevojën e fëmijëve të prekur për trajtim psikologjik, sipas gjendjes.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.